Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka arrestuar një person që dyshohet se kishte planifikuar një sulm në ditën e zgjedhjeve në SHBA emër të grupit terrorist të Shtetit Islamik.
I dyshuari, Nasir Ahmad Tawhedi, 27 vjeç, është nga Afganistani me banim në Oklahoma City,, sipas prokurorëve.
“Ky i pandehur, i motivuar nga ISIS, dyshohet se kishte organizuar një sulm të dhunshëm, në ditën e zgjedhjeve, këtu në atdheun tonë”, tha drejtori i FBI-së, Christopher Wray në një deklaratë të martën.
Afgani 27 vjeçar u tha hetuesve pas arrestimit të tij të hënën se ai kishte planifikuar sulmin e tij të përkonte me ditën e zgjedhjeve muajin e ardhshëm dhe se ai dhe një bashkëpunëtor i mitur do të vdisnin si dëshmorë, sipas dokumenteve të akuzës.
Nasir Ahmad Tawhedi, i cili hyri në Shtetet e Bashkuara në vitin 2021 me një vizë të veçantë imigrimi, kishte ndërmarrë hapa në javët e fundit për të çuar përpara planet e tij të sulmit, duke përfshirë porositjen e pushkëve AK-47, shitjen e pasurive të familjes së tij dhe blerjen e biletave për gruan dhe fëmijën e tij për udhëtim drejt Afganistanit.
“Terrorizmi vazhdon të jetë përparësi kryesore e FBI-së dhe ne do të përdorim çdo burim për të mbrojtur popullin amerikan”, tha përmes një deklarate drejtori i FBI-së, Christopher Wray.
Tawhedi kërkoi pushkë sulmi AK-47 për t'i përdorur në sulm, pretendojnë autoritetet. Më 7 tetor, ai dhe bashkëpunëtori u takuan me agjentë të fshehtë të FBI-në për të blerë armët dhe municionet. Pas blerjes, Tawhedi dhe bashkëpunëtori i tij u arrestuan.
Sipas Departamentit të Drejtësisë, pas arrestimit Nasir Ahmad Tawhedi u tha hetuesve se kishte planifikuar një sulm në ditën e zgjedhjeve, që do të kishte në shënjestër grupe të mëdha njerëzish.
Ndaj Nasir Ahmad Tawhedi u ngritën akuza për komplot dhe përpjekje për të ofruar mbështetje materiale për Shtetin Islamik, që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste.