Kitaristi Denis Bizhga koncert mbi urën e Zogut në Milot! Princ Leka: Të ndërhyhet për shpëtimin e urës nga shembja

22 Korrik 2023, 15:33| Përditesimi: 22 Korrik 2023, 15:43

  • Share

Ura e Zogut në Milot u kthye në skenë e një koncerti sensibilizues për fatin e saj. Kitaristi Denis Bizhga performoi mbi këtë monument kulture që rrezikon shembjen, teksa i pranishmi ishte edhe Princ Leka, i cili së bashku me të tjerë pjesëmarrës bënë thirrje për ndërhyrje në urë.

Fati i Urës së Zogut mbi Lumin Mat u soll sërish në vëmendje nga aktivistët e Shoqërisë Civile. Këtë herë zgjedhja ishte krejt e veçantë.

Pranë këtij monumenti kulture që rrezikon shembjen, u organizua një koncert me muzikë, përmes performancës së kitaristit të njohur Denis Bizhga.

Mes të pranimeve ishte edhe Princ Leka, emrin e familjes të të cilit mban ky monument,

“Ura e Zogut në familjen tonë ka nëj rëndësi të veçantë. Lidhet drejtpërdrejt me modernizimin. Prandaj fillesa e modernizimit shqiptar niset me këtë urë. Uroj që kjo urë të mbetet një simbol, të mbetet pjesë e trashëgimisë historike të shtetit shqiptar. Çdo vepër, infrastrukturë në Shqipëri ka nisur me këtë urë. Kjo urë nuk lidhet vetëm me familjen e Zogut”, tha Princ Leka, pasardhës i familjes mbretërore.

Të pranishmit folën mbi vlerat e Urës së Zogut, duke bërë thirrjen për ndërhyrje sa më të shpejta për shpëtimin nga shembja e plotë.

Apelin për më shumë vëmendje dhe ndërhyrje urgjente erdhën edhe nga pushteti vendor apo studiues.

“Ky moment i sotëm ka dy të veçantat e veta. Një formë note proteste edhe ndaj mënyrës se si kjo urë është në këtë gjendje. Por njëkohësisht për ta promovuar dhe si vlerë historike, kulturore për qarkun e Mirditës. Është një thirrje për autoritetet që të kthehet vëmendja në vlerat tona kulturore”, tha Albert Melyshi, kryetar i bashkisë Mirditë.

“Kjo urë bëri të mundur që jugu dhe vëru të lidhen me njëri tjetrin. Kjo urë simbolizon shekullin e 20 të Shqipërisë”, tha studiuesi  Erald Kapri.

Ura me 6 harqe, e gjatë 500 metra u ndërtua nga Mbreti Zog në fund të vite 20 të shekullit të kaluar dhe në vitin 1999. Ministria e Kulturës e shpalli zyrtarisht si monument kulture dhe historike, duke e marrë në mbrojtje. Projekti i miratuar nga Qeveria Shqiptare për shpëtimin e këtij monumenti nuk ka nisur ende zbatimin, pasi nuk janë përmbyllur ende procedurat e tenderimit.

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?