Kultura

“Kjo botë shpirtnore vajzash e grashë…”, botohet antologjia! Jozef Radi: Bën përshtypje zgjedhja e gegnishtes në poezi!

7 Gusht, 11:31| Përditesimi: 7 Gusht, 11:46

  • Share

Secila prej tyre ka botuar të paktën një libër poetik pas vitit 2000, ndërkohë që vazhdojnë të shkruajnë poezi, edhe në këtë periudhë, kur botimi i poezive është diçka jo fort e mirëpritur nga tregu. Një pjesë e krijimtarisë së tyre është përmbledhur në një antologji poetike.

“Ne sollëm 29 autore me 11 poezi secila, ku secilës i është bërë një biografi e shkurtër dhe një analizë letrare e teksteve të paraqitura në libër. Nuk pretendoj të kem grumbulluar gjithçka por përpjekja ishte për të mos lënë asnjë autore që ka krijuar njëfarë zëri, jashtë këtij libri.”, - thotë për "Report TV", Jozef Radi, kurator i antologjisë.

Sipas tij, produkti poetik femëror ka pasur një rritje sasiore dhe cilësore të dukshme në kohën e sotme, ndërkohë që një fakt shumë interesant është se shumë prej tyre kanë zgjedhur gegnishten si gjuhë për t’u shprehur.

“Gjuha e tyre është e habitshme. Pjesa më e madhe e autoreve kanë zgjedhur gegnishten si gjuhë komunikimi, që është një risi e rrallë e letërsisë shqipe, që në një libër me 29 autore, pjesa më e madhe kanë përdorur gegnishten për të shprehur emocionet e tyre, çka është risia thelbësore e këtij libri. Bie në sy që edhe gra dhe vajza, që i përkasin Shqipërisë së Jugut, shpesh herë kanë përdorur gegnishten si mjet komunikimi.”, -vëren Radi.

Në antologji janë përfshirë mjaft autore shqiptare, të cilat jetojnë në vende të ndryshme të botës, si dhe katër autore nga Kosova. Tematika në poezitë e tyre është e larmishme, që nga ajo sociale, trajtimi i problemeve të mprehta nëpër të cilat kalon shoqëria shqiptare, pa lënë mënjanë problemet sentimentale, të natyrës apo të një bote që ka qenë e ndrydhur dhe shpesh nuk i ka lënë hapësirën e duhur të lirisë dhe ballafaqimit me realitetin.

"Ky opus krijimtarie sjell diapazon gjithnjë e më të plotë të shpalosjes së shpirtit të gruas shqiptare. Titulli i librit është një ‘puzzle’, ku secila ka vënë ose një gur, ose një tullë a petale luleje në këtë vepër të vëllimshme antologjike.”

Ai thekon se gjeografia poetike shqiptare ka traditë në kohë dhe kjo antologji është një dëshmi e vazhdimësisë së saj në ngritje në këtë periudhë kur ka një krizë të vlerësimit të letrave shqipe.

B.G/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Liku: 07/08/2025 14:16

    Fshehin mediokritetin pas dialektit, kaq.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se takimi Trump-Putin do të sjellë paqen në Ukrainë?