Sociale

“Kjo është situatë alarmuese”/ Bullizimi në shkolla, Malaj: Po rritet ‘brezi i ankthit'! Koçibelli: Fëmijët me prindër të ndarë, më të rrezikuar (VIDEO)

25 Shtator, 13:57| Përditesimi: 25 Shtator, 14:07

  • Share

Rasti i bullizimit të një 15-vjeçareje, e cila tentoi që t’i japë fund jetës në qytetin e Sarandës, ka shkaktuar reagime të shumta dhe ka ngritur shqetësime për gjendjen emocionale të minorenëve.

Pikërisht bullizimi ishte tema që u diskutua në Report Tv, në emisionin ‘Sot live në Shqipëri’, të moderuar nga Nertil Agalliu, ku të ftuara ishin sociologia Nora Malaj dhe aktivistja Suela Koçibelli. Malaj ka deklaruar prindërit nuk duhet të shohin vetëm rezultat në mësime, por të fokusohen më shumë tek gjendja emocionale e fëmijëve.

“Në letrën time para filmimit të vitit arsimor, ua dërgova më shumë prindërve dhe shoqërisë. Ideja është se ne do t’i çojmë në shkollë, duhet që në mos fokusohemi vetë tek notat, por fokusi është që t’i themi që duhet t’i pranojmë shokët dhe shoqet ashtu si janë, sepse jeta e atyre është ndërtuar mbi situata që kalojnë apo me gjendjen ekonomike dhe sociale që fëmijët kalojnë, prandaj ne nuk duhet të paragjykojmë. Nuk mund të paragjykojmë një fëmijë që vjen me të njëjtën çantë dhe të njëjten bluzë. Këto janë elementë që quhet në terma psikologjik, empatia”, tha Malaj.

Më tej Malaj ka deklaruar se shoqëria sot po rrit atë që quhet ‘brezi i ankthit’, teksa tha se përmes telefonit mund të  krijojmë situata bullizuese, fyese dhe paragjykuese. Në fund sociologia ka theksuar se kemi arritur në situatë alarmante s ai përket bullizimit.

“Pse e kam ngritur këtë problem? Sepse ka ardhur koha që disa gjera t’i shohim në thelbin e problemit. Shoqëria sot është një shoqëri që po rrit një brez që quhet ‘brezi i ankthit’. Një psikolog i njohur ka bërë një libër, ku përshkruan sesi të rinjtë i shohin disa modele nga Instagrami. Ne po krijojmë një steriotip apo një model ndryshe, që do të thotë që nuk jemi më qenie humane. Telefonin e quajmë si një organ jo biologjik, e kemi vënë pas vetes dhe jemi të bërë të varur ndaj tij dhe nuk e kemi problem që të krijojmë situata bullizuese, fyese dhe paragjykuese, që dikush mund t’i përballojë dhe dikush jo. Kjo është alarm dhe nuk është më kambanë alarmi. Është alarm për shoqërinë, familjen, shkollën dhe të gjithë ne”, u shpreh Nora Malaj.

Ndërsa aktivistja Suela Koçibelli ka theksuar në fjalën e saj, se fëmijët në familjet e divorcuara, kanë risk më të lartë që të bien preh e bullizimit.

“Duke parë rastin e Sarandës, divorci është një fenomen i pranishëm në vendin tonë. Është e vërtetuar që familjet me divorce, ka një risk më të lartë për të pasur situata më të vështira sociale dhe ekonomike dhe si rrjedhojë, që këto fëmijët e këtyre familjeve, e kanë më të lehtë që të bie pre e bullizimit.

Megjithatë babai shprehej se kjo kishte ndodhur prej kohësh dhe duke marrë parasysh se ishin familje e ndarë dhe mentalitetin në zonat më provinciale, mund ta vendosin fëmijët në një faktor më shumë për tu bulëzuar. Ajo që unë dua të shtoj është që një fëmijë që vjen nga një familje e ndarë, gjendja e tij është më e rënduar sesa një fëmijë që ka dy prindërit në shtëpi. Kjo e bën familjen më vulnerabël për tu bullizuar.

Thirrja është që në një familje të divorcuar, prindërit duhet që të japin më shumë kontribut për gjendjen emocionale të fëmijëve.”, deklaroi Koçibelli.

A.D/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e shkarkoi, a duhet Erion Veliaj ta ankimojë në Kushtetuese?