Ekskluzive/ Pas kërcënimeve me jetë nga të burgosurit “anti 41 bis”, ja urdhri i radhës i drejtorit të Burgjeve

15 Dhjetor 2019, 14:35| Përditesimi: 15 Dhjetor 2019, 21:42

  • Share

TIRANË - Në fillim të dhjetorit, Shqiptarja.com publikoi ekskluzivisht lajmin se drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili është kërcënuar me jetë, dhe se nga hetimet paraprake të kryera, dyshohet që e gjitha të vijë si "revoltë" e personave të dënuar në formë kundërshtie ndaj masave të rrepta që po aplikohen në burgje, ën atë që njihet si sistemi 41 bis. Por duket se ky kërcënim nuk e ka frenuar drejtorin Ismaili, pasi së fundi, Shqiptarja.com mëson ekskluzivisht një tjetër urdhër të tijin, për t'i transformuar burgjet nga "dhoma konvikti", në qeli!

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve u ka nisur letër të gjithë drejtuesve në burgjet në Shqipëri, ku kërkon prej tyre të largojnë nga qelitë e të dënuarve, të gjitha objektet e tepërta, siç janë komodina, frigoriferë, televizorë etj, duke argumentuar, se përveçse shkelje ligjore, në radhë të parë këto sende kthehen në rrezik për shëndetin e personave të burgosur.

"Të Nderuar Drejtorë. Ju lutem shikojeni këtë foto! Siç e shihni është një mobilje! Nuk është gjetur në ndonjë mobilieri apo zyrë, por pikërisht në ‘bir të burgut’! A mund të quhet burg ky që një i burgosur fut një mobilje?", kështu e nis letrën drejtori Agim Ismaili, duke kërkuar prej vartësve të tij të marrin masa menjëherë për t'i dhënë fund trajtimit të diferencuar të të burgosurve.

"Verifikoni nëse ka qoftë edhe fakti më i vogël i favorizimit të të burgosurve që keni në IEVP që drejtoni! Merrni masa dhe eliminoni favorizimet dhe raportoni progresin ! Nuk toleroj trajtimin e diferencuar të të burgosurve dhe favorizimin e tyre në kundërshtim me rregulloren", shkruan Ismaili në letrën për drejtorët e burgjeve.

Prania e sendeve të tepërta në qeli thotë drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, ndër të tjera shërben si "maskim" për të futur brenda tyre edhe sende të ndaluara dhe të rrezikshme brenda qelisë.

Mirëpo, rreziku i tyre nuk është vetëm kaq. Objektet e  tepërta në një qeli 4--9 metra katrorë duke kufizuar hapësirat minimaliste për jetesë, ndikojnë në shëndetin e të burgosurve, duke i kthyer ata në pacientë, për shkak të cenimit të higjienës duke akumuluar papastërti.

"Të merren masa urgjente për
•             sensibilizimin e punonjësve por edhe të burgosurve për rrezikun e shëndetit për shkak të sendeve të tepërta dhe higjienës së ulët
•             të forcohet kontrolli për heqjen e sendeve të tepërta (veç sa më sipër prania e tyre ul sasinë e oksigjenit në qeli e duke shtuar edhe duhanpirjen në fakt i kthen të burgosurit në pacient)
•             të forcohet kontrolli i higjienës në dhoma duke përcaktuar kalendar kontrolli periodik
•             të forcohet zbatimi i kërkesave rregullatorë për sasitë e lejuara të ushqimit "

Është e rëndësishme që të sqarohen dhe të burgosurit për domosdoshmërinë e marrjes së këtyre masave, të cilat nëse sqarohen edhe ata ndikojnë edhe në disiplinë dhe siguri",  u kërkon Agim Ismaili drejtuesve të burgjeve.

Në përfundim, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve kërkon që të studiohet "legjislacioni nëse ka rregullim për çfarë sendesh duhet të ketë në një qeli!"

Vetëm javën që lamë pas, Shqiptarja.com mëson se janë nxjerrë nga qelitë me dhjetëra frigoriferë, dollapë e televizorë nga qelitë e të dënuarve.

"Nëse nuk ka të ngrihet një grup pune brenda ditës së nesërme për të nxjerrë një akt të tillë. Gjithashtu për detyrat e lëna më sipër duhet një plan masash në të cilin të përcaktohen afatet.  Është evidente që këto masa duhet të shoqërohen me ashpërsi më të madhe në drejtim të zbatimit të standardeve në kuzhina, magazina ushqimore dhe ambiente të tjera", përfundon Ismaili.

Prej mëse dy muajsh Agim Ismaili ka vënë në zbatim në dy burgje 313 Tiranë dhe në Peqin, rregullat e izolimit që parashikon ligji "41 bis".

LETRA EKSKLUZIVE

Të Nderuar Drejtorë

Ju lutem shikojeni këtë foto! Siç e shihni është një mobilje! Nuk është gjetur në ndonjë mobilieri apo zyrë, por pikërisht në ‘bir të burgut’! A mund të quhet burg ky që një i burgosur fut një mobilje?

Të Nderuar Drejtorë

Janë të lashtësisë ‘patricët dhe plebejtë’! Standardi dhe zbatimi i rregullores sjellin qetësi e rehabilitim në burg! Çdo shkelje kësisoj nuk është thjesht administrative por është drejtpërdrejtë kundër misionit të sistemit penitenciar!

Verifikoni nëse ka qoftë edhe fakti më i vogël i favorizimit të të burgosurve që keni në IEVP që drejtoni! Merrni masa dhe eliminoni favorizimet dhe raportoni progresin! Nuk toleroj trajtimin e diferencuar të të burgosurve dhe favorizimin e tyre në kundërshtim me rregulloren .

Të nderuar Drejtorë

Para disa ditësh Ju përcolla me shqetësim shumë të madh çështjen e sendeve të tepërta në qeli dhe higjienës ekstremisht të ulët në një prej IEVP-ve dhe bindjen se shkalla e këtij problemi është më gjerë se kaq.

Higjiena e ulët dhe prania e sendeve të tepërta në qeli prodhon indisiplinim e pasiguri në institucion

•             Një situatë e tillë zhvlerëson autoritetin ligjor të strukturave tona
•             Frenon dhe kthen në ‘rrenë të madhe’ përpjekjet për rehabilitim
•             Maskon sendet e ndaluara në qeli

Mirëpo, rreziku i tyre nuk është vetëm kaq!

Rreziku më i madh – të cilin kemi edhe detyrim ligjor për ta parandaluar – është rreziku i dëmtimit të shëndetit të të burgosurve edhe për shkak të kushteve apo tipologjisë së jetesës që bëhet në ambientet e vuajtjes së dënimit!

•             prania e sendeve të tepërta në ambientet/qelitë e tyre, ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në mundësinë e cenimit e  të higjienës së ambienteve duke akumuluar papastërti të mundshme -  element që kushtëzohet edhe për shkak të planimetrisë së dhomave të qelive të  (4-9 m2) të cilat janë me hapësira të kufizuara vetëm me qëllim akomodimi

•             prania e një tualeti të përbashkët i cili ka dalje të drejtpërdrejtë në mjediset e dhomës, është burim i sigurt kontaminimi në raport me pastërtinë e sipërfaqeve në kontakt të drejtpërdrejtë me produktet ushqimore që përgatiten apo dhe konsumohen në këto ambiente të qelive, duke sjell një kontaminim të tërthortë të këtyre produkteve dhe për rrjedhojë pasjellin një efekt negativ në shëndetin e të dënuarve apo dhe të paraburgosurve.

Prania e sendeve të tepërta, në mjediset e dhomave të të dënuarve, nuk është vetëm një kufizim në vetvete i hapësirave të nevojshme minimaliste për jetesën e të dënuarve dhe të paraburgosurve, por për shkak të pranisë së tepërme të tyre (duke pasur në vëmendje edhe akumulimin e pastërtive, komunikimin e drejtpërdrejtë me tualetin, sipërfaqet në kontakt ne ushqimin, mjetet si kova, shtupa etj.) apo dhe solucionet/detergjentet e pranishëm sjellin mundësinë e rreziqeve tё mundshme me natyrë biologjike, kimike apo fizike të gjenerimit të patogjeneve duke i bërë të dënuarit subjekte të ekspozimit ndaj sëmundjeve të ndryshme që origjinojnë nga sa më lart.

Pra prania e sendeve të tepërta në ambientet e qelive, është një element real mbi mundësinë e shfaqjes sё rreziqeve të lartpërmendura, gjë e cila shoqërohet me mbijetesën apo dhe shumimin e mikroorganizmave patogjenë, të papranueshme për organizmin duke prodhuar toksina të dëmshme për organizmin.

Mungesa e vëmendjes ndaj këtij niveli shumë të ulët të higjienës bëhet edhe më alarmante, kur kontrolli hijeno-sanitar i dhomave dhe i mjediseve të përbashkëta në qelitë e të dënuarve apo dhe të paraburgosurve prezumohet se" bëhet rregullisht nga personeli mjekësor dhe specialisti i regjimit të brendshëm".

Nga sa më sipër, të merren masa urgjente për

•             sensibilizimin e punonjësve por edhe të burgosurve për rrezikun e shëndetit për shkak të sendeve të tepërta dhe higjienës së ulët
•             të forcohet kontrolli për heqjen e sendeve të tepërta (veç sa më sipër prania e tyre ul sasinë e oksigjenit në qeli e duke shtuar edhe duhanpirjen në fakt i kthen të burgosurit në pacient)
•             të forcohet kontrolli i higjienës në dhoma duke përcaktuar kalendar kontrolli periodik
•             të forcohet zbatimi i kërkesave rregullatorë për sasitë e lejuara të ushqimit

Është e rëndësishme që të sqarohen dhe të burgosurit për domosdoshmërinë e marrjes së këtyre masave, të cilat - nëse sqarohen edhe ata – ndikojnë edhe në disiplinë dhe siguri. Të studiohet legjislacioni nëse ka rregullim për çfarë sendesh duhet të ketë në një qeli! Nëse nuk ka të ngrihet një grup pune brenda ditës së nesërme për të nxjerrë një akt të tillë. Gjithashtu për detyrat e lëna më sipër duhet një plan masash në të cilin të përcaktohen afatet. Është evidente që këto masa duhet të shoqërohen me ashpërsi më të madhe në drejtim të zbatimit të standardeve në kuzhina, magazina ushqimore dhe ambiente të tjera

G.M.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Loran shehu: 15/12/2019 17:04

    Ky paska rreshkitur fare po fare ama

    Përgjigju
    • Lika: 15/12/2019 23:03

      Kur te kercenojne me jete...tshofim a do jeshe burre ti kunderpergjigjesh krimit.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?