Ditën e sotme u zhvillua online një takim i Komitetit Kombëtar për Lehtësimin e Tregtisë. E pranishme në këtë mbledhje ka qenë edhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj. Në fjalën e saj ministrja u shpreh se gjatë 3 viteve ky komitet ka arritur të prodhojë rezultate konkrete në drejtim të lehtësimit të tregtisë.
"Rezultate si krijimi i portalit të dedikuar tregtia.gov.al, inventari i tarifave të procedurat e import/eksportit, kryerja për herë të parë e studimit mbi matjen e kohës së procedurave në kufi, miratimi i manualit “Informacioni Detyrues i Origjinës” dhe Informacioni Detyrues i Tarifës, krijimi i një strukture të dedikuar dhe centralizuar tek administrata Doganore për Vlerësimin e mallrave, si dhe funksionimin 24/24 i administratës doganore apo krijimi i pikës së përbashkët Morinë/Vërmicë”, renditi Denaj.
Ndërkohë, ministrja u shpreh më tej se, procedurat doganore janë lehtësuar, duke dhënë detaje për vitin 2020.
“Gjatë këtyre viteve indikatorë të rëndësishëm pozitivë janë realizuar në thjeshtimin dhe lehtësimin e procedurave doganore. Konkretisht, gjatë vitit 2020, edhe pse me një situatë të vështirë pandemie: u rrit 3.1% përqindja e kompanive që kalojnë në kanalin jeshil, u rrit me 4.1% përqindja e kompanive që kalojnë në kanalin blu, duke ulur me minus 1,1% kanalin e kuq dhe ulur me minus 6% kanalin e verdhë”, theksoi Denaj.
Pjesëmarrës në këtë takim ishin edhe Zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, Besart Kadia, Drejtori i Përgjithshëm i Doganës Gent Gazeli, si edhe përfaqësues të biznesit.
Komiteti është një grup pune këshillues dhe koordinues i kryesuar nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë, që ka si objektiv përmirësimin e procesit të politikës tregtare dhe lehtësimin e tregtisë, nëpërmjet dialogut mes përfaqësuesve të qeverisë, komunitetit të biznesit në Shqipëri dhe grupeve të tjerë të interesuara.