Durrës- Një plagosje e rëndë me thikë ka ndodhur pasditen e sotme në qytetin bregdetar të Durrësit.
Ka qenë një debat me motive të dobëta nga autori, që sipas policisë vendore vuan edhe nga probleme të shëndetit mendor, që çoi në agresionin me armë të ftohtë dhe goditjen disa herë të një 60-vjeçari të identifikuar si Vangjel Parangoni. I dëmtuari mësohet se ishte edhe pronari i një servisi mjetesh, që ndodhej në katin e parë të banesës së tij.
Krimi ndodhi në lagjen nr. 6, rruga “Kasëm Durrsi”, teksa R. Ll., rreth 45 vjeç, akuzohet se ka plagosur me thikë shtetasin V. P., rreth 60 vjeç. Policia tha se i dëmtuari u dërgua menjëherë në spital, ku dhe ndodhet në kujdesin e mjekëve.
Dëshmitarët treguan se dëgjuan thirrjet për ndihmë dhe ulërimat nga dhimbjet e 60-vjeçarit, duke i shkuar menjëherë për ndihmën e parë dhe dërgimin drejt spitalit, ku po i nënshtrohet edhe një operacioni kirurgjikal.
“Shërbimet e Policisë, pas marrjes së njoftimit, brenda pak minutash kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e shtetasit R. Ll., në Komisariat, për veprime të mëtejshme”, tha policia vendore.
Autori bëhet me dije se u lokalizua dhe kap pranë banesës së tij, rreth 300 metra larg vendit të ngjarjes. Policia tha se po vijon puna për hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes kriminale.