Migen Memelli, trajneri i Vllaznisë

'Klasikja' Vllaznia - Tirana luhet në Kukës, Migen Memelli: Kemi dy rikthime, bardheblutë janë skuadër e dashur për mua

6 Tetor 2023, 10:29| Përditesimi: 6 Tetor 2023, 10:34

  • Share

Vllaznia dhe Tirana luajnë nesër në 14:00 për javën e tetë në Superligë. Dueli nga "Loro Boriçi" është spostuar në stadiumin e Kukësit, kjo për shkak se në Shkodër kanë mbjellë barin e ri të fushës.

Përpara ndeshjes për mediet foli edhe Migen Memelli. Trajneri i Vllaznisë tha se Smajli dhe Hakaj janë dy rikthime pas dëmtimit, ndërsa nuk mundi mos shprehë konsideratën e tij për kundërshtarin.

"Ndeshja është e rëndësishme për ne. Do doja që sfida të luhej në Shkodër ose në Tiranë. Për shkak se kemi mbjellë barin e stadiumit "Loro Boriçi", ndeshja do spostohet në Kukës. Pritshmëria e terrenit nuk do jetë në atë nivel që duhet, por ne jemi të gatshëm për maksimumin. Vlen të theksohet se kemi dy rikthime nga dëmtimet, që ne po i vlerësojmë", tha fillimisht 43-vjeçari.

Më pas trajneri foli edhe për dy rikthimet që ka në grup dhe Tiranën si kundërshtar.

"Dy rikthimet do na japin oskigjen, për të bërë mirë në fushë. Smajli dhe Hakaj janë të rëndësishëm dhe me kualitet. Nuk duam të kemi më dëmtime për ta dhe do jemi të kujdesshëm.

Tirana si kundërshtar? Nuk di ta vlerësoj situatën e tyre, edhe ne kemi uri për fitore. Tirana është skuadër e dashur për mua, por problematikat e tyre nuk më interesojnë. Dua të bëj maksimumin te Vllaznia, për t'i parë gjërat me sportivitet. Të fokusohemi te vetja, më shumë se te kundërshtari. Sa i takon ndryshimit të trajnerit te bardheblutë, i uroj Shehit suksese kudo që të shkojë", tha Memelli.

Te Vllaznia duket se ka një çështje, me Redon Dragoshin që i është kërkuar largimi. Trajneri, i pyetur për këtë çështje tha se nuk ka informacion.

"Redon Dragoshit i kërkohet largimi? Nuk kam asnjë dijeni, do flas me klubin dhe do ju them. Sot do jetë në stërvitje. Tifozët? Klubi ka vendosur autobusë falas dhe na duhen në Kukës tifozët, janë një plus për ne", tha Memelli.

Pas gjashtë ndeshjeve, Tirana me 10 pikë mban vendin e katërt, ndërsa Vllaznia me nëntë pikë vendin e pestë. Shkodranët kanë luajtur një ndeshje më shumë se bardheblutë.

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?