Politikë

Klauzola/ Ardi Veliu nuk mund të rikthehet më kurrë në polici, por përfiton trajtim të veçantë, 2 vite nën ruajtje, makinë dhe përparësi në punësim

5 Tetor 2021, 18:10| Përditesimi: 5 Tetor 2021, 18:11

  • Share

Kreu i Policisë së Shtetit Ardi Veliu në mënyrë të befasishme ka vendosur të japë dorëheqjen nga detyra që i besuan rreth katër vite më parë ish ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, sigurisht me miratimin e kryeministrit Edi Rama. Dorëheqja e Veliut është pranua nga kryeministri Rama, i cili shprehu konsiderata për punën e tij. Kryeministri Rama, në reagimin e tij, përpos të tjerave tha se Veliu “ka akoma shumë për t'i dhënë shtetit në detyra të tjera”, duke nënkuptuar mundësinë e propozimit në një pozicion tjetër. Gjithsesi, me aktin e largimit, Ardi Veliu nuk mund të bëhet më pjesë e strukturave të policisë së shtetit.

Në vitin 2014, ku u miratua ligji i ri për policinë e shtetit, u vendos një pikë e veçantë, e cila ndalon rikthimin e drejtorit të policisë në detyra të tjera në polici, pas largimit nga detyra. Pika 4 e nenit 15 të ligjit të Policinë e Shtetit parashikon që “Drejtori i Policisë së Shtetit, pas përfundimit të afatit të qëndrimit në detyrë, nuk rikthehet në strukturat e Policisë së Shtetit. Në interes të shërbimit të rendit dhe sigurisë publike ai mund të kryejë funksione të tjera këshillimore ose pedagogjike. Pas përfundimit të mandatit, ish-Drejtori i Policisë së Shtetit gëzon trajtim të veçantë, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave”.

Por, nga ana tjetër, Ardi Veliu përfiton trajtim të veçantë pas largimit nga detyra e drejtorit të policisë. Më konkretisht, ish-Drejtori i Policisë do të ruhet fizikisht me shoqërues personal, për 2 vjet me radhë. Policia e Shtetit do të caktojë edhe një makinë, duke përcaktua edhe limitin e furnizimit me karburant.  Kur paraqiten rrethana që rrezikojnë jetën e tij dhe të familjes, ish drejtorit i sigurohen pjesëtarët e familjes dhe banesa, për aq kohë sa ekziston ky rrezik.

Ish-drejtori i Policisë së Shtetit, në rast sëmundjeje, brenda 2 viteve pas lirimit nga detyra, përfiton trajtim financiar nga shteti për kurim brenda apo jashtë vendit. Ish-drejtori i Policisë ka përparësi për emërimin në funksione këshillimore apo pedagogjike. Në interes të shërbimit të rendit e të sigurisë publike, Veliu mund të kryejë funksione të këshilltarit të personave që kryejnë funksione kushtetuese apo funksione të tjera këshillimore ose pedagogjike.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?