Kronikë

Vrasja e Kalasë/ KLGJ me plan masash për sigurinë: Punonjës sigurie të trajnuar ose policë! 10 godina të reja, na jepni pronësinë e çdo Gjykate

13 Tetor, 09:39| Përditesimi: 13 Tetor, 15:21

  • Share

TIRANË- Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas mbledhjes urgjente me 260 gjyqtarë, ka ngritur një grup pune dhe ka miratuar planin e masave për sigurinë në gjykata. Plani vjen pas alarmit që ngritën gjyqtarët për sigurinë në gjykata, pas vrasjes në sallën e gjyqit të gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja. Në një deklaratë të ndarë për mediat, KLGJ thotë se do të analizojnë masat e marra dhe kërkesat e drejtuara KLGJ-së nga secila gjykatë mbi sigurinë përgjatë viteve 2023-2025. Po ashtu, KLGJ thotë se do të analizojnë kushtet ekzistuese të sigurisë në gjykata dhe më pas do të adresojnë ndryshimet ligjore dhe nënligjore për marrjen e masave për garantimin e sigurisë në gjykata për gjyqtarët, personelin gjyqësor dhe çdo përdorues të gjykatës. 

Plani i hartuar nga KLGJ parashikon edhe miratimin e protokolleve dhe procedurave standarde të sigurisë për secilën gjykatë. Arrestimi i punonjësit të sigurisë në gjykatën e Apelit, pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja, pasi nuk lëvizi për të kontrolluar autorin Elvis Shkambi për armën, ka bërë që KLGJ të shtojë në shtojë në plan edhe një pikë ku thekson se për çdo gjykatë do të garantojë punonjës sigurie të trajnuar, ose policë të Policisë së Shtetit.  

Më tej, KLGJ thotë se do të kërkojnë ndihmë për ndërtimin e 8 godinave të reja të gjykatave të shkallës së parë në rrethet gjyqësore, si dhe ndërtimit të godinave të reja për Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Sipas planit të hartuar nga KLGJ, parashikohet që t’i kërkohet Ministrisë së Drejtësisë që godinat ekzistuese të gjykatave, si edhe ato që do të ndërtohen, të kalojnë në pronësi të KLGJ në kuadër të pavarësisë institucionale.

Në nder të kolegut të tyre që humbi jetën në sallën e gjyqit, KLGJ do të nisë procedurat për emërtimin e sallës së amfiteatrit te “Poli i Drejtësisë” me emrin “Astrit Kalaja”, ndërsa do të kërkojnë shpalljen e tij “Dëshmor i Atdheut”.

KLGJ thotë se do të ngrihet një grup ndërinstitucional pune, me përfaqësues nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, me qëllim hartimin e masave të përbashkëta për sigurinë në sistemin gjyqësor në tërësi.

Gjyqtari Kalaja u vra më 6 tetor në sallën e gjyqit, menjëherë sapo dha vendimin për një konflikt për çështje pronësie. Autori i vrasjes është 30-vjeçariElvis Shkambi, familja e të cilit ishte palë në një proces gjyqësor për një konflikt pronësie prej vitesh.

Deklarata e plotë e KLGJ

Këshilli i Lartë Gjyqësor, në mbledhjen e datës 10.10.2025, në vijim të përmbushjes së detyrimeve kushtetuese dhe ligjore, me qëllim adresimin e problematikave dhe nevojave të ngritura në takimin e zhvilluar nga gjyqtarët, vendosi të hartojë një plan masash që kanë të bëjnë me:

-Marrjen dhe analizimin e informacionit të detajuar, lidhur me masat e marra dhe kërkesat drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor nga secila gjykatë, nga Kryetari, Zëvendëskryetarët ose Këshillat e Gjykatës, gjatë viteve 2023, 2024, 2025, me objekt administrimin/menaxhimin e sigurisë në gjykatë;

-Marrjen e informacionit lidhur me kushtet ekzistuese të shërbimit dhe të infrastrukturës së sigurisë në gjykata, pajisjen me skanera, detektorë, kamera sigurie, pajisje të tjera sigurie, si dhe funksionimin e tyre, në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, me qëllim standardizimin e procedurave dhe trajnimin e personelit për menaxhimin e situatave që lidhen me sigurinë;

-Pas analizimit të informacionit të marrë dhe identifikimit të problematikave dhe nevojave konkrete, ngritjen e një grupi ndërinstitucional pune me qëllim:

i) adresimin e ndryshimeve ligjore dhe nënligjore për marrjen e masave për garantimin e sigurisë në gjykata për gjyqtarët, personelin gjyqësor dhe çdo përdorues të gjykatës;

ii) sigurimin e pranisë së punonjësve të sigurisë të trajnuar apo pjesë e Policisë së Shtetit;

iii) miratimin e protokolleve dhe procedurave standarde të sigurisë për secilën gjykatë;

-Ngritjen e një grupi ndërinstitucional pune, me përfaqësues nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, me qëllim hartimin e masave të përbashkëta për sigurinë në sistemin gjyqësor në tërësi;

-Përafrimin e kuadrit ligjor me praktikat më të mira ndërkombëtare, lidhur me sigurinë e gjyqtarëve, stafit mbështetës, si dhe përdoruesve të gjykatës;

-Duke mbajtur në vëmendje detyrimet ligjore dhe punën e nisur nga viti 2021 e në vijim, me qëllim sigurimin e një infrastrukture të përshtatshme për kushtet e punës dhe sigurisë në gjykata, në bashkërendim me këshillat e secilës gjykatë, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të marrë masa të menjëhershme lidhur me adresimin pranë pushtetit vendor dhe kërkimin e ndihmës për ndërtimin e 8 godinave të reja të gjykatave të shkallës së parë në rrethet gjyqësore, si dhe ndërtimit të godinave të reja për Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë;

-Gjithashtu Këshilli, nxit gjykatat që të marrin masa për zbatimin e projekteve, në mënyrë që fondet e akorduara të realizohen brenda vitit buxhetor;

-Në kuadër të pavarësisë institucionale, në bashkërendim me Ministrinë e Drejtësisë, të kërkojë kalimin në pronësi të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të godinave ekzistuese të gjykatave dhe atyre që do të ndërtohen;

-Analizën e të dhënave nga raportimet periodike të gjykatave, me qëllim rritjen e performancës dhe përkushtimit profesional dhe moral të secilit magjistrat;

-Ngritjen e grupeve të punës me qëllim hartimin e propozimeve për ndryshime ligjore në ligjin nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ligjin nr. 98/2016, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, të përbërë nga anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, gjyqtarë nga të tre shkallët e gjyqësorit, Gjykata e Lartë, Gjykatat e Apelit dhe Gjykatat e Shkallëve të Para, si dhe staf drejtues administrativ pranë Këshillit;

-Bashkëpunimin me AKEP dhe AMA, me qëllim marrjen e masave për ndalimin e gjuhës së papërshtatshme ndaj gjyqtarëve në rrjetet sociale, platformave online dhe media, informimin e këtyre institucioneve mbi situatën aktuale, si dhe duke kërkuar prej tyre marrjen e masave konkrete brenda kompetencave ligjore;

-Nisjen e procedurës për emërtimin e sallës së amfiteatrit në godinën “Poli i Drejtësisë” me emrin “Astrit Kalaja”, si dhe dërgimin e propozimit tek institucionet përkatëse, për dhënien e titullit “Dëshmor i Atdheut” gjyqtarit të rënë në krye të detyrës.

Këshilli i Lartë Gjyqësor mbetet i përkushtuar për garantimin e një sistemi drejtësie të sigurt, të pavarur dhe funksional, në shërbim të qytetarëve dhe shtetit të së drejtës.

SI.E./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Pelo Picari: 13/10/2025 12:27

    Klta akoma nuk kan kuptuar që drejtësia është zbatimi ligjit e jo SARAJET si ato që i ç'nderuari Zogë ndërtoj për vehte.Qeveria fi ndëroj FYELLIN njërzve të (Ç)drejtësis.

    Përgjigju
  • Tutu: 13/10/2025 11:37

    Ne nje vrime i bien kavallit keta… zbatoni ligjet… jini te drejte e te ndershem… hiqni dore nga shitblerja e drejtesise dhe do shikoni qe nuk kini nevoje as per police dhe as per godina te reja … vetem respekti do tu ndjeke.. ndaj d vendosni gishtin ne plage si duhet…!!

    Përgjigju
  • Mara emigrante ne Itali: 13/10/2025 10:16

    Nje gjykates , prokuror i ndershem po nuk shkeli ligjin punon edhe ne nje kasolle dhe nuk e gjen gje , por fiton respektin e popullit ju qe e keni zhvatur , dhe e keni çuar popullin ne vella vrasje nuk meritoni as gje , vetem te zhdukeni nga drejtesia .Ju jeni shkaktaret e prishjes se reformes ne drejtesi .

    Përgjigju
    • Turi: 13/10/2025 12:08

      Po per te shtuar gjyqtare qe populli te mos prese 15 vjet per te perfunduar nje gjyq kur do ja kerkojne qeverise kta apo vetem per veten e tyre mendojne?

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria ndaloi përdorimin e monopatinave, si ju duket vendimi?