Antonela Prendi, gjyqtare

Kronikë

KLGJ refuzon kërkesën e ILD për ndëshkimin e gjyqtares Antonela Prendi/ Dha 21 vendime me vonesë, një prej tyre 2 vite e 4 muaj

4 Qershor, 14:57| Përditesimi: 4 Qershor, 15:00

  • Share

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka refuzuar në mbledhjen e sotme kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vendosjen e masës disiplinore “Vërejtje publike” ndaj gjyqtares Antonela Prendi, e cila ushtron detyrën në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Sipas ILD-së, gjyqtarja Prendi ka shkelur afatin e arsyeshëm për dorëzimin e vendimeve të arsyetuara në 21 raste, përfshirë edhe një rast me vonesë ekstreme prej 2 vjetësh e 4 muajsh.

Hetimi disiplinor ndaj saj u ndërmor pas një inspektimi mbi procedurën e shpalljes dhe arsyetimit të vendimeve gjyqësore në gjykatat e Tiranës gjatë periudhës 1 shtator -30 dhjetor 2022.

Në raport ILD vlerësoi se vonesat e konstatuara nuk justifikohen nga arsye personale apo shëndetësore dhe se sjellja e gjyqtares përbënte një ‘shkelje të lehtë’ disiplinore për shkak të pakujdesisë dhe neglizhencës.

Sipas ILD-së, këto vonesa kanë ndikuar negativisht në figurën e gjyqtarit dhe kanë cënuar besimin e publikut tek drejtësia, aq më tepër kur bëhet fjalë për një gjyqtare me mbi 19 vite eksperiencë në sistem.

Megjithatë, KLGJ vendosi të mos e miratojë kërkesën për ndëshkimin disiplinor të gjyqtares Prendi.

Sipas mbrojtjes së gjyqtares Prendi, janë vetëm tre vendime për të cilat ILD pretendon se janë tej afatit të arsyeshëm, të cilat nuk përbëjnë shkak për caktim të ndonjë mase disiplinore. Po ashtu u soll në vëmendje ngarkesa e madhe në punë dhe vonesat u cilësuan si gabime njerëzore prej mbrojtjes.

Njoftimi i ILD-së: 

Këshilli i Lartë Gjyqësor rrëzoi në mbledhjen e sotme kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedim disiplinor me masën “Vërejtje publike” ndaj magjistrates A.P., gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për mosrespektim të afatit të arsyeshëm të dorëzimit të vendimit të arsyetuar.

ILD ka nisur hetimin me iniciativë ndaj gjyqtares, bazuar në konstatimet e raportit të inspektimit tematik të ILD-së, “Mbi procedurën e shpalljes dhe arsyetimit të vendimeve gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksioni i Përgjithshëm Tiranë (Dhoma Civile) dhe Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë”, për vendimet përfundimtare të dhëna nga këto gjykata për periudhën 01.09.2022 – 30.12.2022. Pas analizës rast pas rasti, nga ky inspektim rezultoi se  në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, 89 % e vendimeve janë dorëzuar brenda afatit 120 ditor. Ky afat është vlerësuar si koha e arsyeshme, që i nevojitet gjyqtarit/gjykatës të dorëzojë vendimin përfundimtar të arsyetuar, pasi vetëm ky afat mund të bëjë dallimin dhe të shërbejë si një kohë e arsyeshme në situatën konkrete të ngarkesës, organikës dhe numrit të magjistratëve, apo tipologjisë së çështjeve të gjykuara, mes nevojës për të arsyetuar dhe dorëzuar të gjitha vendimet gjyqësore sipas afatit të parashikuar në nenin 308 të Kodit të Procedurës Civile dhe mundësisë e kapaciteteve aktuale të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për të respektuar këtë afat.

Inspektimi pasoi me fillimin e verifikimeve për gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për vendimet e shpallura e të dorëzuara të arsyetuara në sekretari pas 120 ditëve nga shpallja.

Hetimi disiplinor ndaj gjyqtares A.P. për mosrespektim të afatit të arsyeshëm të dorëzimit të vendimit të arsyetuar, përfshinte 21 vendime të dorëzuara me vonesë. Për vonesën 2 vite e 4 muaj ILD ka kërkuar procedim, ndërsa për vonesat e tjera, ILD ka mbyllur hetimin dhe ka dërguar materialet në KLGJ për vlerësim profesional të magjistrates.

Hetimi konstatoi kryerjen e shkeljes disiplinore nga ana e magjistrates me pakujdesi në formë neglizhence; vonesat e evidentuara për një kohë të gjatë në arsyetimin e tre vendimeve gjyqësore; vonesat në arsyetimin e vendimeve gjyqësore nuk justifikohen nga shkaqe të arsyeshme personale, shëndetësore, familjare, pavarësisht se ato janë të lidhura direkt me magjistraten. Si pasojë e mosveprimit të gjyqtares është cenuar prestigji i figurës së gjyqtarit, si dhe është cenuar besimi i publikut të drejtësia, kjo edhe në kushtet kur  magjistratja ka një vjetërsi në detyrë prej mbi 19 vitesh si gjyqtare, tregues ky i njohjes shumë të mirë të saj mbi rolin e ushtrimit të detyrës me etikë dhe disiplinë të magjistratit.

Gjatë hetimit, ILD konsideroi si rrethana lehtësuese, mospasjen nga magjistratja të ndonjë mase disiplinore dhe sjelljen bashkëpunuese gjatë hetimit disiplinor, duke konkluduar se veprimet/mosveprimet e gjyqtares A.P., përbëjnë “Shkelje të lehtë” disiplinore e duke i propozuar Këshillit të Lartë Gjyqësor masën disiplinore “Vërejtje publike”, për gjyqtaren A.P., parashikuar nga neni 105, pika 1, shkronja “b”, ndarja “i” dhe neni 107 i ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Në seancën e sotme, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi rrëzimin e kërkesës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

H.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin për rinumërimin e kutive të Qarkut Tiranë?