Klima e biznesit në Shqipëri, raporti i DASH: Investitorët e perceptojnë si ambient jo miqësor! Problem korrupsioni, konkurrenca dhe pronat

5 Gusht 2022, 16:12| Përditesimi: 5 Gusht 2022, 16:20

  • Share

Shqipëria ka një legjislacion shumë të mirë për biznesin por perceptimi i të huajve nuk është ai që duhet. Ata radhisin problemet me korrupsionin, sidomos atë në drejtësi, çështjet e pronësisë por edhe konkurrencën e pabarabartë si problematike kryesore.

Kështu thuhet në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e biznesit në Shqipëri. DASH thotë se kuadri ligjor i Shqipërisë është në përputhje me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen dhe inkurajimin e investimeve të huaja dhe nuk diskriminon investitorët e huaj.

“Ligji për Investimet e Huaja i vitit 1993 përshkruan mbrojtje specifike për investitorët e huaj dhe lejon pronësinë e huaj 100 për qind të kompanive në të gjithë sektorët, përveç disa sektorëve. Traktati i Investimeve Dypalëshe SHBA-Shqipëri, i cili hyri në fuqi në 1998, siguron që investitorët amerikanë të marrin trajtim kombëtar dhe trajtim të kombit më të favorizuar. Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara nënshkruan një Memorandum të Bashkëpunimit Ekonomik në tetor 2020 me qëllim rritjen e tregtisë dhe investimeve mes dy vendeve. Që nga nënshkrimi, kompani të shumta amerikane kanë nënshkruar marrëveshje për projekte madhore në vend”, thuhet në raport.

DASH thotë se pavarësisht një kuadri ligjor të shëndoshë, investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes. Ata përmendin korrupsionin endemik, përfshirë në gjyqësor dhe prokurimet publike, konkurrencën e pandershme, ekonominë informale, ndryshimet e shpeshta të legjislacionit fiskal dhe zbatimin e dobët të kontratave si sfida të vazhdueshme për investimet dhe biznesin në Shqipëri.

“Raportimet për korrupsion në prokurimet qeveritare janë të zakonshme. Përdorimi i vazhdueshëm i kontratave të partneritetit publik privat (PPP) ka reduktuar mundësitë për konkurrencë, duke përfshirë investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme. Investitorët amerikanë sfidohen nga korrupsioni dhe përjetësimi i praktikave joformale të biznesit. Disa investitorë amerikanë janë përballur me mosmarrëveshje tregtare të diskutueshme me entitete publike dhe private, duke përfshirë disa që shkuan në arbitrazh ndërkombëtar. Në vitin 2019 dhe 2020, tentativa për investim të një kompanie amerikane dyshohet se u pengua nga disa vendime gjyqësore dhe veprime të dyshimta të palëve të interesuara të përfshira në një mosmarrëveshje mbi investimin. Çështja tani është në arbitrazh ndërkombëtar. Të drejtat e pronësisë vazhdojnë të jenë një sfidë në Shqipëri, sepse një titull i qartë është i vështirë për t'u marrë. Ka pasur raste të individëve që dyshohet se kanë manipuluar sistemin gjyqësor për të marrë tituj të paligjshëm të tokës. Mbivendosja e titujve të pronësisë është një çështje serioze dhe e zakonshme. Procesi i kompensimit për tokat e konfiskuara nga ish-regjimi komunist vazhdon të jetë i rëndë”, thuhet në raport.

Departamenti i Shtetit nënvizon se si një vend në zhvillim, Shqipëria ofron potencial të madh të pashfrytëzuar për investime të huaja në shumë sektorë duke përfshirë energjinë, turizmin, kujdesin shëndetësor, bujqësinë, naftën dhe minierat, dhe teknologjinë e informacionit dhe komunikimit (TIK).

“Në dekadën e fundit, Shqipëria ka qenë në gjendje të tërheqë nivele më të mëdha të investimeve të huaja direkte (IHD). Sipas të dhënave të UNCTAD-it, gjatë periudhës 2010-2020, fluksi i investimeve ka qenë mesatarisht 1.1 miliardë dollarë dhe stoku i tyre në fund të vitit 2020 arriti në 10 miliardë dollarë ose trefishi i vitit 2010. Sipas të dhënave paraprake të Bankës së Shqipërisë IHD-të fluksi në vitin 2021 pritet të arrijë në 1 miliardë dollarë.

Investimet janë të përqendruara në industritë nxjerrëse dhe përpunuese, pasuritë e paluajtshme, sektorin e energjisë, bankat dhe sigurimet, dhe teknologjinë e informacionit dhe komunikimit. Zvicra, Holanda, Kanadaja, Italia, Turqia, Austria, Bullgaria dhe Franca janë burimet më të mëdha të IHD-ve. Stoku i IHD-ve nga Shtetet e Bashkuara zë një peshë të vogël, por në rritje të shpejtë. Në fund të tremujorit të tretë 2021, stoku i IHD-ve të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri arriti në 168 milionë dollarë, nga 99 milionë dollarë në fund të vitit 2020, me një rritje gati 70 për qind”, vijon DASH.

Në përmbledhjen e raportit thuhet se Shqipëria është një vend me të ardhura të larta mesatare, me një prodhim të brendshëm bruto (PBB) prej 16.77 miliardë dollarë sipas vlerësimit të FMN-së 2021

“Në vitin 2020, ekonomia u tkurr me 4 për qind në kulmin e COVID-19 dhe në vitin 2021 u rikufizua me një normë rritjeje prej 8.7 për qind. Rritja u nxit nga ndërtimi, lehtësimi i kufizimeve të lidhura me pandeminë, rimëkëmbja e sektorit të turizmit, rritja e sektorit të pasurive të paluajtshme, prodhimi vendas i energjisë elektrike dhe mbështetja e vazhdueshme e politikave buxhetore, monetare dhe fiskale, duke përfshirë mbështetjen e FMN-së dhe BE-së lidhur me pandeminë dhe tërmetet. Projeksioni fillestar i rritjes për vitin 2022 ishte 4.1 për qind, pavarësisht pasigurive të lidhura me pandeminë, deficitet e larta fiskale dhe borxhin publik, si dhe presionet e jashtme dhe të brendshme inflacioniste. Megjithatë, pasiguritë për shkak të pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, rritjes së çmimeve të energjisë dhe presioneve inflacioniste, së bashku me hapësirën e kufizuar për manovrim fiskal për shkak të borxhit të lartë publik që kaloi 80 për qind në fund të 2021, paraqesin sfida për ekonominë shqiptare”.

Lajmi do të përditësohet... 

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?