Foto ilustruese

Ekonomi

Klima ‘kërcënim’ për bujqësinë e blegtorinë! Prodhimi bujqësor mund të tkurret deri 23%, racat e bagëtive rrezikojnë zhdukjen

2 Shtator, 16:05| Përditesimi: 2 Shtator, 16:09

  • Share

Më pak prodhim bujqësor, kufizim të mundësive për vaditje por edhe përmbytje që përsëriten shpesh. Këto rreziqe i kanosen ekonomisë shqiptare, vetëm si rezultat i ndryshimeve klimatike.

Në raportin vjetor të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit thuhet se rendimenti i prodhimit për kulturat bujqësore mund të tkurret deri në 23% tek kultura e rrushit, ndërsa tek gruri deri në 5%.

“Ndryshimet e ardhshme klimatike në Shqipëri pritet të kenë efekte të konsiderueshme në prodhimin e kulturave bujqësore. Veçanërisht në zonat fushore, parashikohet që rendimenti i misrit të ulet me 17% dhe rendimenti i domateve dhe shalqirit të bjerë me 6-11%. Në zonat bujqësore me mundësi të kufizuara vaditjeje ose me mungesë të plotë vaditjeje, pritet që rendimenti i jonxhës të ulet me 6%, rendimenti i rrushit me 17-23%, rendimenti i ullinjve me 11- 20%, ndërsa rendimenti i grurit pritet të rritet me 4-5%”, thuhet në raport.

Në sektorin e bujqësisë rreziqet kryesore që mund të vijnë prej klimës përveç uljes së prodhimit, është edhe mungesa e ujit për vaditje apo shtimi i insekteve të dëmshme.

“Nëse analizojmë strukturën e prodhimit gjatë dhjetë viteve të fundit, do të konstatojmë se sipërfaqja e kultivuar me grurë është ulur me rreth 22%, ndërsa prodhimi ka rënë me 13%”, vijon raporti.

Por jo vetëm thatësira, por këto ndryshime drastike mund të sjellin edhe përmbytje.

“Përmbytje masive, çdo 3-4 vjet (përmbytjet kanë shkaktuar humbjen e rreth 10 000 ha grurë, 15 000 ha foragjere, 1000 ha pemë frutore dhe mbi 1500 ha vreshta). Dëmtimi më i madh ka ndodhur në verilindje (rajonet e Shkodrës dhe Lezhës”, thotë Agjencia Kombëtare e Mjedisit.

Edhe tek blegtori ndikimi nga ndryshimeve klimatike do të jetë i ndjeshëm duke ndikuar direkt në uljen e prodhimit blegtoral, në riprodhimin, shëndetin dhe vdekshmërinë e kafshëve si pasojë e rritjes së temperaturave, si dhe të shpeshtësisë dhe intensitetit të valëve të të nxehtit.

Po në këtë raport thuhet se nga thatësirat rrezikohet edhe zhdukja e racave të bagëtive.

“Racat lokale dhe ato të rralla mund të zhduken si rezultat i ndikimit të ndryshimeve klimatike dhe epidemive të sëmundjeve. Shumica e bagëtive të imëta, deleve dhe dhive, janë raca lokale shqiptare të rritura kryesisht në sistemin e kullotjes dhe do të jenë më të cenueshme nga ndryshimet klimatike në Shqipëri. Nga dhjetë raca të deleve, tre prej tyre rrezikojnë të zhduken dhe nga 17 raca të dhive, 10 prej tyre rrezikojnë të zhduken. Ndryshimet klimatike do të ndikojnë negativisht në nivelin e tyre të rrezikut”, thuhet në raport.

Një vit më parë në një raport dedikuar ndryshimeve klimatike Banka Botërore kërkonte të merreshin masa në mënyrë që të mos rrezikohej ekonomia shqiptare. Sipas Bankës përmbytjet, thatësirat dhe stresi i nxehtësisë mund t’i shkaktojnë humbje ekonomisë së vendit sa 15.7% e PBB-së deri në 2050.

Po referuar raportit të Bankës Botërore, Shqipëria duhet të investojë 6 miliardë euro për tu përshtatur me ndryshime klimatike dhe investimet duhet të kenë në fokus mbrojtjen e popujve dhe pasurive të tyre nga ndikimet dëmtuese dhe në përshkallëzim të ndryshimeve klimatike, si rezultat i temperaturave ekstreme.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha vijon të sulmojë drejtësinë, KLGJ nuk reagon: A ka dy standarde?