“Non voglio vivere, non voglio vivere…”. Gruaja që e shqipton këtë frazë, me revoltë, në derën e një prej kasolleve të internimit, në Gradisht, në vitin 1992 para një kamera të televizionit gjerman, quhet Klora Merlika. Ajo së bashku me të shoqin, Fatos Merlika, djalin e ish-kryeministrit Mustafa Kruja-Merlika, jetonin ende në barakën e tyre të internimit, edhe pse diktatura kishte rënë. Prej 47 vjetësh në internim!
Video e xhiruar 26 vjet më parë është publikuar para disa muajve. Ajo na kujton se pak gjëra kanë ndryshuar në atë fshat internimi edhe pas afro 26 vjetëve, kur Klora ka vendosur të rikthehet edhe njëherë në barakën e saj të internimit. Këtë herë për të xhiruar një intervistë vërtet të rrallë.
Ajo është një dëshmitare e dorës së së parë sa i takon vuajtjeve në kampet e internimit në Shqipëri. Pjesën më vitale të jetës së saj e kaloi në internim. Shkoi fëmijë, vuajti urinë në kampet e para të përqendrimit: Berat, Kuçovë, Turan, Tepelenë, Fabrika e Tullave, Savër, u martua, e më tej kaloi vitet më të bukura me burrin që deshi, në një kasolle të mjerë në Gradisht, prej nga u largua vetëm pas vitit 1992.
Është një ditë e ngrohtë pranvere. Klora ka humbur bashkëshortin e saj prej pak vitesh. Po rikthehet tek barraka e tyre e vetme. Ajo ka hedhur krahëve një shall dhe çapitet rrugiçës së ngushtë mes kallamishtave drejt portës së barrakës së saj. Në atë barrakë, tashmë jetojnë banorë të rinj, zbritur nga malësitë e Kukësit.
Ata sa na shohin dhe mësojnë qëllimin e vizitës tonë, na urojnë punë të mbarë dhe na lënë vetëm. Klora afrohet pranë portës së kaltër dhe na tregon se nga ajo derë ka hyrë e ka dalë mijëra ditë të jetës së saj në internim. Mbi derë një dallëndyshe ka ngritur folenë. Zogjtë e vegjël të saj çiçërijnë pa pushim. Klora merr një stol të vogël të drunjtë dhe nis të rrëfejë ngadalë jetën e saj të pazakontë.
Këtu është sektori i Gradishtës, ku për herë të parë kanë banuar njerëzit që kanë ardhur të internuar në këtë sektor. Nga familjet e para që kanë ardhur në këtë sektor, ka qenë familja Merlika, edhe shumë familje të tjera: Kaloshi, Pervizi, Mirakaj. Ka pasur edhe familje të tjera. Këtu kemi pasur një fqinjë që ka ardhur shumë kohë pas nesh. Unë fillimisht kam ardhur kur ka qenë një barake e keqe. Janë bërë më mbrapa këto barakat. Madje, këtë pjesë e kishim ne dhe kur e prunë atë në internim, na e morën neve dhe ia dhanë asaj gruas këtë pjesën. Ajo ka qenë një grua që më përpara kishte qenë në shërbim të regjimit e më pas nuk e di se çfarë i ndodhi të shoqit, humbi, nuk u mor vesh se ku shkoi. Ia sollën në internim familjen. Atë e kam pasur gjithmonë si vëzhguese. Gjithmonë na vështronte se çfarë bënim, kush na vinte. Megjithatë, unë nuk kam pasur asnjëherë probleme me këtë familje sepse kam parë punën time.
Në Gradishtë kam ndenjur 32 vjet. Vajzën e kam lindur në një barakë më të keqe se kjo. Kur jam martuar me burrin tim, për një javë, çfarë binte jashtë hynte brenda. Jemi mbledhur burrë e grua në një qoshe të dhomës. Rrobat i kam mbuluar me mushamanë që kishim për punë, në mes të shtratit që të mos na lageshin. Ky ka qenë muaji i mjaltit i martesës sonë. Kam shumë gjëra për të thënë, por në një intervistë të vetme nuk mundem t’i them të gjitha, sepse në intervistë thuhen gjërat kryesore.
Në këtë sektor barakat janë ndërtuar pas 5-6 viteve të ardhjes sime këtu. Uji vinte me qerre dhe ne e merrnim me enë, me gjyma. Uji ishte me raçion. Çezmat janë ndërtuar edhe ato pas 5-6 viteve. Për të larë e shpëlarë rrobat përdornim gropat e kënetës. Me ujin që laheshin rosat gjithë ditën nëpër gropat e kënetës, kam larë vajzën. E zieja në darkë nga frika se mos më infektohej vajza dhe në mëngjes, pasi kishte kulluar, e ngrohja dhe e laja vajzën. Pastaj pas 5-6 viteve u ndërtua një çezmë në mes të sektorit. Por edhe aty gjithnjë do të mbanim radhën me kazanë e me enë të tjera. Kishte shumë radhë sepse sektori u shtua me shumë njerëz të tjerë të internuar. Patën sjellë edhe ata që quheshin revizionistë, si Xhemal Broja, Shefqet Sela, Gjergj Ndoja. Këta kishin qenë me regjimin dhe pastaj regjimi nuk i pëlqeu më dhe i internoi.
Klora Merlika
Si filloi internimi juaj?
Historia ime është e gjatë se kam kaluar që nga viti 1945 e deri në vitin 1992 nëpër kampet e internimit. Si fillim na kanë marrë në Shkodër dhe na futën në burg, në një shtëpi që e kishin zaptuar dhe e quanin si burg për familjet. Aty kanë ardhur shumë familje, jo vetëm familja jonë. Ka qenë familja e Gjon Marka Gjonit, familja e Llesh Marashit, ka qenë Elena Luli nga familja e Ded Gjo Lulit, halla ime njëkohësisht, ka qenë familja e Nik Sokolit, Luçie Mala, Merjeme Ulqini.
Të gjithë kemi qenë në atë shtëpi, të mbledhur. Pas 6 javëve na morën e na çuan në Berat. Por gjatë kohës që kemi qëndruar aty në burg, kemi ngrënë nga gjella që kishin për ushtrinë se shtëpinë e Gjon Marka Gjonit që e kishim përballë, e kishin bërë shtëpi ushtarake. Dhe na sillnin nga gjella që gatuhej për ushtarët e brigadave. Nga shtëpia nuk na lanë që të merrnin asgjë, vetëm një batanije të madhe ku ishim ulur të gjithë ne fëmijët e gratë. Kemi marrë gjithashtu një sahan çingoje dhe asgjë tjetër, përveç rrobave të trupit. Na sollën groshë dhe bukë misri.
Pastaj kur na çuan në Berat, pas 6 javëve, na lanë në bregun e Osumit, në mes të natës. Në mëngjes filloi të frynte një erë e madhe. Na u mbushën sytë e goja me rërë. Filluan të protestonin nënat tona. Na çuan në një oborr dhe pastaj na shpërndanë nëpër shtëpitë e Beratit. Për Beratin kam kujtime shumë të mira se beratasit na kanë ndihmuar shumë, na kanë dashur, na kanë afruar shumë miqësi dhe ndihmë. Për këtë ne nuk na lanë në ato lagje, na lëvizën, sepse e panë që njerëzit po na përkrahnin. Në fillim zumë vend në lagjen “Murat Çelepije”, pastaj na çuan në “Kala”, nga “Kalaja” na zbritën prapë në “Mangalem”, nga “Mangalemi” në “Prroj”, në “Vakëf”, d.m.th. na lëviznin çdo 5-6 muaj kur shihnin se na mbronin njerëzit e lagjes ku ishim. Gjithashtu edhe tregtarët e Beratit na kanë ndihmuar, na jepnin nga malli i tyre.
Nga Berati na çuan në Tepelenë. Në Tepelenë na çuan nga Përmeti, nga Këlçyra. Një shofer i ka thënë komandantit të kampit: “Në makinën time mos ngarko njerëz sepse i kam frenat shumë të dobëta, e kam frikë se bie”. Komandanti i tha: “Ç’ke ti. Po e pe keq, ti hidhu nga makina, një makinë me më pak reaksionarë për neve, s’ka gjë”. Kjo ishte shumë e dhimbshme, shumë e trishtueshme sepse për ata nuk kishte vlerë jeta e njerëzve që ishin në atë makinë. Aty vdiqën një çift, burrë e grua, nga Petrela e Tiranës dhe mbetën jetimë tre fëmijët e tyre, të çilët i kthyen në Tiranë te tezja e tyre.
Si e kujton Tepelenën?
Çfarë të të them më parë për Tepelenën. Ishte si Holokausti i Gjermanisë, për mua, që isha fëmijë dhe e mbaj mend mirë. Fillimisht na kanë zbritur në Turan, te kazermat dhe varret italiane. Madje si dënim, nusen e xhaxhait tim e çuan të banonte në pjesën e banjës që kishte kazerma. E pastroi mirë e mirë dhe shtroi ça letra e ça kartonë që gjeti aty. Më vonë na transferuan nga Turani në kazermat poshtë kalasë, në Veliqjot. Në Turan ndodhi një gjë shumë e tmerrshme: brenda 24 orëve vdiqën mbi 20 fëmijë, nuk e mbaj mend numrin e saktë. Midis tyre ishin edhe dy binjakë. Edhe tani më vjen për të qarë kur e kujtoj nënën e tyre, e çila mbeti vetëm me një vajzë, nga 12 fëmijë që kishte dhe dy binjakët i vdiqën njëri pas tjetrit. Ishin si dy engjëj.
Kur shkuam nga Turani në Veliqjot, kazermat u mbushën me shumë njerëz sepse erdhën edhe nga Mirdita. Kur u vra Bardhok Biba, u mbush kampi me mirditorë. Nuk e them dot se sa fukarenj ishin. Vendi ishte i tmerrshëm, i rrethuar me tela. Ndoshta do t’ju duket çudi kjo që po them, por atje njerëzit vdisnin çdo ditë, dhe ngaqë ishte ftohtë e trupi nuk dekompozohej shpejt, të tjerët nuk tregonin 2-3 ditë që të merrnin raçionin e bukës. Kishte të tjerë që nga uria, shkonin te vendi ku laheshin kazanët e gatimit dhe mblidhnin mbeturinat që gjenin. Kishte të tjerë që e mbaronin raçionin e bukës gjatë rrugës nga furra deri te kazerma dhe pastaj pinin atë lëngun që merrnin nga kazani. Me këtë ushqim jetonin për 24 orë. Raçioni i bukës për ata që nuk punonin ishte 400 gramë, ndërsa për ata që punonin ishte 600 gramë bukë. Në dimër hanim bukë misri dhe në verë bukë gruri. Në punë i nxirrnin të gjitha gratë. Ne që ishim në shkollë, na çonin për të mbajtur dru pasdite, kur vinim nga shkolla. Drutë përdoreshin për të zier kazanët me gjellë. Kurse gratë që ishin punëtore të rregullta, shkonin në Turan. Kur mbarova shkollën 15 vjeçe, edhe unë u bëra punëtore. Mbanim 0,5 m3 me dru nga Turani deri në xhadenë e makinës. Nëse nuk kishim mundësi që ta mbanim këtë sasi drush brenda një udhëtimi, duhej të ngjiteshim për të dytën herë në mal. Ndonjëherë i thoshim poliçëve që nuk i mbanim dot, ndërsa ata merrnin drurin më të trashë dhe ta ngarkonin sipër të tjerëve. Drutë ishin të njomë, të sapo prerë. Kishte raste që edhe rrëzoheshim.
Kam shumë gjëra për të treguar për Tepelenën. Mbaj mend se gjyshen time e kemi zhvarrosur tri herë. 6 javë pasi vdiq gjyshja, na detyruan ta hiqnim nga varri ku e varrosëm, për ta çuar në një vend tjetër, tek ura e Veliqjotit. Por aty ku ndodheshin varrezat kalonin delegaçione të huaja, autobusë me njerëz dhe i shikonin. Kështu që pas një muaji e gjysmë e zhvarrosëm gjyshen përsëri sepse u zhvendosën varrezat në breg të Veliqjotit. Megjithëse gjyshja na e la amanet që eshtrat t’ia çonim në vendin e saj, nuk patëm asnjë mundësi për ta bërë këtë. Sot ato janë të humbura. Më kujtohet që Evgjeni, djali i kunatit tim ishte i vogël dhe jashtë telave gjuajti me gur një derr. E mbajtën 24 orë në biruçë megjithëse ishte i vogël dhe qante nga frika. Gjyshja e tij, vjehrra ime, rrinte te dera nga jashtë dhe i fliste të nipit. Më vonë kampi i Tepelenës filloi të prishej. Ishte bërë shumë famëkeq.
Ju qëndruat në tepenënë derisa u mbyll kampi?
Para se të prishej kampi, neve na patën çuar të punonim në fabrikën e tullave nr. 1 në Bregun e Lumit – Tiranë. Atje ndenjëm rreth një vit e ça muaj.
Si ishte jeta atje. Po aq e vështirë sa në kampin e Tepelenës?
Punonim gjatë kohës që mund të thaheshin tullat. Kur nuk kishte mundësi që të thaheshin tullat, pra kur fillonin ngriçat, lanim zhavorrin me sita te lumi. Prej akullit na ngjiteshin gurët nëpër këmbë sepse nuk kishin çizme. Hanim gjellë kazani. Në mëngjes kishim çaj, në drekë bollgur me krimba. Hiqnim disa krimba me majën e lugës, pastaj mbyllnim sytë dhe e hanim. Në kampin e Tepelenës, kazanët ku gatuhej gjella për ne, kishin qenë fuçia nafte. I kishin prerë përgjysmë dhe i kishin vënë dy vegjë. Orizi nga i bardhë bëhej gri dhe ne e hanim, s’kishim mundësi tjetër. Ndryshe do të vdisnim.
Pastaj jeta vijoi në Savër e Gradisht, kështu..?
Kampin e Tepelenës e prishën. U mbyll fabrika e tullave dhe neve na çuan në Gjaz e pastaj në Savër. Atje u bashkova me nënën time, me vëllanë, me motrën. Ata ishin në Tepelenë dhe erdhën në Savër. Kur isha në kampet e punës flija me një shoqen time, Lul Bibja, se nuk kishim dyshekë ku të flinim. E kisha si motër.
Në vitin 1958 u fejova me djalin e Mustafa Krujës, Fatos Merlika. Kam ardhur nuse në Gradishtë. Nuse i thënçin, se Gradishta ishte në mes të kënetës, ku as makina nuk hynte se nuk kishte rrugë. Atje ku mbaronte rruga e makinës më sollën një karroçë, e çila mbeti në mes të baltës. U detyrua burri im dhe shoqëruesi i tij, që ishte Bardh Kupi, djali i Abaz Kupit, ta shtynin karroçën me duar. U detyrova edhe unë që të vishja çizmet e të ndihmoja krushkën që kisha me vete, që ishte italiane.
Kur hymë në sektor filluan të këndonin: “Sa bukur ka dalë nusja”. Ishte për të qarë e për të qeshur se nusja ishte veshur me çizme e me baltë. Kështu nisi jeta ime në Gradishtë. Pas një viti e gjysmë linda vajzën. Kam jetuar në sektorin e Gradishtës 32 vjet. Jam larguar prej andej në vitin 1992. Evgjeni ishte larguar familjarisht për në Itali, sepse pati mundësi meqë e kishte nënën italiane. Ne na ndihmoi djali i një kushërirës se po të mos ishte ai, ndoshta do të kishim mbetur ende në këtë shtëpinë këtu.
Si ishte një ditë pune në Gradishtë?
Puna në Gradishtë ishte punë bujqësore, hapje kanalesh, prashitje. Kur nuk kishte punë në fermë, na çonin në kodrat e Lushnjës ku hapnim gropa për mbjelljen e ullinjve, të bajameve etj. Norma ishte 9 m3. Kam punuar me shumë forcë se nuk kisha fuqinë e duhur për atë lloj pune dhe tani dorën e kam ende të mpirë sepse më është dëmtuar nervi i krahut. Kishte raste në kohë fushatash, që na dërgonin natën për të korrur e për të lidhur grurin, për të mbledhur bimë bujqësore.
Puna ishte mjaft e vështirë, në diell, pa hije e pa ujë. Merrnim nga një bidon me ujë me vete por ai ngrihej shumë. Shpeshherë hapnim gropa dhe fusnim bidonët që të rrinte uji pak i freskët. Shumë vështirësi kishte. Punonim të dy burrë e grua për të mbajtur familjen. Jemi munduar që vajzën ta rrisnim ndryshe nga ne, që na kishte munguar ushqimi. Me sakrifiça, por nuk i ka munguar ushqimi. Shpeshherë burrin tim nuk e paguanin si shokët e tjerë edhe pse bënin të njëjtën punë. I thoshin: “Prish një herë ato paratë që të ka lënë babai, pastaj merr rrogën këtu”. Një herë unë protestova sepse për të njëjtën punë me të tjerët, burrit tim i paguan gjysmën e rrogës. Brigadieri më tha: “Pse u ankove? Nuk është njësoj burri yt me ata fshatarët”. Unë i thashë: “Punën njësoj e kanë bërë. Se çfarë ka Dega me ne është puna e tyre, nuk keni pse ju brigadierët të merrni hak te rroga”. Kjo gjë ka ndodhur shpeshherë.
Si ishte jeta këtu në kamp?
Nuk kishte infermierë, doktorë. Një herë në dy javë apo një herë në muaj vinte një doktor. Shpeshherë shërbente një ndihmësmjek, Andon Prifti. Me thënë të drejtën, ai na ka shërbyer shumë mirë. Ishte humanitar dhe kam shumë kujtime të mira. Edhe gruaja e tij ishte mami dhe ishte një grua mjaft e mirë. Meqenëse për 9 vite rresht nuk kishim as mjek e as infermier, vinte ndonjëri shumë rrallë, unë kam bërë mjekime në të gjithë kampin. Kam shkuar në çdo familje për çdo nevojë që kanë pasur, për injeksione, për temperatura të larta të fëmijëve.
E thashë që në kamp nuk kishte infermierë. Kur ishim në shkollë, ne fëmijët patëm bërë një si kurs si të bënim injeksione ose si të mjekonim ndonjë plagë. Kur shkuam në Lushnjë, unë u shtrova në spital dhe aty mësova mirë. Edhe kur sëmurej im shoq, serumet ia kam bërë vetë në shtëpi. Nuk e kam shtruar kurrë në spital, por i shërbeja vetë në shtëpi. Kështu u kam shërbyer njerëzve edhe në sektorin e Gradishtës. Injeksionet i kisha vetë, i zieja, i sterilizoja. Nuk u kam marrë kurrë gjë njerëzve që kishin nevojë për shërbimin tim. Ishte dëshira ime që të ndihmoja bashkëvuajtësit e mi, kur kishin nevojë.
Çfarë ndodhte kur sëmurej dikush?
Ishte shumë e vështirë që të dilje jashtë kampit për t’u vizituar te mjeku. Në vitin 1965 unë u dëbova dhe kisha mundësi që të lëvizja në rrethin e Lushnjës e deri në Tiranë. Kisha disa zona kufitare dhe disa qytete të Shqipërisë ku nuk mund të shkoja sepse isha e dëbuar. Im shoq ishte i internuar deri në fund, d.m.th. gjatë gjithë kohës, për 30 vite. As për mjekim dhëmbësh nuk bëhej fjalë. Kështu u sëmur edhe im shoq, iu infektua dhëmballa. Pas shumë bisedash e kërkesash nga ana ime, operativi i dha leje për të shkuar e për të hequr dhëmballën. Unë e shoqërova...
Fatosi jetoi deri në moshën 95 vjeçare. Këtu në Gradishtë na thërrisnin gjithnjë “çifti i lumtur”. Më mungon shumë. Tani më duhet të jetoj për hatrin e fëmijëve. Unë kam vetëm një vajzë, ndërsa ajo ka tre fëmijë, një djalë e dy vajza. Unë për vete s’e kam frikë vdekjen. Kam vuajtur shumë e mendoj se kur të vdes do të rehatohem. Im shoq e kishte shumë problem. Nuk donte të vdiste, donte shumë të jetonte.
Kur ndërtova barakën u lumturova. Krijova një vend për të larë enët e për të kulluar ujin. Për mua ishte gjë e madhe sepse edhe në dimër, në të ftohtë e në shi, unë dilja jashtë për të larë enët. Kur ndërtova kasollen më dukej se ishte bërë njeri, që do të laja enët brenda pa më lagur shiu. Por kur hyra në apartamentin në Tiranë, nuk më besohej se kisha një shtëpi me aneks, me lavaman e me çezmë brenda. Më dukej e pabesueshme. Më kishin humbur shpresat se mund të bëhesha njeri. Vjehrra ime as shtëpinë që kishte në Tiranë nuk e përmendte më. Thoshte se kishin vdekur të gjitha e për ne s’kishte mbetur më ndonjë gjë. Kur e rimorëm vilën, pastaj e ndamë në pjesë. U takonte edhe qiraxhinjve që kishte futur shteti. Burrit tim dhe dy vëllezërve të tij u takoi nga 130 m2 ndërtim.
Kjo barakë kishte vetëm një dhomë? Pa tualet?
Po. Banjat ishin të përbashkëta. Këto ishin banjat. Edhe kanali ku kullonin ujërat kishte raste që mbushej plot dhe bllokohej. Mendoni po të kishe pleq në shtëpi, në kohë dimri me shi e me baltë dhe t’i sillje në banjë. Shpeshherë njerëzit përdornin enë me kapak në shtëpi, për nevojat personale. Të gjitha këto baraka kishin tri banja. Këtë jetë kam bërë në këtë vend.
Megjithatë kam qenë një njeri që s’kam dashur t’i gjunjëzohem të keqes. Kam folur, kam qeshur, kam kënduar. E dashuroja muzikën dhe kjo më ka mbajtur gjallë, më dukej sikur më jepte jetë. Ditëve të shtuna ka pasur gjithmonë muzikë të lehtë dhe unë kisha shumë qejf e dëshirë edhe të dëgjoja muzikë, por edhe të vallëzoja. Shpeshherë mundohesha që t’i mbaroja të gjitha punët, që ditën e shtunë, kur bëhej programi “Muzikë e kërkuar” ta dëgjoja e ta shijoja. Edhe tani në këtë moshë, kur dëgjoj një muzikë që më pëlqen, kam dëshirë të eçi me atë ritëm.
Si i kujton arrestimet që bëheshin në kamp?
Kur vinte Xhipsi me targën 01, që ishte targa më e tmerrshme për ne të kampit, të gjithëve u hynte frika se mos arrestoheshin. Me dhimbje kujtoj një vajzë të re, që e kishte të atin në burg, e çila më tha: “O nëna, ne s’kemi më frikë tani kur vjen Xhipsi, se babin e kemi brenda”. Merre me mend se sa frikë shkaktonte ajo makinë kur vinte. Dy djemtë e xhaxhait tim, Lek e Mojs Mirakaj, i kanë arrestuar e burgosur njëri pas tjetrit, duke lënë pas familjet me fëmijë të vegjël. Familjet duhet të punonin në bujqësi që të mbanin ata në burg e të rrisnin edhe fëmijët.
Po presionet e Sigurimit të Shtetit si i përballonit?
Vajzën time, pasi mbaroi shkollën 7-vjeçare, ma futën në punë sepse unë refuzova të bashkëpunoja me Sigurimin e Shtetit.
Një ditë më thanë që të paraqitesha në Degën e Punëve të Brendshme. U mendova shumë për arsyen e paraqitjes. Sapo e kisha regjistruar vajzën në vitin e parë të gjimnazit. Isha shumë besimtare dhe mbaja të fshehur një fotografi fetare sepse ishte e ndaluar. Ishte një fotografi shumë e vogël e shenjtit Shën Ndou të Laçit. Atë mëngjes, para se të shkoja në Degë, e nxora fotografinë nga vendi ku vetëm unë mund ta gjeja, dhe i thashë: “O shenjt, me ka thirrur djalli, eja me mua dhe më mëso se si t’i përgjigjem”. Isha shumë e trazuar kur shkova në Degë. Pastaj, duke ngjitur shkallët më erdhi një fuqi e çuditshme. Më dukej sikur do t’u kërkoja unë llogari atyre, e jo ata mua. Aty ishte nënkryetari i Degës. Më pyeti përse e kisha çuar vajzën në gjimnaz. Iu përgjigja se s’kisha se ku ta çoja tjetër. Më tha se mund ta çoja për dentiste, inxhiniere etj. Por donin të dinin se si ishte opinioni i njerëzve për ta. I thashë se nuk isha nga ai lloj njerëzish dhe se nuk pranoja që vajza ime të shkollohej mbi fatkeqësinë e njerëzve dhe se pranoja që me këto kushte, më mirë të mbetej pa shkollë si unë. Më akuzoi se nuk e doja atdheun. Debatova me të duke i thënë se për mua atdheu fillonte së pari nga familja, nga miqtë e rrethi shoqëror dhe nëse nuk do familjen e njerëzit e tu, nuk mund ta duash atdheun. Por nëse atdheu do të ishte në rrezik, unë do të isha në vijën e parë të frontit për ta mbrojtur. Pas tre muajve që vajza kishte filluar gjimnazin, e përjashtuan nga shkolla. Ka mbetur si unë, me arsim 7-vjeçar.
Kështu shkoi jeta ime. Nuk janë pak, por janë 47 vjet internim. Erdha në këtë sektor nuse e re dhe kam dalë gjyshja e tre fëmijëve. Është shumë e dhimbshme jeta jonë, por unë jam munduar të mos gjunjëzohem para të keqes. Uroj që askush të mos ketë të tilla trazime, kurrë, asnjëherë. Nuk mund t’i uroj askujt që t’i shkatërrohet familja. Të gjithë shqiptarëve u uroj vetëm të mira e dashuri në familje.
Një fotografi, një kujtim
Shpeshherë nga balta, mjetet nuk vinin që të na e merrnin pambukun në fushë. Ne mbushnim thasët me pambuk dhe shpeshherë i merrnim vetë e i sillnim në lëmë. Kam një fotografi ku unë dhe im shoq jemi ngarkuar me thasët me pambuk. Ai e ka vënë në krahë ndërsa unë e kam ngarkuar me litarë. Djali i kunatit tim kishte një aparat fotografik dhe na fotografoi.