Sociale

Klos/ Banorët e fshatit Kurdari protestojnë sërish kundër HEC-it mbi lumin e Lusës! Arrestohen 4 të rinjtë që dhunuan investitorin dhe dëmtuan mjetin e kompanisë

5 Korrik, 13:26| Përditesimi: 5 Korrik, 14:51

  • Share

Edhe këtë të shtunë, situata në fshatin Kurdari të Klosit mbetet e tensionuar. Banorët kanë dalë përsëri në terren dhe kanë bllokuar makineritë e kompanisë “Global Interprise Group”, e cila po tenton të vazhdojë punimet për ndërtimin e HEC-it Doma mbi lumin e Lusës.

Ky është rasti i dytë brenda 24 orëve që komuniteti reagon ndaj projektit, të cilin e konsideron të padrejtë dhe të papranueshëm për shkak të mungesës së konsultimit publik dhe rrezikut që, sipas tyre, i kanoset burimeve ujore dhe tokave bujqësore.

Mbrëmjen e së premtes, katër banorë të fshatit Kurdari u shoqëruan në Komisariatin e Policisë Mat, pas një përplasjeje me punëtorët e kompanisë. Incidenti ndodhi pas një debati që nisi pranë lumit të Lusës, ku punonjësit po gërmonin, dhe përshkallëzoi në përplasje fizike mes palëve.

"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Vetëgjyqësia” dhe “Shkatërrimi i pronës” në ngarkim të shtetasve: H.B., 30 vjeç, S.Ç., 24 vjeç, L.B., 24 vjeç, L.K., 25 vjeç, të gjithë banues në Klos. Këto shtetas, në bashkëpunim me njëri tjetrin, dyshohet se kanë dëmtuar një automjet në pronësi të një shoqërie që po kryen punime për ndërtimin e një hidrocentrali në fshatin Kurqelaj, si dhe kanë goditur me grushta në pjesë të ndryshme të trupit, një 39-vjeçar, investitor i kësaj shoqërie",- njofton policia.

Banorët shprehen të vendosur për të mos lejuar ndërtimin e hidrocentralit dhe kërkojnë ndërhyrje të institucioneve shtetërore dhe hetim nga SPAK për mënyrën si është miratuar ky projekt.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama paralajmëron aksion për lirimin e hapësirave publike, si e vlerësoni?