Politikë

Klosi në Report Tv: PS fitoi thellë sepse qytetarët votuan punën që u bë në 4 vite, ne i dhamë fund pandëshkueshmërisë, Shqipëria më afër BE-së! Dibra një shembull

19 Maj, 21:43| Përditesimi: 19 Maj, 22:44

  • Share

Partia Socialiste e mori fitoren e thellë në zgjedhjet e 11 majit për disa faktorë, por motivi kryesor ishte puna e 4 viteve të kaluara, reforma në drejtësi, fundi i pandëshkueshmërisë dhe rruga drejt integrimit në BE, duke i bashkuar edhe punën brenda strukturave dhe gjendjen ku ndodhej opozita pas një lufte të brendshme dhe fraksioneve.

Kështu e analizoi rezultatin elektoral Blendi Klosi, kreu politik i qarkut të Dibrës për PS, ku për herë të parë mazhoranca mori një fitore politike në këtë qark (3 me 2 në mandate deputetësh).

I ftuar në panelin e “5 Pyetje nga Babaramo” në Report Tv mbrëmjen e sotme, ai foli për suksesin e mazhorancës, që u dha mandatin e katërt qeverisë dhe arsyet e kësaj fitoreje befasuese për opinionin.

“Ishte një votë masive për PS-në, qytetarët nuk zgjodhën të keqen më të vogël por programin dhe ekipin që u jep shpresë për të ecur para. PS ishte më e qartë dhe e strukturuar, në atë që ofron për 4 vitet e ardhshme. Ne nuk e morëm mandatin për premtime, por për atë qëkemi bërë në katër vite apo që u bën më shumë punë dhe u zgjidh hallet. Që rrit pozicionin e Shqipërisë në Europë.

Rezultati ishte shumë i mirë në Dibër, me diferencë, në një qark ku historikisht PS nuk fitonte. Ne në diferencë gare ne dëshmuam qartë se shkuam deri në tre mandate e gjysmë dhe kjo ndodhi fal investimeve si Rruga e Arbrit që u bë pas 35vitesh. Ai qark do ketë më tej sukses dhe rezultate për PS”, tha deputeti socialist.

Klosi shtoi se edhe situata e opozitës ishte një nga faktorët, teksa PS punoi me riorganizimin dhe rifreskimin e strukturave të saj.

“PD nuk ofroi asgjë në programin e saj. Qytetarët na dhanë besim, na besojnë, dhe reforma në drejtësi ishte një nga motivet kryesore që shqiptarët na dhanë votën e tyre. Qytetarët nuk votuan vetëm emrat, por programin, punët dhe skuadrën e PS-së. Ne riorganizuam dhe rifreskuam partinë me emra dhe drejtues të rinj. Pra ishte puna dhe struktura e para, kundërshtarët tanë në 4 vite u morën vetëm me veten e tyre. Nga 2017 kemi vendosur të jemi në aleancë me njerëzit, me qytetarët. Të shkojmë në garë me qytetarët, njerëzit dhe me veten. Fakti i luftës me pandëshkueshmërinë është i rëndësishëm dhe domethënës dhe erdhi fal punës dhe reformës që PS-ja bëri”, u shpreh Klosi.

Ai gjithashtu vuri në dukje se PS qëndron larg ndërhyrjeve si në arsim, shëndetësi, punësimeve në administratë, fushatave elektorale në orare zyrtare, presioneve apo mënyrës së si bëhet fushata elektorale në krahasim me vitet e kaluara. 

"Fushata nuk ishte agresive, ishte e qetë, aq sa më shumë lajm bëri Giro D'Italia dhe Samiti i Europës sesa fushata dhe kjo është gjë shumë e rëndësishme", nënvizoi përfaqësuesi socialist.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kalon për gjykim për dosjen 'Partizani', besoni se do të ketë drejtësi?