TIRANË - Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Klotilda Bushka u paraqit sot (24 shkurt) në SPAK. Bushka qëndroi për rreth 4 orë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Pas daljes ajo nuk bëri komente për gazetarët, ndërsa avokati i saj Henrik Ligori tha për mediat, se: Nuk ka komente, nuk ka akuzë.
Deputetja e PS, është marrë nën hetim nga SPAK dhe akuzohet për kryerjen e veprimeve aktive “që pengojnë zbulimin e së vërtetës” në rastin e dosjes së kryebashkiakut Erion Veliaj i cili u arrestua më 10 shkurt.
Kjo është hera e parë që Bushka paraqitet në Prokurorinë e Posaçme, pasi ka deklaruar se nuk është pyetur asnjëherë nga prokuroria në lidhje me këtë çështje.
Më 12 shkurt Bushka, mohoi implikimin e saj në veprime antiligjore siç pretendon SPAK. Para mbledhjes së grupit socialist, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama Bushka pohoi se ka njohje me Veliajn dhe Xoxën dhe miqësi të vjetër me ta, por kurrë nuk ka interferuar në paligjshmëri, madje akuzat dhe lajmin e ka mësuar vetëm nga mediat.
“Është e vërtetë, unë jo vetëm e njoh Ajola Xoxën por kam bashkëpunuar me të edhe para se të bëhesha deputete dhe ky është një fakt i ditur. Erjon Veliaj është miku im i fëmijërisë. Jam krenare për punën që kemi bërë së bashku por edhe për transformimin e kryeqytetit. Kjo lidhje më ka bërë që të përjetoj bashkë me ta gjithë kalvarin e muajve të fundit, përfshirë linçimin publik dhe trysninë e vazhdueshme që u është dashur të përballojnë.
Jo pak herë kam qenë pranë Ajolës, duke e mbështetur si mike por edhe si ish-kolege në nivelin njerëzor. Me Erionin për shkak të angazhimeve kam pasur mundësinë të flasë më rrallë. Në çdo rast i kam transmetuar besimin e palëkundur tek e drejta, e vërteta, te drejtësia”, tha Bushka në mbledhjen e grupit parlamentar socialist.
Komente
