Genti Zholi do të jetë drejtuesi i ri i Prokurorisë së Apelit në Tiranë ndërsa Anita Jella drejtuese e Prokurorisë të Shkallës së Parë në Durrës. Vendimet janë marrë unanimisht në mbledhjen e radhës së Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
"Ju njoftoj se në përfundim të procedurave për ngritjen në detyrë në pozicionin e Drejtuesit në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, KLP vendosi unanimisht të caktojë Anita Jella në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës dhe z. Genti Xholi në detyrën e Drejtuesit të Prokurorisë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit, Tiranë për një periudhë 3 (tre ) vjeçare nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
Sot, me emërimin e të dy drejtueseve, Këshilli vendosi të ndërpresë caktimet e përkohshme si drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës dhe në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit, Tiranë. Deri tani, Këshilli ka arritur të emërojë në detyrë 4 (katër) Drejtues prokurorie; në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë; në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit, Tiranë; në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Elbasan dhe në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Durrës. Në vijim keni njoftimin e plotë mbi vendimet e marra në mbledhjen e sotme të Këshillit", thuhet në njoftimin e KLP-së.