Siç ligji e parashikon gara për zëvendësimin e Altin Dumanit në krye të Prokurorisë së Posaçme pritet të nisë brenda pak ditësh.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka njoftuar se e ka vendosur në krye të rendit të ditës shpalljen e vakancës për drejtuesin e ri të SPAK, procedura që sipas ligjit duhet bërë 3 muaj para se t’i mbarojë mandati kreut aktual, në mes të dhjetorit. Bashkë me shpalljen e garës, KLP do të listojë edhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët.
Altin Dumani pas 16 dhjetorit nuk do të jetë më drejtues i Prokurorisë së Posaçme,, pozicionin që e mban që prej të njëjtës datë të vitit 2022.
Dumani është drejtuesi i dytë i Prokurorisë së Posaçme që u zgjodh pas përfundimit të mandatit të Arben Krajës, i cili ishte i pari pas krijimit të prokurorisë së posaçme. Pas lënies së këtij posti ai do të ushtrojë detyrën si prokuror i posaçëm i kësaj strukture deri në përfundimit të mandatit 9 vjeçar.
Arben Kraja u zgjodh si drejtuesi i parë i SPAK në dhjetor të vitit 2019 ndërsa Altin Dumanit në dhjetor 2022. Dumani e mori drejtimin në një moment kur pritshmëritë e publikut ishin rritur ndjeshëm dhe presioni ndërkombëtar për rezultate konkrete ndaj korrupsionit në nivelet e larta ishte më i fortë se kurrë.
Zgjedhja e tij u bë nën monitorimin e ndërkombëtareve dhe kryesisht të ish ambasadores amerikane Yuri Kim e cila mbahet mend për paraqitjen dhe qëndrimin në sallë pikërisht në momentin e votimit dhe deri në numërimin e votave të kandidatëve.
Por mesa duke edhe procesi i zgjedhjes së drejtuesit të ri do të ketë të njëjtën vëmendje. Pak ditë me parë e ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, tha se “Procesi i përzgjedhjes së pasardhësit së Dumanit duhet të jetë i paanshëm, transparent dhe i lirë nga çdo ndikim i jashtëm dhe se partnerët ndërkombëtarë do ta ndjekin nga afër këtë proces, sepse janë të interesuar që Shqipëria të vazhdojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
Drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme do të zgjidhet mes prokurorëve të SPAK për një mandat 3-vjeçar pa të drejtë rikandidimi. Zgjedhja bëhet me shumicë të thjeshtë votash nga 11 anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Komente
