Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka lënë në fuqi vendimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për shkarkimin nga detyra të ish- prokurorit të Krujës Bujar Memia. KPA nuk ka pranuar ankimin e magjistratit Bujar Memia, i cili u shkarkua për shkak të qëndrimit të tij pasiv ndaj vendimeve të gjykatës për lirimet me kusht.
‘Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryetare, Ina Rama, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JD) nr. 3/2021, datë 30.04.2021, që i përket ankuesit Bujar Memia kundër vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nr. 81, datë 31.03.2021, me subjekte të interesuara, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. Në përfundim të gjykimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronja “f” dhe 134, pika 1, shkronja “i” e Kushtetutës, si dhe neneve 71 dhe 72 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, në mënyrë unanime, vendosi: Mospranimin e ankimit të magjistratit Bujar Memia, kundër vendimit nr. 81, datë 31.03.2021, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë “Për caktimin e masës disiplinore ndaj prokurorit Bujar Memia”. Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.’- njofton KPA.
Bujar Memia u shkarkua pasi Inspektori i Lartë i Drejtësisë, (ILD) i kërkoi KLP-së shkarkimin e tij, për shkak të qëndrimit të tij pasiv ndaj vendimeve të gjykatës së Krujës për lirimin me kusht të të dënuarve për vepra të rënda penale, Ilir Paja dhe Hekuran Billa. Ky i fundit u ekzekutua pak kohë pas lirimit, më 11 qershor të 2020-ës. Për këto vendime lirimi me kusht, KLGj vendosi shkarkimin nga detyra edhe të gjyqtares së Krujës Enkeleida Hoxha.
Sipas ILD, prokurori Memia, në mënyrë të pajustifikuar, nuk ka përmbushur detyrën gjatë dhe pas gjykimit, që kanë sjellë përfitim të padrejtë dhe në kundërshtim me ligjin për palët në proces. Gjithashtu, ILD konstaton se mosankimi ka pasjellë pamundësinë e ushtrimit të kontrollit gjyqësor. Veprimet dhe mosveprimet e prokurorit Memia u konsideruan të vullnetshme, të pajustifikuara dhe të vazhduara në katër procese gjyqësore.