KLP rihap garën për të aplikuar për prokuror në SPAK (Vendimet e plota)

24 Shkurt 2020, 18:46| Përditesimi: 24 Shkurt 2020, 18:51

  • Share

TIRANE-Këshilli i Lartë i Prokurorisë në mbledhjen e sotme vendosi për shtyrjen e afatit të aplikimit për plotësimin e 2 pozicioneve vakante si prokurorë në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, njohur ndryshe si SPAK. Në njoftim theksohet se "Në pikën 3 të vendimit shprehja “jo më vonë se 15 ditë, zëvendësohet me shprehjen jo më vonë se 40 ditë”. Kjo do të thotë se pas mbylljes së afatit 15 ditor në datë 11 shkurt, aplikimet vijojnë të hapura për prokurorët që janë të interesuar për t'u bërë pjesë e kësaj strukture.

Kujtojmë që në datë 11 shkurt përfundoi afati 15 ditor për 2 vendet në SPAK, por aplikuan vetëm 3 prokurorë, Dritan Prençi, Vladimir Mara dhe Sotir Kllapi. Mara dhe Prençi janë aktualisht të komanduar në SPAK. Lëvizja e KLP-së për të hapur aplikimet erdhi pasi drejtuesi i SPAK-ut, Arben Kraja iu drejtua me kërkesë zyrtare për 2 prokurorë të tjerë.

Gjithashtu u vendos me short që dy anëtarët e KLP-së Besnik Cani dhe Tartar Bazaj të jenë pjesë e Komisionit të Posaçëm për vlerësimin paraprak të kandidatëve për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme. Në mbledhjen e sotme u morën edhe vendime të tjera, mes të cilave; Ollga Visi u emërua drejtuese e përkohshme e prokurorisë së Korçës, Julian Çafka drejtues i përkohshëm në prokurorinë Gjirokastër, Francesk Ganaj nga i përkohshëm në Pukë kthehet në Lezhë dhe Mirela Kapo u komandua pranë zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, etj.

Vendimet e marra sot
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zhvilluar sot mbledhjen plenare të radhës, në prani të të gjithë anëtarëve dhe në prezencë të përfaqësuesve nga Ministria e Drejtësisë, EURALIUS, OPDAT si dhe vёzhguesë tё tjerë tё akredituar. Mbledhja e sotme nisi me miratimin e procesverbaleve të mbledhjeve të datës 05.02.2020 dhe 11.01.2020.

Pasi u njoh me raportin e përgatitur nga Komisioni i Vlerësimit të Veprimtarisë Etike dhe Profesionale, sipas neneve 149/a, 179/b, nenin “E” (aneksi) të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; nenin 189, pika 1, gërma “a” të Ligjit 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”; nenet 40 dhe 42 të Ligjit 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”; nenet 71 dhe 94 të Ligjit 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Këshilli i Lartë i Prokurorisë,  vendosi me shumicë votash, miratimin e raporteve për analizimin e aftësive profesionale të subjekteve të rivlerësimit kalimtar, prokurorëve: Abaz Muça, Adriano Dyrmishi, Alketa Zifla, Bledar Maksuti, Enrik Haxhiraj, Marjeta Zaimi, Rozeta Qirjaqi.

Me 8 vota pro, 1 kundër ( z. Besnik Cani) si dhe në mungesë të z. Bujar Sheshi,  Këshilli i Lartë i Prokurorisë, mbështetur nё nenin 149/a të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në nenin 59 pika 1 dhe 4, të Ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, në nenet 164/8, 166/2, 189/1/a të Ligjit 115/2016 “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”, i ndryshuar dhe Rregulloren “Pёr caktimin e përkohshëm tё prokurorëve” miratuar me Vendimin nr 64, datë 15.04.2019, me propozim të Komisionit Për Zhvillimin e Karrierës, vendosi znj. Ollga Visi, të caktohet përkohësisht në funksionin e Prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Korçë. Këshilli vendosi gjithashtu që znj. Ollga Visi, të ushtrojë detyrën si Drejtuese në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Korçë, përkohësisht nga data 24.02.2020 – 23.05.2020. Vendimi u miratua me 7 vota pro, 2 kundër ( znj. Nurihan Seiti dhe z. Besnik Cani ) dhe 1 në mungesë të zotit Bujar Sheshi.

Me propozim të Komisionit për Zhvillimin e Karrierës, Këshilli vendosi me shumicë votash edhe miratimin për caktimin e përkohshëm të z. Julian Çafka, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, mbështetur nё nenin 149/a të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në nenin 59 pika 8, të Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar si dhe në nenet 164/8, 166/2, 189/1/a të Ligjit nr.115/2016 “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”, i ndryshuar, me propozim të Komisionit Për Zhvillimin e Karrierës vendosi me 10 vota pro dhe 1 në mungesë (zoti Bujar Sheshi),  ndërprerjen e  caktimit të përkohshëm të z. Francesk Ganaj, si prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pukë dhe kthimin e tij në pozicionin e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë ku e ka emërimin.

Para Këshillit janë prezantuar opinionet për kandidatët, të cilët kanë shprehur interesin për t’u komanduar pranë zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Midis 2 kandidaturave, Këshilli miratoi me 10 vota pro, opinionet për kandidimin e znj. Mirela Kapo.

Me 10 vota pro, janë miratuar edhe prezantimet e opinioneve për kandidatët, të cilët kanë shprehur interesin për t’u komanduar në pozicionin Këshilltar pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për një periudhë kohore 3-vjeçare, si vijon: Ornela Rrumbullaku, Artur Cara, Mihallaq Bleta, Arian Muçaj, Erion Pano dhe Vitjona Mata.

Me 10 vota pro janë miratuar projekt-vendimet për fillimin e procedurës për verifikimin e pasurisë dhe figurës për kancelarët në detyrë në sistemin e prokurorisë dhe projekt vendimet për fillimin e procedurës për verifikimin e pasurisë dhe figurës për kandidatët që kanë shprehur interesin për t’u komanduar si inspektor në ILD, si vijon: Elena Pelushi, Xhevahir Lita, Daniela Sulaj, Sonila Muhametaj Domi.

Sipas nenit 179/8 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të nenit 7 të ligjit 95/2016 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Institucioneve për të Luftuar Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” dhe të nenit 48 të ligjit 96/2016 “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, si dhe në nenet 164/8, 166/2, 189/1/a të ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë“,  Këshilli i Lartë i Prokurorisë, vendosi, për shtyrjen e afatit të aplikimit për plotësimin e 2 (dy) pozicioneve vakante si prokurorë në  Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në pikën 3 të vendimit shprehja “jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë kalendarike”, zëvendësohet me shprehjen “jo më vonë se 40 (dyzetë) ditë kalendarike”.

Me kërkesë të Prokurorit të Përgjithshëm, Këshilli ka miratuar projekt vendimi për fillimin e procedurave të komandimit të një magjistrati prokuror pranë EUROJUST për një periudhë 30 mujore duke kaluar për miratim kriteret për aplikim për këtë pozicion mjaft të rëndësishëm.

Në përfundim të seancës plenare, është hedhur shorti për përzgjedhjen e dy anëtarëve të Këshillit të cilët do të jenë pjesë e Komisionit të Posaçëm për vlerësimin paraprak të kandidatëve për prokurorë në Prokurorinë e Posaçme, bazuar në nenin 11 të Rregullores, ku shorti ka përzgjedhur z. Besnik Cani dhe z. Tartar Bazaj.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?