Kreu i KLSH, Arben Shehu

Opinion

KLSH: 882 milionë dollarë dëm vjet!!!

26 Qershor 2021, 18:23| Përditesimi: 26 Qershor 2021, 18:29

  • Share

Në raportin që Arben Shehu, kryetari i KLSH-së, i paraqiti Kuvendit të Shqipërisë (ky i fundit e emëroi vjet me votat e PS-së), dy shifra janë alarmuese: 22 milionë dollarë dëm i drejtpërdrejtë financiar dhe 860 milionë dollarë dëm i tërthortë ekonomik gjatë vitit të shkuar – në total, 882 milionë dollarë!!! Kjo shifër është disi më e ulët se shifrat që raportonte më parë ish-kryetari Bujar Leskaj (që ishte emëruar nga Kuvendi me votat e PD-së dhe LSI-së). Sidoqoftë, është një shifër alarmante për nga magnituda, si dhe për faktin se raportohet nga një i emëruar me votat e partisë në pushtet.

22 milionë dollarët e dëmit të drejtpërdrejtë financiar janë shkaktuar nga shkelje e abuzime në vjeljen e të ardhurave dhe kryerjen e shpenzimeve buxhetore. Ndërsa 745 milionë dollarë dëm ekonomik janë shkaktuar nga shpenzime të kryera pa efektivitet ose/ dhe pa ligjshmërinë e pa kontrollin e duhur në fushën e prokurimeve dhe investimeve publike. Rreth 11.5 milionë dollarë ka qenë dëmi i tërthortë ekonomik në fushën e të ardhurave buxhetore.

Për ta kuptuar magnitudën e dëmit ekonomik e financiar që ka konstatuar KLSH-ja vjet, mjafton të përmendim se 882 milionë dollarë janë sa 1/5 e të ardhurave buxhetore të 2020-ës. Ose mjafton të përmendet që me 882 milionë dollarë mund të ndërtohen 700 shkolla të reja nga themeli. Ose mjafton të përmendet se mund të plotësohet me 4 korsi të pandërprera një autostradë Tiranë-Elbasan-Korçë-Kapshticë.

Dhe ky dëm, me këtë magnitudë, ka qenë i përvitshëm…

Për ata që nuk paguajnë drejtpërdrejt tatime mbi të ardhurat/fitimet apo taksa të tjera të drejtpërdrejta, duket se dëmi që evidenton KLSH-ja çdo vit është një shifër abstrakte, që nuk ka lidhje me kuletën e tyre personale. Por, në fakt, ai ka shumë!

Rreth 1/6 e çmimit të çdo malli apo shërbimi përbëhet nga TVSH-ja (Tatimi i Vlerës së Shtuar). Ata që shesin mallra apo shërbime, TVSH-në që ua marrin qytetarëve (kur këta paguajnë për mallrat/shërbimet), e derdhin në Thesarin e Shtetit. Dhe të ardhurat nga TVSH-ja përbëjnë rreth 2/3 e të ardhurave buxhetore. Me pak fjalë, pensionistë e të papunë, nxënës e studentë, fshatarë e qytetarë, të pasur e të varfër, kontribuojnë për të mbushur 2/3 e arkës së shtetit, sa herë që paguajnë për një mall apo shërbim. Dhe njerëzit që mbahen me rrogat nga arka e shtetit u sjellin atyre një dëm ekonomik-financiar vjetor sa 1/5 e të ardhurave buxhetore…

Fatkeqësisht, deri më sot shumë pak përgjegjës të këtij dëmi të përvitshëm janë ndëshkuar politikisht, administrativisht, e aq më pak penalisht…

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • siriu: 26/06/2021 19:19

    KLSH me mire te quhet KLSHURRES sepse eshte mbushur me me renegat te politizuar qe jane mashtrues te ndyre dhe nuk jane real, kjo nuk do te thote qe nuk ka shkelje......

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?