KLSH në 'lupë' financat e Ministrisë së Brendshme, në hetim tenderat për ilaçet e COVID dhe shpenzimet

6 Shkurt 2021, 14:21| Përditesimi: 6 Shkurt 2021, 14:29

  • Share

Kontrolli i Lartë i Shtetit së fundmi ka nisur hetim financiar për Ministrinë e Brendshme dhe Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara, me fokus tenderat dhe shpenzimet e bëra, për të parë nëse janë kryer shkelje.

“Me vendim të kryetarit të KLSH, fokusi i auditimit ka për objekt “Auditimin Financiar dhe të Përputhshmërisë”, për periudhën 01. 01. 2018 deri më 30.03 2021”, thuhet në njoftimin e KLSH-së.

Edhe pse auditimi do të kryhet për 3 vite, epiqendra e kontrolleve pritet të jenë tenderat e COVID-19, që janë edhe më të kontestuarit për momentin. Edhe organet e drejtësisë më herët kanë hetuar disa prej garave të hapura nga Ministra e Shëndetësisë dhe apo edhe Ministria e Mbrojtjes për maska dhe teste anti-COVID.

Në vend janë hapur me dhjetëra e dhjetëra tendera për kite, maska, mjete mbrojtëse spitalore, teste, medikamente apo edhe produkte të tjera që ishin të nevojshme për të luftuar virusin, jo vetëm nga institucioneve shëndetësore por edhe nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara.

Për këto gara hijet e dyshimit ishin të shumta sidomos pas procedurave tenderuese pa shpallje paraprake, ku për një tender nuk dihej se sa kompani merrnin pjesë në garë për një objekt të caktuar. Kontrolli i Lartë i Shtetit përveç tenderave do të auditojë të gjitha shpenzimet e kryera nga Ministra e Brendshme për shërbime, aktivitete dhe investime të ndryshme.

Në vendimin për të nisur auditimin, të cilin Report TV e disponon thuhet se janë përcaktuar 2 auditues të KLSH-së, ndërsa kërkohet nga institucionet më lartë që të marrin masa për të përcaktuar personat që do të komunikojnë me audituesit, si dhe përcaktimin e hapësirave dhe mjeteve të nevojshme për të realizuar hetimin.

 

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?