Kreu i KLSH-së Arben Shehu ishte sot sërish në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave për të vijuar me raportin vjetor të 2023-shit.
Përveç debateve në Komision lidhur me skandalin e onkologjikut dhe akulloret e kontaminuara, KLSH raporti edhe për legalizimet e Kadastrës, teksa u theksua se janë legalizuar objekte informale, të cilat janë ndërtuar jashtë afatit të lejuar.
‘Gjatë vitit 2023 kemi audituar katër drejtori vendore të Kadastrës, gjetjet kryesore të auditimit kanë konsistuar:
Janë legalizuar objekte informale të cilat janë ndërtuar jashtë afatit të lejuar, ndërtesa të ndërtuara me materiale jo të qëndrueshme, me gips apo llamarinë që nuk plotësojnë kushtet, legalizim të banesave që janë në tejkalim të sipërfaqes së ndërtimit, duke marrë më shumë sipërfaqe nga sa cakton ligji, legalizim në cenim të infrastrukturës publike pa respektuar distancat nga rruga apo brenda institucioneve shtetërore, legalizime në zona që janë në zona të caktuara për zhvillim ekonomik, legalizime brenda zonave të tensionit të lartë në kundërshtim me ligjin.’
Më tej u raportua se dy koncesione në shëndetësi janë lidhur në shkelje ligjore.
‘2 kontrata në shëndetësi janë paguar me TVSH dhe 2 pa TVSH, ndërkohë që janë të njëjta. Pra është vepruar me dy standarde, kur është e njëjta situatë dhe janë shërbime në shëndetësi. Pra pagesat duhet të ishin bërë pa TVSH, se janë të përjashtuara këto shërbime. (ju është dhënë më shumë lekë).
Kontratat për CHECK UP dhe STERILIZIMIN janë lidhur me kundërshtim me ligjin, dhe nuk është zbatuar ligji për TVSH-në, pasi këto kontrata duhet të paguhen pa TVSH.’
Sakaq, lidhur me pronat shtetërore, KLSH raporton se ato janë të paregjistruara, ndërsa 19 mijë hektar u dhanë me qira, për to nuk disponohet asnjë informacion.
‘Nuk kemi një regjistër të pasurive që shteti disponon. Një pjesë e madhe e institucioneve nuk kanë bërë pasqyra. Pronat shtetërore edhe mund të jenë në regjistrat e institucioneve, ato ose janë të zëna ose janë të dëmtuara në realitet.
Mungojnë regjistrat për çdo pronë të administruar, probleme të mëdha ka në pushtetin vendor.
Mbi 19 mijë hektarë tokë shtetërore është dhënë me qira, por nuk është e kontabilizuar në asnjë dokument, sipas detyrimeve.
Bashkia Fier ka 4444 prona por ka regjistruar vetëm 430, Mirditë ka 14.670 prona por vetëm 1 ka të regjistruar, Këlcyra 404 prona asnjë të certifikuar, bashkia Gjirokastër ka 4017 asnjë të certifikuar, e kështu vijon bashkia Libohovë.’
Deputeti Braçe replikoi më pas për problemin e pronave.
Braçe: Ky është edhe problem financiar, prandaj dhe nuk zgjidhet, se ka raste që në bashki të vogla duhet gati 40 mln lekë për titullin e pronësisë.
KLSH: Ky problem konstatohet në të gjitha bashkitë.