KLSH tha se KESH përshkallëzoi krizën dhe keqmenaxhoi kaskadën e Drinit, zv.ministri i Energjisë: Raport i pasaktë! Kemi bërë një punë të mirë

22 Mars 2023, 19:10| Përditesimi: 22 Mars 2023, 19:49

  • Share

TIRANË-Pas raportit të KLSH të publikuar në Shqiptarja.com 2 ditë më parë, ku thuhet se keqmenaxhimi i kaskadës së Drinit nga KESH ka përkeqësuar krizën energjetike, ka ardhur edhe reagimi i  zv.ministrit të Energjisë, Ilir Bejtja i cili është shprehur se një gjë e tillë nuk është e vërtetë. I ftuar në Report Tv, në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, Bejtja tha se ky raport i KLSH nuk qëndron, ku thekson se është i pasaktë.

“Nëse blejmë në orën 2 energji me 200 euro dhe shesim në orën 6 me 90 euro, nuk kam mundësi që ta shes nesër se uji ikën, KESH nëse nuk ka mundësi ta mbajë në Kaskadë, do e prodhojë dhe nëse kjo diferencë i duket negative, nuk është negative. Do shes kur nuk jam në pikë me një çmim të lirë. KESH nuk shet në Shqipëri, por vetëm atyre që ka me kontratë, askujt tjetër. Në atë treg nuk di të ketë marifetçi që të bëjnë çmimin jashtë burse, ne shesim në treg me çmimin e tregut. Prandaj duhet bursa. Raport i KLSH ka Gjëra të pasakta, jo të them ndonjë fjalë që nuk ia vlen. ”, tha Bejtja.

Ai tha është bërë një menaxhim mjaft i mirë dhe kjo e tregon prodhimi që është bërë përgjatë 2022.

“Në një vit të tmerrshëm të thatë si 2022, kemi prodhuar 3.8 teravat nga Kaskada dhe ky është menaxhim i mirë”, tha ai.

Referuar akuzave të opozitës që e cilësojnë marrjen me qira të 2 anijeve që prodhojnë energji, si aferë korruptive, Bejtja theksoi se ato nuk kanë nisur ende punë.

“Nuk kanë filluar punë, janë të gatshme në momentin që kemi situatë emergjente, futen në punë. Ato janë pjesë e sistemit, nuk janë më vete, brenda çmimit që KESH shet energjinë. Nuk ka asnjë problem, pavarësisht gurgulesë, është kontratë qiraje financiare, ne i kemi blerë ato të dyja, do 20 vite të amortizohet, është brenda kostos së energjisë që ne shesim”, shtoi ai.

Ky reagim vjen pas raportit të KLSH, sipas së cilëve nga veprimet abuzive të KESH, import ii energjisë elektrike për 6 mujorin e parë të 2022, u rrit me 156% krahasuar me 2021, duke rritur koston në buxhetin e shtetit, respektivisht për taksapaguesit shqiptarë. Kriza, e cila sipas KLSH-së është stimuluar edhe nga KESH, detyroi qeverinë që të injektonte 165 milionë euro dhe 20 miliard lekë, për të evituar kolapsin energjtik. 

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?