Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, gjatë një takimi me emigrantët shqiptarë në Londër, ka deklaruar se emigracioni masiv është pasojë direkte e dështimit të qeverisë Rama dhe korrupsionit sistematik që ka kapur shtetin shqiptar.
Në fjalën e tij, Basha vlerësoi rolin e emigrantëve shqiptarë si pasqyra e shpresës dhe forcës së qytetarit shqiptar, që edhe në kushte të vështira, larg vendit të tyre, arrijnë të ndërtojnë një jetë të denjë dhe të mbajnë lidhjen me Shqipërinë.
“Është drita e shpresës dhe e të vërtetës së shqiptarëve, që edhe kur detyrohen ta lënë vendin e tyre, në një vend të huaj, kaq larg – vetëm për shkak të mungesës së drejtësisë dhe mundësive të barabarta – arrijnë të ndërtojnë jetën e tyre, të krijojnë sukses dhe të mbajnë Shqipërinë si pjesë të zemrës,” – u shpreh Basha.
Por sipas tij, kjo përbën edhe një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj klasës politike që ka dështuar t’u ofrojë qytetarëve një arsye për të qëndruar.
“Kjo është prova më e qartë e dështimit 12-vjeçar të qeverisë më të korruptuar që ka njohur Shqipëria që nga themelimi i saj si shtet. Zbrazja e qyteteve dhe ikja e shqiptarëve nuk janë rastësi – janë pasojë e një sistemi të kalbur nga korrupsioni.”
Basha tha se arsyet pse shqiptarët po largohen lidhen me mungesën e drejtësisë, arsimit cilësor, tregut të punës me paga dinjitoze dhe kushteve të barabarta që do t’i lejonin të rinjtë të ndërtonin të ardhmen në vendin e tyre. “Pse duhet të largohet një i ri në kushte pothuajse çnjerëzore, nëse vendi i tij do t’i ofronte një jetë normale? A ka ndonjë arsye tjetër veç dështimit dhe padrejtësisë?”.
Duke e lidhur këtë realitet me aferat korruptive të zyrtarëve të lartë të qeverisë, ai tha: “Pyetja pse ikin shqiptarët ka të njëjtën përgjigje me pyetjen që unë e kam shtruar ditë më parë: Rama, ku i ke shokët? Sepse përgjigjja është 7x7 = 313. Përgjigjja është korrupsioni.”
Ai përmendi rastet konkrete të zyrtarëve të kapur në afera, si zëvendëskryeministri, kryebashkiaku i Tiranës dhe ish-ministrat e arrestuar për korrupsion, për të cilët theksoi se “jo vetëm që nuk ndalohen, por i jepet kohë për të ikur”. Sipas Bashës, kjo nuk ndodh vetëm me paratë e shqiptarëve, por edhe me fondet e Bashkimit Europian që duhet të shkonin për bujqësinë dhe zhvillimin.
Pjesë nga fjala e Bashës:
Është drita e shpresës dhe e të vërtetës së shqiptarëve, që edhe kur detyrohen ta lënë vendin e tyre, në vend të huaj, kaq larg – as vend fqinj jo – vetëm për shkak të rrethanave dhe kushteve jonormale, vetëm për shkak të mungesës së drejtësisë dhe mundësive të barabarta, arrijnë të ndërtojnë jetën e tyre, të themelojnë familjet e tyre, të krijojnë suksesin e tyre, e të mbajnë familjet e tyre në Shqipëri, e të mbajnë Shqipërinë, siç e keni mbajtur prej 30 apo 35 vitesh, disa prej jush.
Kjo është e vërteta. Kjo është e vërteta e parë. Jo vetëm që nuk ka asgjë gabim apo keq me shqiptarin, me shqiptarët, por e kemi treguar që në kushtet më të vështira, edhe atëherë kur çdokush tjetër do të dorëzohej, shqiptari nuk dorëzohet. E gjen rrugën, ngrihet, ngre mbi shpatullat e veta një realitet ashtu siç ia do zemra, ngre një realitet të ri për familjen e vet, nuk harron pjesën tjetër të familjes në Shqipëri. Kjo është forca, veçoria e shqiptarëve tanë në emigracion, anembanë botës – edhe këtu në Britaninë e Madhe. Zoti ju bekoftë.
Por, nëse është provë, dhe është provë, dëshmi e forcës individuale të secilit prej jush këtu, e gjithë atyre miqve, shokëve, dashamirësve anembanë Londrës, Amerikës, Gjermanisë, Italisë, Greqisë e kudo tjetër, është edhe provë e diçkaje tjetër. Është edhe provë e dështimit total të politikës karshi shqiptarëve. Është provë e pakundërshtueshme e dështimit 12-vjeçar të qeverisë më të korruptuar që ka njohur Shqipëria, që nga themelimi i saj si shtet i pavarur në nëntor të 1912-ës.
Gjithë përrallat e suksesit, gjithë premtimet e dala boje që riciklohen zgjedhje pas zgjedhjesh, nuk i rrinë dot këtij fakti. Emigracioni masiv i shqiptarëve, zbrazja e qyteteve tona, është prova më e qartë e dështimit të kësaj qeverie, apo jo?
Pse tjetër duhet të largohesh për dhe të huaj, në qoftë se vendi yt të ofron mundësi për shkollim normal, për arsimim profesional, një treg pune që të të ofrojë një pagë dinjitoze – jo thjesht për të mbajtur frymën – kushte të barabarta, ku secili, sipas meritës e talentit, arrin të çajë përpara, siguri e shëndetësi, mbështetje për shtresat në nevojë?
Sikur këto të ekzistonin, a do të kishte nevojë të largohej rinia e mrekullueshme shqiptare në kushte pothuajse çnjerëzore? Sigurisht që jo.
Ndaj, kjo është pyetja ndaj së cilës nuk mund të mbyllin sytë e as veshët ata që me të vërtetë duan dhe u bëhet vonë për familjet e tyre, për fëmijët e tyre: pse largohen shqiptarët?
Përgjigjja ndaj kësaj pyetje është e njëjtë me përgjigjen ndaj një pyetje tjetër, që unë e kam parashtruar para 10-15 ditësh dhe që sot më ushton në veshët e mi kudo që shkoj – edhe në Heathroë, edhe në Londër, edhe në Athinë, në Tiranë po e po. Është përgjigjja e të njëjtës pyetje: pse largohen shqiptarët? dhe Rama, ku i ke shokët?
Është e njëjta përgjigje: 7 x 7 = 313.
Përgjigjja është: korrupsioni.
Korrupsioni është pengesa kryesore për zhvillimin ekonomik të shqiptarëve.
Është pengesa kryesore për prosperitetin tonë si vend.
Është faqja e zezë e Shqipërisë në skenën ndërkombëtare – këtu në Angli e anembanë botës.
Nuk ka asgjë që na e nxin faqen më shumë se korrupsioni i shtetarëve, i qeveritarëve shqiptarë.
Çfarë mendon një britanik kur sheh që kryeministrit të vendit i kapet zëvendëskryeministri në afera korruptive të tmerrshme?
Dhe në vend që ta ndalojë, i jep dy javë kohë që të arratiset.
Pastaj kapet kryebashkiaku i kryeqytetit, me një rrogë 1800 paund në muaj, por që shpenzon vetëm për të brendshme dhe për bizhuteri 1 milionë euro.
Çfarë mendon një politikan, një drejtues britanik, kur ministri i Brendshëm që duhet të luftojë krimin, kapet, arrestohet, gjykohet, dënohet për bashkëpunim me krimin?
Çfarë mendon një drejtues apo anëtar i kabinetit britanik, apo i Bashkimit Europian, kur paratë e taksapaguesve europianë, që duhet të shkonin për të ndihmuar fermerët shqiptarë, vidhen dhe shpërdorohen?
Pra, kur babëzia nuk ndalet te vjedhja dhe shpërdorimi i taksave të shqiptarëve, janë kaq të pacipë saqë vjedhin edhe taksat e europianëve.
Korrupsioni është pengesa kryesore, ndaj ajo që na mbledh sot në këtë sallë nuk është thjesht një angazhim për një betejë për jetë a vdekje për të nesërmen e Shqipërisë më 11 maj – është një vetëdije se asgjë s’mund të bëhet, absolutisht asgjë e mirë s’mund të bëhet në Shqipëri pa i dhënë goditjen vendimtare korrupsionit të politikës shqiptare.
Këtu jemi sot: përfaqësuesit politikë të Koalicionit Euroatlantik, numrit 4 në fletën e votimit, dhe njerëz që vijnë së pari e mbi të gjitha si qytetarë të vendosur, të përbetuar në luftën kundër korrupsionit; të përbetuar në mbështetjen 100% të SPAK-ut për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve të korruptuar shqiptarë.
Pa luftuar korrupsionin, asgjë e mirë nuk mund të ndodhë me Shqipërinë.
Anëtarësimi në BE dhe përrallat me pasaportë europiane janë të pamundura pa çuar para drejtësisë të gjithë ata që kanë shpërdoruar besimin, taksat dhe kanë vjedhur pasuritë e shqiptarëve.
Kreu i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, nga Londra ku mbajti një takim me emigrantët, duket se ka 'thumbuar' Ilir Metën, duke i përmendur pronat në Londër. Basha thotë se pasuritë e vjedhura të shqiptarëve nuk janë vetëm në Shqipëri, por edhe përtej saj, duke shtuar se disa kanë "prona dhe dyqane në Londër".
"Angazhimi ynë në 1 qershor, është themelimi i njësisë së rikuperimit të pasurive të vjedhura. Pasurive të vjedhura të shqiptarëve. Dhe këto pasuri, siç e dini fare mirë ju vëllezërit dhe motrat tona në Londër, nuk janë vetëm në Shqipëri, nuk janë vetëm në Tiranë apo në bregdet, janë dhe jashtë Shqipërisë. E dini fare mirë ju.
Janë dhe këtu në Londër. Dyqane, prona të patundshme. Politikanëve shqiptarë me 2 mijë euro në muaj sa dyqane mund të blesh në Londër? Sa biznese të suksesshme mund të kesh në Londër me 1800 euro në muaj saç është rroga e drejtorit të tatimeve? Se i bie që çmimet këtu të jenë më të ulëta se në Pukë. Apo jo?
Unë e di që në UK, është pak më shtrenjtë se në Pukë, apo jo? E pra, nëjsia e rikuperimit të pasurive të vjedhura ka këtë detyrë: Të gjurmojë me mjete aktive të hetimit pasuritë e politikanëve të korruptuar shqiptarë që në fakt nuk janë pasuritë e tyre, janë pasuritë tuaja, janë pasuritë e të afërmve tuaj.", u shpreh Basha.
Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me shqiptarët në Londër. Në fjalën e tij, Basha foli për premtimet boshe të kryeministrit Edi Rama siç është ai e pasaportës europiane, që sipas tij është i njëjtë si zotimi që bënte në 2021-in me aeroportin e Kukësit që sot nuk shërben për asgjë.
Ai tha se integrimi europian i Shqipërisë dhe korrupsioni i Edi Ramës janë në konflikt interesi dhe se BE nuk pranon vende që qeverisen nga njerëz të korruptuar.
“Ju thash isha në Dibër e në Kukës. Normalisht nga Dibra për në Kukës, ata që janë nga zona i bie nga rruga e rinisë. E kur del për të zbritur në qytet, sheh aeroportin e Kukësit. A e mbani mend se si në zgjedhjet e kaluara në 2021-in, rahu gjoksin dhe ju tha çunat e Londrës, do vini këtu në shtëpinë tuaj në Kukës për dy orë. Më shpejt se nga Tirana, do vini nga Londra në Kukës. Do vini nga Londra në Kukës e do ju pres unë të vini këtu. Do vini një herë, dy herë, pesë herë në javë sa herë të doni, ja ku e keni aeroportin e Kukësit. Sa kanë shkuar nga Londra në Kukës. As kuksian, as hasjanë, as gjakovarë, fare, fare, fare. Por u del boja atyre stikerave që janë të ngjitme në autostradë, tek trau që thonë për kaq euro, Londër-Luton-Kukës. Pse? Sepse Eurocontrol, Agjensia Europiane, hyn dhe Kontinentale pasi bën pjesë dhe Britania nuk i dha çertifikatën. Dhe i vetmi fluturim ishte një që u ngjit nga Londra, shkoi në Tiranë, zbritën në Tiranë pastaj hipën dhe shkuan në Kukës. I njëjti fat që pati premtimi për Aeroportin e Kukësit. Të njëjtin fat ka dhe premtimi i Edi Ramës për pasaportë europiane me Edi Ramën kryeministër. Nuk ka pasaportë europiane me Edi Ramën kryeministër, sepse integrimi europian dhe korrupsioni i qeverisë së tij, janë në konflikt interesi me njëri-tjetrin. Kaq është e qartë. Historia e vendeve të tjera në integrimin europian, tregon që pa u ndëshkuar autorët e korrupsionit qeveritar ato vende nuk bëjnë përpara. Kujtojeni Kroacinë. E mbani mend kryeministrin e Kroacisë për një orë dore i filloi hetimi penal. Pse? Bashkimi Europian nuk mund të pranojë vende që qeverisen nga njerëz që janë aty për t’i shërbyer vetes së tyre dhe jo qytetarëve të tyre. Ky është realitet sot në Shqipëri” – tha Basha.
Komente

PO SA SHUME VETA PASKEN QENE NE SALLE....YYYYYYYYYY AHAHAHA
Përgjigju