Politikë

Kocaqi për Report Tv: Zgjedhjet i prishin dy partitë e mëdha, duhet poli i tretë i forcave të reja! Ndryshim i Kodit Zgjedhor, komisionet të mos jenë politike

22 Maj, 19:49| Përditesimi: 22 Maj, 20:07

  • Share

Studiuesja dhe historiania Elena Kocaqi drejtoi për herë të parë një parti politike në zgjedhje parlamentare, formacionin Aleanca Kombëtare Shqiptare, i krijuar që prej muajit shkurt, teksa nuk arriti të merrte rezultat pozitiv apo të përkthente votat në mandat deputeti.

E ftuar ditën e sotme në ‘Studio Live’,ajo u shpreh se këto ishin zgjedhje të këqija, ku njerëzit kishin frikë të vinin në takime dhe nënvizoi se Shqipëria ka nevojë për një pol të tretë politik opozitar të bashkuar dhe për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.

“Zgjedhjet më të keqija, situata në terren ishte e frikshme. Njerëzit nuk vinin në takime, thoshin kemi frikë se kemi njerëz në punë, edhe pse shpreheshin se do votonin. Kam parë një agresivitet shumë të madh nga terreni politik, që nuk e dija se ishte kaq i madh. Partitë e përdorin shtetin sipas interesave personale, krijojmë shtet privat, për liderin, për një njeri. Lapaj mori më shumë vota nga ne sepse ai është më i vjetër në politikë, ka dy vjet, kurse ne e nisëm në muajin shkurt. Nuk ka qenë e lehtë për ne. Edhe për Shehajn ishte më e lehtë, edhe për Qorin, ishin në debate, televizione, media për të folur. Politika nuk i do njerëz të nivelit tim. Pavarësisht problematikave që kishte procesi,votat për ne nuk janë aq sa duhet”, u shpreh Kocaqi në ‘Studio Live’.

Ajo nënvizoi se do vijonte betejën politike në dy fronte, në një pol opozitar të gjerë të bashkuar, si dhe në atë juridike për ndryshimin e këtij Kodi Zgjedhor të bërë nga PD dhe PS, që kanë marrë peng sistemin.

“Do vijojmë betejën tonë juridike dhe politike. Do jemi pjesë e luftës me partitë e tjera opozitare, madje problematikat vijnë nga faktori mashkull dhe jo femër në politikë. Në aspektin juridik do ndjekim çështjen në Kushtetuese, sepse sistemi është i padrejtë, prodhon mandate të padrejta. Po kalojmë në një lloj diktature që nuk ka lidhje fare me demokracinë. Ka kontestime të votës, ka pasur problematika me ndërhyrjet në zgjedhje. Edhe SPAK nuk veproi, edhe pse kishte Task-Forcë, nuk kishte ekip për të vepruar për t’i kapur. Vota e diasporës e parregullt, me problematika të shumta”, tha kryetarja e partisë së re AKSH.

Kocaqi mendon se zgjedhjet i prishin dy partitë e mëdha, për interesat e tyre.

“Këta i prishën zgjedhjet. Të gjithë problematikën më të madhe e sjellin PS dhe PD. Nëse doni votime, komisionet zgjedhore duhet të jenë të pavarura dhe jo të partive politike. Dhe ata bëjnë me njëri-tjetin politikë, Rama dhe Berisha e mbajnë njëri-tjetrin në politikë dhe gënjejnë publikun. Shpenzimi 10 mln euro për kompaninë postare DHL ishte i tepruar me aq shumë problematika që u shkaktuan, ndërkohë që shumë nga partitë bënë fushatë pa lekë, pasi buxheti i shtetit nuk i dha”, përfundoi historiania dhe studiuesja që tani drejton një formacion politik.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Operacioni Ura, si e vlerësoni punën e SPAK ndaj grupeve kriminale?