Politikë

Zgjedhjet/ Koçi për Report Tv: Rama në listën e hapur do shkatërronte garën, PS merr 80 mandate! Kam qenë kundër këtij sistemi, sjell deformime dhe e detyron elektoratin të gënjejë (VIDEO)

10 Mars, 14:58| Përditesimi: 10 Mars, 16:31

  • Share

Dita e 12 marsit po afron dhe ‘ethet’ elektorale kanë përfshirë dy partitë e mëdha dhe në veçanti kandidatët për listat e mbyllura dhe të hapura të deputetëve, që do dorëzohen në KQZ.

Kreu i mazhorancës, Edi Rama, në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së sot në Kuvend, bëri me dije se në listat e mbyllura do jenë shumica emra të rinj dhe të deleguarit e qarqeve. Ai deklaroi se të gjithë deputetët me një mandat e sipër, do të ishin në listat e hapura dhe nëse nuk dëshironin mund t’ia paraqisnin refuzimin të deleguarit të qarkut.

Në lidhje me këtë temë, në studion e ‘Sot Live në Shqipëri’ ishte i ftuar deputeti socialist Petro Koçi dhe gazetarja e Report Tv, Esiona Konomi.

Ligjvënësi socialist tha për moderatorin Nertil Agalliu se nuk kishte ende dijeni nëse do të jetë në listën e hapur, por u shpreh se ka qenë kundër këtij sistemi elektoral të listave të hapura për disa arsye madhore, pasi krijojnë më shumë konfuzion në elektorat, përveç problemeve të brendshme.

Gjithsesi ai u shpreh se PS pritet të marrë më shumë mandate nga zgjedhjet e kaluara të 2021 dhe më 11 maj llogariten deri në 80 deputetë, pavarësisht se kush do jetë në lista. Ai pohoi se përfshirja e senatorëve dhe deputetëve te listat e hapura shton garën dhe rrit votat.

Kurse për kandidimin e Edi Ramës u shpreh se futja e tij në listën e hapur e vret garën.

“Tashmë 13 drejtues të deleguar në qarqe i kanë dorëzuar listat dhe emrat te kryetari Edi Rama. Nëse Rama do jetë në listë të hapur, ai do shkatërronte garën. Rama ka shumë mundësi eksperimenti në listën e mbyllur. Deputetët pa zonë elektorale, siç jam unë, kanë më pak shanse. Ka dhe trafik influencash. Tani nuk ka më kohë më për mendime, në datën 12 dorëzohen.

Por unë kam qenë totalisht kundër listave të hapura. Do krijojë tension të jashtëzakonshëm brenda partive dhe në elektorat. Imagjinoni do i shkojnë votuesit 5 apo 6 kandidatë për votën dhe çfarë do bëjë, njërin do votojë, të tjerët do i gënjejë. Do mësohet elektorati të jetë hipokrit, të gënjejë, ndaj isha totalisht kundër. Ky është një sistem që sjell shumë deformime. Ne si parti do e kemi këtë vështirësi. Do kemi 186 përballë, duke llogaritur të hapurat me 140 dhe të mbyllurat me 46.

Mund të na prishin edhe punë, ndaj them se ishte e gabuar. Tani nuk ka më as kohë ndaj do punohet me këtë sistem”, shprehet deputeti Koçi për Report Tv.

Më tej thekson edhe vështirësitë e listës, teksa sqaron se përgjegjësinë kryesore e kanë të deleguarit e qarqeve që dorëzojnë emrat, pasi kryeministri mund të bëjë vetëm korrigjime të vogla dhe të nevojshme. Por ai beson se pavarësisht kësaj, duke llogaritur edhe votën e diasporës me një përqindje të përafërt në marzh elektoral, fitorja më 11 maj shkon te 80 mandate.

“Ai që bën listën e ka më të vështirë sepse kur del lista nisin edhe interpretimet pse isha unë, ose pse ishe ti. Por objektivi ynë do arrihet, të gjithë do luftojnë për vota, mendimi im është se shkon tek numri i 80 mandateve. Lojë politike dhe aritmetike. Marzhi i fitores do jetë edhe më i lartë se zgjedhjet e kaluara. Violinë e parë janë deleguesit në qarqe, ata kanë në dorë listën, edhe kryetari ka në dorë me korrigjime sipas rastit. Përgjegjësia kryesore është e të deleguarve në qarqe, pastaj e kryetarit. Ka disa të panjohura, si me votën e Diasporës, pasi ka qarqe ku me pak vota ndryshon peshorja. Por mendoj se përqindja e preferencës politike është aty-aty, jemi në atë ndarje apo pëlqim politik edhe të diaspora. Ndaj jemi optimistë”, shprehet Koçi, i cili pret të jetë në listën e hapur, edhe pse gara është e fortë.

Partitë apo koalicionet duhet të dorëzojnë lista me 186 kandidatë për deputetë, nga të cilët 140 të listës së hapur dhe 46 të listës së mbyllur.

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • koli: 10/03/2025 15:26

    PS KETE RADHE DO MARRE NOC RROKUN....PARTITE E REJA DALIN FITUESE.....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?