Koçiu: Shërbim dentar falas edhe të shtunën e parë të çdo muaji për të moshuarit

26 Tetor, 15:52| Përditesimi: 26 Tetor, 16:05

  • Share

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu deklaroi sot se Klinika Stomatologjike Universitare do të zgjerojë shërbimet e kujdesit dentar për moshën e tretë.

Gjatë një bashkëbisedimi me të moshuarit për të cilët ofrohen shërbime falas pranë kësaj Klinike, ministrja Koçiu ndau lajmin se për pensionistët do të ofrohen shërbime edhe të shtunën e parë të çdo muaji .

“Klinika Stomatologjike Universitare do të qëndrojë e hapur të shtunën e parë të çdo muaji për të moshuarit që kanë nevojë të shoqërohen nga një familjar, veçanërisht për ata të cilët nuk mund të vinë dot vetëm dhe kështu krijojmë mundësinë që të aksesohet nga sa më shumë të moshuar që të marrin shërbime dentare”, u shpreh Koçiu.

Koçiu theksoi se do të vazhdojnë të ofrojnë kujdes cilësor shëndetësor për të gjithë të moshuarit si dhe shërbime dentare në qendrat rezidenciale dhe ato ditore të të moshuarve duke ofruar shërbime terapeutike dhe proteza dentare. Të gjitha procedurat për realizimin e trajtimit ortopedik me proteza dentare do të realizohen në kabinetet dentare të lëvizshme duke ofruar asistencë dhe shërbim dentar aty ku dhe jetojnë.

“Kemi detyrimin që të ofrojmë kujdes shëndetësor për të gjithë të moshuarit nëpërmjet skemës së rimbursimit, kujdesit dentar siç e ofrojmë në këtë Klinikë. Drejtoresha e KSU ka marrë angazhimin që në të gjitha qendrat e të moshuarve të ofrojë kujdes dentar. Të merren masat për të gjithë ata që kanë nevojë për proteza dhe të ofrojmë proteza”, nënvizoi Koçiu

Gjithashtu, ministrja e Shëndetësisë gjatë bashkëbisedimit me një të moshuar foli edhe për planin e ri të qeverisë shqiptare për përmirësimin e skemës së pensioneve, që synon të jetë akoma edhe më dinjitoze për të gjithë të moshuarit.

Klinika Stomatologjike Universitare ka 8 njësi shërbimi kryesore: Kirurgji orale, Ortopedi, Ortodonci, Terapi, Pedotonti, Profilaksi dhe, Periodontologji dhe Sëmundje mukoze. Në Klinikën Stomatologjike Universitare shërbimi ofrohet falas për kategoritë në nevojë, gupmoshën 0-18 vjeç, nga komunitetit rom, rezidentet e institucioneve të përkujdesit social, të moshuarit si dhe personat që trajtohen me ndihmë ekonomike. Gjatë këtij 9-mujori, në Klinikën Stomatologjike Universitare, kanë marrë shërbim 9952 pacientë, prej të cilëve 2100 të moshuar  kanë marrë shërbime protetike dhe 3000 paciente të moshës së tretë kanë marrë shërbime Kirurgjikale.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?