Kronikë

Kodi i ri Penal/ Nga kolaudimi te kritikat për 'udhëheqësit', burg! Shpifja, komente gjyqësorit, fyerja...shqetësim fjala e lirë e media. Teknika legjislative ‘ngelëse’

5 Gusht, 15:54| Përditesimi: 5 Gusht, 16:59

  • Share

Kujdes! Me kodin e ri Penal, nëse drafti aktual do të hyjë në fuqi kështu siç është, rrezikon burg edhe për raste, që çdo dokument i ngjashëm në vendet perëndimore i konsideron si shkelje administrative. Nëse të ndodh të harrosh kolaudimin e makinës, shqetësohu! Kodi i ri penal parashikon burg deri në 2 vite për ata që nuk kryejnë kontrollin teknik të mjeteve.

Kujdes duhet të keni edhe me gjuhën e përdorur që mund të fyej publikisht autoritetin më të lartë shtetëror të vendit tonë, Presidentin. Neni 235 i cili përfshin penalitetet për përdhosjen e Republikës dhe simboleve të saj, parashikon ndër të tjera burg deri në 3 vite për përdhosjen e figurës së Presidentit, Kuvendit, këshillit të Ministrave etj. Sipas këtij neni, në rast se institucionet do t’i cilësosh të padobishme, do të tallesh apo t’i përçmosh ato, atëherë do kesh një llogari të hapur me ligjin.

Neni për fyerje ndaj ‘udhëheqësve’ nuk është i vetmi që shqetëson në drejtim të fjalës së lirë dhe mendimit kritik. Me dokumentin e propozuar për Kodin e ri Penal të vendit në nenin 865 për shpifjen, dënimet rriten ndjeshëm në dy raste, kur shpërndahet nëpërmjet kanaleve mediatike si kur bëhet ndaj mbajtësve të funksioneve publike. Sipas propozuesve përhapja e qëllimshme e deklaratave rreth një fakti specifik të rremë dhe ofendues, si dhe/apo çdo informacioni tjetër të rremë, dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë deri në një milion e pesëqind mijë lekë, ndërsa kur kjo vepër kryhet nga mediat dhe rrjetet sociale në internet, dënimi dyfishohet. Sigurisht dekriminalizimi i shpifjes, siç kërkohet jo vetëm nga mediat por edhe nga Bashkimi  Evropian mbetet larg.

Në të njëjtën hulli edhe neni 536 (Ndikimi në pavarësinë e gjykatës) është veçanërisht shqetësues. Deri në 3 vite burg dënohen, sipas propozuesve të draftit, komentet që sipas tyre ndikojnë në aftësinë e gjykatës për të marrë vendimet. Një formulim i përgjithshëm që mund të shndërrohet në një armë kundër medias dhe mendimit kritik.

Të kujdesshëm duhet të jenë edhe punonjësit e administratës apo ata që mbajnë funksione publike, pasi edhe pranimi i çfarëdo dhurate që do t’u bëhet, në çfarëdo lloj vlere do të dënohet me burgim deri në 3 vite. Një nen që me togfjalëshin “dhuratë të çfarëdolloji” lë shumë hapësirë për abuzim.

Dënimi është i ashpër, 2-7 vite burg, për zyrtarët publik që sipas nenit 314 janë pasuruar në mënyrë të paligjshme dhe nuk justifikojnë të ardhurat e tyre. Neni është kritikuar nga shumë profesionistë të ligjit pasi është abuziv dhe ia kalon barrën e provës të akuzuarit, ndërkohë që në sistemin tonë është prokuroria ajo që duhet të vërtetojë akuzat. Nëse pasurimi është i paligjshëm a nuk do të mjaftonte dënimi për krimin që të ka bërë të pasur: korrupsioni, vjedhja, trafiqet etj?

Kodi i ri Penal mëton të rregullojë edhe sjelljet jo të përshtatshme morale për shoqërinë tonë, siç është bigamia. Ndonëse bigamia, apo lidhja e dy ose më shumë martesave në të njëjtën kohë, ligjërisht nuk mund të kryhet, ajo do të dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Ligji kap edhe ata shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, e kanë lidhur martesë të dytë në një shtet të huaj. Neni 742 për Bigaminë ngre pikëpyetje për mënyrën e zbatimit brenda territorit, për shumë gra e burra që mund të mbajnë paralelisht një martesë ligjore e një bashkëjetesë.

Drafti ka edhe absurditete si dënim me burgim nga pesë deri në dymbëdhjetë vjet për ata që duan të bëjnë një klonim njeriu në Shqipëri, në një kohë kur në vend mjekësisë i mungojnë aparatura thelbësore.

Ligji merr përsipër të rregullojë edhe tarifat që do të përfitojnë profesionistët e lirë nga ofrimi i shërbimeve të tyre. Avokatët, këshilltarët apo personat që ofrojnë ndihmë sipas ligjit, në rast se abuzojnë me vlerën që i kërkojnë qytetarit do të dënohen me burg deri në 3 vite. Por neni 573 nuk përcakton as tavan e as dysheme, e rrjedhimisht as se cilat do të duhen tarifa të papërshtatshme, çka mund t’a bëjë abuziv zbatimin e tij dhe ka ngritur alarmin, sidomos te komuniteti i avokatëve.

Në rreth 950 nenet e tij, drafti i Kodit të ri Penal sipas ekspertëve ka gjuhë të vështirë, ndonjëherë të pakuptueshme, në kundërshtim të hapur me rregullat elementare të teknikës legjislative: Ligji duhet të jetë i kuptueshëm nga të gjithë.

 

K.T./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Parku Rinia: 06/08/2025 09:43

    Ne me pak se 11 muaj, me urdherin/hizen e Kryeministrit Edi Rama e te mazhorances "socialiste", por realisht ne fryme edhe te "Rithemelimit"/Demokratet e Sali Berishes e te partive te vjetra e te vjeteruara...), jane ngritur dy grupe pune, te perbere vetem me eksperte shqiptare "te nivelit nderkombetar" (nuk njihen akreditimet e certifikimet e tyre nderkombetare!). I pari eshte ai per antikorrupsionin i njohur si "Komisioni Xhafaj", i cili ka vene ne pune, me pagesa (honorare) ne shifra domethenese e te perjashtuar 'ad hoc' nga taksat, 53 eksperte shqiptare "te nivelit nderkombetar" (nuk njihen akreditimet e certifikimet e tyre nderkombetare, duke filluar nga vete kryetari e promovuesi Fatmir Xhafaj! ----- secili nga keta eksperte te grupit te punes a e kane deposituar zyrtarisht me firme ekspertizen e tyre, sic eshte procedura dhe praktika nderkombetare?) ?!. I dyti eshte ky grupi per rishikimin e Kodit Penal, te cilit nuk ia njohim ende emrat e dhjetera eksperteve "te nivelit nderkombetar" (nuk njihen akreditimet e certifikimet e tyre nderkombetare, duke filluar nga vete promovuesi Ulsi Manja, e drejtuesit Arben Rakipi e Sokol Sadushi! ----- secili nga keta eksperte te ketij grupi pune a e kane deposituar zyrtarisht me firme ekspertizen e tyre, sic eshte procedura dhe praktika nderkombetare?), te gjithe shqiptare, e pagesat (honoraret) e tyre, sepse nuk jane bere transparente. ----- Pas Reformes ne Drejtesi ne vitin 2016, e vecanerisht pas fillimit te punes se SPAK-BKH e GKKO, eshte risjelle ne qeverisje e ne ligjvenie koncepti 'enverist' edhe ne forme edhe ne permbajtje, "cdo gje me forcat tona!", koncept, forme, objektiva, metode e rezultate "pune" teresisht anti euro-atlantike, haptazi ne mbrojtje e ne shpetim te nje kaste (politikisht 360°, e cila ka grabitur pasurite kombetare e private te Shqiperise e te shqiptareve), e si te tilla, jane haptazi te papranueshme per anetaresimin ne Bashkimin Europian.

    Përgjigju
  • Iris: 06/08/2025 03:51

    Thuheni shkurt e prere:Kodi i ri Penal,lindi i vdekur! Duhet ribere nga e para e te gjenden modele te tjera ku te mbeshtetet.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Zjarrvënia e qëllimshme njësoj si vrasja, si ju duket propozimi i Ramës?