Kodi i ri Zgjedhor/ Mbyllja e listave në 1/3-at, aleatët kundër paktit të Berishës me PS! Dashamir Shehi i pari që e padit në Kushtetuese, kërkon shfuqizimin

29 Gusht, 10:16| Përditesimi: 29 Gusht, 15:08

  • Share

Pas një beteje të gjatë politike dhe bisedimesh të dështuara në tavolinë, që u finalizuan me marrëveshjen dhe votimin PS-PD në Parlament, vjen edhe reagimi i partive të vogla opozitare.

Që në krye të herës, aleatët e PD nuk kanë qenë dakord me përfundimin e negociatave dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Sot, (29 Gusht), njoftohet se është dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese edhe padia e parë nga partitë e vogla opozitare, për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Ato kundërshtojnë paktin “PS-PD” me Grupin e Dialogut Gjiknuri-Bylykbashi, për mbylljen e listave në 1/3 e tyre, dhe hapjen e 2/3-ve, duke kërkuar shfuqizimin e këtij neni.

Padia e parë është nënshkruar nga Dashamir Shehi, në cilësinë e kryetarit të LZHK-së dhe është dorëzuar nga avokati Rezart Kthupi. Teksa dilte nga institucioni, ai i tha mediave se e ka dorëzuar padinë në emër të partisë së Shehit, pasi partitë e vogla opozitare kanë mendime të ndryshme juridike dhe vendosën që paditë t'i bëjnë të veçanta.

“Nga momenti i hyrjes në fuqi jemi përpjekur të adresojmë në mënyrë të përbashkët problematikën, duke pasur parasysh që mendimet juridike janë të ndryshme, kemi vendosur që secili të bëjë padi të veçantë", tha Kthupi.

Më herët debate ka pasur edhe për votën e Diasporës, por që partitë e mëdha deklaruan se e përfshinë në ndryshimet e fundit para se ta votonin.

Pas një seancë maratonë më 26 Korrik, Kuvendi miratoi me 106 vota pro, 2 kundër dhe asnjë absetim, ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor që parashikon që lista e deputetëve nuk do të jetë tërësisht e hapur. 1/3 do të jetë e mbyllur dhe ekskluzivitet i kryetarit të partisë dhe nuk i nënshtrohet votës preferenciale.

Ndërsa kandidatët në 2/3 e listës do të luftojnë për të fituar qoftë edhe një votë më shumë se të tjerët. Partitë e vogla kërkojnë përmbysjen e këtij raporti në Kushtetuese. Për herë të parë do të votojnë shqiptarët që jetojnë jashtë.

A.Q//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?