Kodi Penal/ Neni që liron të dënuarit e përjetshëm, 5 krimet që s’falen kurrë

16 Shkurt 2019, 07:44| Përditesimi: 16 Shkurt 2019, 07:52

  • Share

Lirimi nga burgu i Gert Gjinararit, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e të fortit të Tiranës, Naim Zyberit, në vitin 1997 në Itali, mund të pasohet me lirime të tjera të të dënuarve, të cilët kanë lënë gjurmë me krimet e tyre në historinë e pluralizmit shqiptare. Dy janë kushtet që po shfrytëzojnë të dënuarit me burg për jetë për të lënë qelitë: Një hapësirë në Kodin Penal si dhe gjyqtarët, të cilët nuk kanë asnjë shpresë për të kaluar Vetingun, ku për rrjedhojë po shfrytëzojnë ditët dhe javët e fundit që u kanë mbetur në detyrë, duke marrë vendime skandaloze, në këmbim të interesave financiare. Neni 65 i Kodit Penal i ndryshuar në nëntor të vitit 2008 dhe në mars të vitit 2017, parashikon që i dënuari me burgim të përjetshëm mund të lirohet me kusht nga burgu. Konkretisht, Kodi Penal i ndryshuar në vitin 2008 parashikon që i dënuari me burgim të përjetshëm mund të lirohet me kusht nga burgu, vetëm në raste të jashtëzakonshme, kur ka vuajtur njëzet e pesë vjet burgim dhe nëse ka mbajtur sjellje shembullore.

Në vitin 2017, ligjvënësit e forcuan më tej këtë nen, i cili megjithatë për shfrytëzohet nga gjyqtarët. Neni 65 i Kodit Penal i ndryshuar në mars të vitit 2017, në kuadër të reformës në drejtësi, parashikon që i dënuari me burgim të përjetshëm mund të lirohet me kusht nga burgu, vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe kur ka vuajtur jo më pak se tridhjetë e pesë vjet burgim. Gjithashtu, i dënuari duhet të ketë mbajtur sjelljes shembullore si dhe dënimi duhet t’ia ketë arritur qëllimit për edukimin e tij. Ligjvënësit shtuan me 10 vite të tjera kufirin e dënimit, kur një i dënuar me burgim të përjetshëm mund të lirohej nga burgu me kusht. Këto dy ndërhyrje në Kodin Penal, edhe pse në 2017 janë ngrushtuar hapësirat në Kod, po shfrytëzohen këto ditë nga gjyqtarët për të liruar nga burgu të dënuarit me burgim të përjetshëm. Në burgjet shqiptare vuajnë dënimin mbi 200 të dënuar me burgim të përjetshëm. Nëse Kuvendi nuk merr masa për ndryshimin e këtij neni apo pezullimin e zbatimit të tij deri kur të përfundojë procesi i Vetingut, në ditët dhe javët në vijim, mund të lirohen të dënuar të tjerë me burgim të përjetshëm.

5 veprat që nuk falen

Në paketën e ndryshimeve në Kodin Penal në mars të vitit 2017 janë përcaktuar për herë të parë të dënuarit me burgim të përjetshëm, për të cilët është i ndaluar lirimi me kusht. Nenit 65 të Kodit Penal i është shtuar një paragraf, kur përcaktohen 5 vepra të rënda penale, autorët e të cilëve nuk mund të përfitojnë kurrë lirim me kusht. Konkretisht, nuk mund të përfitojnë kurrë lirim me kusht të dënuarit me burgim të përjetshëm për vrasje për gjakmarrje, për vrasjen e funksionarëve publikë, për vrasjen e punonjësve të Policisë së Shtetit si dhe për vrasje brenda familjes. Gjithashtu, nuk mund të lirohen me kusht të dënuarit e përjetshëm për kryerjen e marrëdhënieve seksuale dhe homoseksuale me të mitur, kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e fëmijës së mitur.

Terreni

Dy janë kushtet që po shfrytëzojnë të dënuarit me burg për jetë për të lënë qelitë: Një hapësirë në Kodin Penal si dhe gjyqtarët, të cilët nuk kanë asnjë shpresë për të kaluar Vetingun, ku për rrjedhojë po shfrytëzojnë ditët e fundit në detyrë, duke marrë vendime skandaloze, në këmbim të interesave financiare.

Ndalimi

Në paketën e ndryshimeve në Kodin Penal në mars të vitit 2017 janë përcaktuar për herë të parë të dënuarit me burgim të përjetshëm, për të cilët është i ndalur lirimi me kusht.

Neni 65 i Kodit Penal i ndryshuar në datë 30.3.2017

1. Nuk lejohet lirimi me kusht për të dënuarin me burgim të përjetshëm.

2. Vetëm në raste të jashtëzakonshme i dënuari me burgim të përjetshëm mund të lirohet me kusht kur: Ka vuajtur jo më pak se tridhjetë e pesë vjet burgim dhe, gjatë vuajtjes së dënimit ka mbajtur sjellje shembullore dhe çmohet se i është arritur qëllimit të dënimit për edukimin e tij.

3. Nga ky rregull, përjashtohen të dënuarit për veprat penale të parashikuara në nenet 78/a, 79/a, 79/b, 79/c dhe paragrafi i tretë i nenit 100.

Neni 65 i Kodit Penal i ndryshuar në datë 27.11.2008

Nuk lejohet lirimi me kusht për të dënuarin me burgim të përjetshëm. Vetëm në raste të jashtëzakonshme i dënuari me burgim të përjetshëm mund të lirohet me kusht kur: Ka vuajtur jo më pak se njëzet e pesë vjet burgim dhe, gjatë vuajtjes së dënimit ka mbajtur sjellje shembullore dhe çmohet se i është arritur qëllimit të dënimit për edukimin e tij.

Të dënuarit e përjetshëm që nuk mund të lirohen kurrë me kushtet

Neni 78/a

Vrasja për gjakmarrje

Vrasja me dashje për gjakmarrje dënohet me burgim jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.

Neni 79/a

Vrasja e funksionarëve publikë

Vrasja me dashje e deputetit, gjyqtarit, prokurorit, avokatit, ushtarakut apo e funksionarëve të tjerë publikë, gjatë detyrës ose për shkak të saj, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura, dënohet me burgim jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.

Neni 79/b

Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit

Vrasja me dashje e punonjësve të Policisë së Shtetit, gjatë detyrës ose për shkak të saj, kur cilësitë e viktimës janë të dukshme ose të njohura, dënohet me burgim jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.

Neni 79/c

Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare

Vrasja me dashje e personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, dënohet me burgim jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm.

Neni 100

Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur

Kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me fëmijë të mitur, që nuk ka arritur moshën katërmbëdhjetë vjeç ose me të miturën që nuk ka arritur pjekurinë seksuale, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Kur marrëdhënia seksuale ose homoseksuale kryhet në bashkëpunim, më shumë se një herë ose me dhunë, ose kur i janë shkaktuar fëmijës së dëmtuar pasoja të rënda për shëndetin, dënohet me burgim jo më pak se njëzet e pesë vjet.

Kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen ose vetëvrasjen e fëmijës së mitur dënohet me burgim jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.

G.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?