Katër muaj nga 8 Maji 2020 ditë kur hyri në fuqi kodi penal me parashikimet shtrënguese për parandalimin e përhapjes së Covid-19, gjithçka ka mbetur vetëm në letër.
Nisur nga komunikatat e përditshme të policisë së shtetit rezulton se askush nuk është proceduar penalisht sipas kodit penal i cili në ndryshimet e pësuara ka edhe gjobë edhe burgim duke detyruar policinë të referojë materialet pranë prokurorisë për çdo shkelës.
Referuar ndryshimeve në kodin penal në nenin 242/a për shkeljet si “Moszbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me aktet ligjore apo nënligjore të nxjerra nga organet shtetërore, në funksion të gjendjes së epidemisë apo të zbatimit të masave të jashtëzakonshme, nga personi, ndaj të cilit është dhënë më parë masë administrative, përbën kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj. Po kjo vepër, kur është kryer në ushtrim të aktivitetit tregtar, duke vendosur në rrezik shëndetin e njerëzve, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet’’.
Moszbatimi i urdhrit të dhënë nga organet kompetente për karantinim ose izolimin, apo shkelja e rregullave të karantinës ose të izolimit nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive, të cilit i është njoftuar ky detyrim nga autoritetet shtetërore përkatëse, dënohet me burgim nga dy deri në tre vjet.”
Deri para hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve ligjore sipas policisë së shtetit janë 24 shtetas të gjobitur me 700 mijë lekë gjobë sipas aktit normative datë 15 mars 2020, neni 3.
Qytetari i parë i gjobitur për thyerje karantine ishte 29-vjeçari nga Dibra me iniciale E.S. Por pas hyrjes së kodit që parashikon dënimin me burg nuk ka asnjë të proceduar.
Një tjetër pikë e fortë e nenit është edhe parashikimi i aktivitetit tregtar të ndaluar në kohë pandemie. Sipas kodit ushtrimi aktivitetit tregtar të ndaluar si në rastin e dasmave në lokale ka gjobë ose burgim, por edhe pse ka lokale të gjobitura nga dy ose tre herë s’ka asnjë të arrestuar. Kjo situatë ka sjellë edhe reagime nga shumë pronarë lokalesh të cilët denoncojnë se në ushtrimin e këtij aktiviteti ka selektivitet.
Rasti më i fundit ku një person u kap teksa udhëtonte me autobus edhe pse ishte pozitiv me covid i përket dy ditëve më parë ku 55-vjeçari diagnostikuar pozitiv në vend të qëndronte i karantinuar 14 ditë vazhdoi udhëtimin drejt Greqisë.
Ai u ekzaminua në një klinikë private e cila thotë se ka njoftuar Institutin e Shëndetit Publik, i cili ka për detyrë të njoftojë mjekët lokalë dhe policinë e shtetit. Por ky rast nxori në pah se kontrolli në territor nuk është aq serioz sa të detyronte izolimin e të moshuarit.
Sipas kodit penal edhe në këtë rast ka një parashikim “Përhapja e sëmundjeve infektive kryer nga pakujdesia, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.
E nëse shkakton pasoja të rënda për shëndetin ose rrezik për jetën e njerëzve, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet.