Kamala Harris

Koha e batutave mbaroi

25 Korrik, 12:21| Përditesimi: 25 Korrik, 12:22

  • Share

Nuk ka pasur lidhje vonesa e Biden-it me pavendosmërinë e tij për të dhënë dorëheqjen, por me kushtet me të cilat do të bëhej. Luani i vjetër donte të ishte faktor në përcaktimin e pasardhësit/es dhe ia doli: Do jetë Kamala Harris. E cila nuk vonoi të nxjerrë thonjtë.

Një Biden i cili komandohet nga gruaja, nga lobet apo familjet është një përrallë. Nuk arrin dot aty ku ishte ai nëse nuk ke stofën, dhe Biden e kishte. Me Kamala Harris ai bëri dy goditje: La një trashëgimi demokrate të gjeneratës së re dhe gjithashtu një trashëgimi personale.

A do ia dalë Kamala? Kundër saj janë disa faktorë: koha e shkurtër deri në zgjedhje, mungesa e unitetit të demokratëve për kandidaturën e saj, e para femër e për më tepër me ngjyrë dhe e brezit të parë lindur në SHBA, një jetë e trazuar sentimentale dhe financimi i fushatës. Kaq.

Tani fillojnë avantazhet. Trump-i dhe stafi i tij me siguri do ta sulmojnë për të qeshurën. Personalisht mendoj se Kamalën e konkurrojnë vetëm Tom Cruis dhe Densel Washington. Ka një të qeshur ngjitëse dhe rrëzëllitëse dhe vetëm shokëve të Trump-it mund t’u duket disavantazh. Mund ta sulmojnë për jetën sentimentale, por në një botë gjithmonë e më mendjehapur, të jesh martuar me dikë që e ka martesë të dytë, nuk është sakrilegj.

Për më tepër që Trump-i nuk është Papa i Romës, e ca më tepër ka nja tri histori martese dhe pagesa në të zezë me aktore porno. Vërtet i qëndroi si burrat një atentati, por po flasim për një vend ku përplasjet me armë janë në rend të ditës, ku qarkullojnë sindozot 400 milionë e kusur armë për 330 milionë banorë e që është vazhdimisht në luftë diku me dikë. E pas kësaj fillon e përpjeta e Trump-it. Është 20 vjet më i madh se Kamala. Ai 3 vjet diferencë që kishte me Biden, iu kthye mbrapsht.

Shumë donatorë fushatash, përfshirë ata të Silicon Walley kanë filluar të ndërrojnë kursin e parave në drejtim të Harris-it, ose po i diversifikojnë ato. Dhe kjo pa kaluar 24 orë.

Rinia, e cila në përgjithësi është demokrate dhe që me Biden nuk e shikonte veten të përfaqësuar, po fillon të ndërrojë mendim dhe të paraqitet në kutitë e votimit në nëntor.

Trump-i nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen në një debat më Harris-in. Kjo jo vetëm si mospërfillje, por se përballë nuk do të ketë më një Biden të shquar për lapsuse edhe në rininë e tij, por do të ketë një ish-prokurore të mësuar me debatet në salla gjyqi dhe me goditje nën brez.

Tashmë Trump-i nuk mund ta kalojë radhën me batuta populiste, por duhet të përballet me dikë që e njeh zanatin e debatit publik.

Ajo që realisht do t’i duhet të përballet Harris-i janë tema e ekonomisë. Biden po e lë më mirë sesa e mori, por edhe në një botë gjithmonë e më globale dhe konkurruese ku tema përveçse konkurrenca me Kinën është edhe shpërndarja e drejtë e pasurisë. Kujdesi shëndetësor i cili nuk përfshin 130 milionë amerikanë është një tjetër histori djegëse e vendit që shpenzon për shëndetësinë më shumë përqindje të GDP-së e krahasuar me çdo vend tjetër në botë, por 30% nuk marrin dot as shërbimin e urgjencës.

Përfshirjes në kujdesin social edhe të atyre që themeluan Amerikën, e mashkullit të bardhë që shkon në luftë në emër të flamurit me shirita e yje, është straight, nuk është vegjetarian, mban familjen, paguan taksat, punon më miniera dhe nuk ka as mbulim shëndetësor dhe as programe sociale, në një vend ku këto janë me tepri për minorancat apo emigracionin me ngjyrë.

Pastaj vjen politika e jashtme, lufta në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme ku Harris-i nuk ka njohuri të thella, por ku edhe Trump-i tregon një infantilitet qesharak kur deklaron që i mbyll me një telefonatë. Por kjo pak ndikon më votën e një populli që në përqindje të madhe nuk di ku bie Ukraina.

Problemi i Kamala Harris-it më shumë sesa Trump-i, është një revolucion në radhët e elitës demokrate që tashmë të majtë nuk ka asgjë. Gjithsesi ka kohë. Gara tani ka filluar realisht./dritare.net

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • LORA: 25/07/2024 14:19

    Mendoj qe publiku amerikan e ka te nevojshme te shohe e degjoje nje debat Harris-Trump,per te bere zgjedhjen e vet ne votimet nentor 2024.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?