Imazhet ndërtohen nga kujtimet, rrugët, librat, rrënojat, familjet. Ato janë udhëtimi dhe destinacioni. Ato janë përkufizimi i gjithçkaje që ka kuptim e vlerë. Ato janë kuptimi i shtëpisë, i njerëzve të dashur... i atyre që janë dhe atyre që kanë qenë. Në ekspozitën e fundit të Artan Peqinit, gjejmë pak nga të gjitha këto.
Në fillesat e veta, Peqini hetoi mbi rrënojat e civilizimit. Si student i Akademisë së Arteve, diplomuar në vitet e ndryshimeve të mëdha politike, veprat e tij ishin ato të një qytetari të botës, i cili po niste udhëtimin e vet. Ishin aty forma qeramike të një gjuhe amorfe e obeliskë të gjymtuar që flinin mbi karrige të improvizuara. Si relikte qytetërimesh të humbura në hirin e kohës, ato synonin rindërtimin e skenave mesjetare, mes helmetave e kullave arkaike, në kërkim të një fryme mistike me mjete shprehëse larg atyre akademike. E kur këtij udhëtimi i erdhi natyrshëm fundi, artistin e shohim të kthehet në vend-origjinë, për të zbuluar sharmin e një bote tjetër, gjithnjë prezente, por magjike në përditshmërinë e vet.
Ky cikël i gjatë, ndarë në tri hapësira, por me subjekt të njëjtë në përkohshmërinë e vet, lindi kësisoj. Është aty familja në udhëtim, në natyrë, apo përqark shtëpisë. E pak më tej është edhe nëna e projektuar e riprojektuar në një miks të çuditshëm figurativ. I mbajtur gjatë në dorë, në vite ai u formësua nga 24 tablo duke u jetuar dhe sendërtuar nga kujtimet dhe ngjarjet e së përditshmes.
Për ta kuptuar më qartë strukturën e tij, ndoshta duhen hulumtuar disa nga elementët përbërës që e ndërtojnë atë; mes të cilëve ai i udhëtimit, memories, kohës, janë ata që duken më të qenësishmit. I pari mes tyre, ai mbi udhëtimin duket se ka qenë pikënisje e shumë prej tablove në ekspozitë. Vendosur në kohë e stinë të ndryshme, ai pasqyron i dyzuar udhëtimin e familjes larg qytetit. Si të tilla, në to zhvillohet një ngjarje pa subjekt specifik, kur natyra thërret dhe në normalitetin e të përditshmes shijohet e zakonshmja.
Aty ata janë bashkë, herë si grup e herë të shkëputur. Herë në thellësinë e një pylli të butë, melankolik e mesdhetar e herë në kodrat e hapura të periferisë së Tiranës. Personazhet që i ftojnë, janë ata më natyralët. Një pemë me magjinë e vet, e zbuluar nga vizitorët e “çuditshëm” urbanë. Një peizazh i zbrazët, por i zhurmshëm marin, e në versionin e vet të kundërt në atë malor me borën dhe pishat vertikale. E në vazhdim forma e një ure elegante mesjetare në thellësitë e qyteteve të jugut, me ngjyrat e veta karakteristike, gjithnjë edhe më tokësore, si nga temperatura kromatike, ashtu dhe nga linja e lartë e horizontit. Ato janë peizazhe me prezencë njerëzore, ashtu në harmoni mes vetes, si copëzat e një albumi familjar që regjistron çaste, tinguj e aroma të një jete të shkuar. Për të thyer këtë ekuacion idilik, shfaqet papritur veçse një karrocë lodër, me kuaj elegantë si një ëndërr e shkuar. Është simbol i vetë temës që përkufizon gjithë ciklin, atë të udhëtimit në kohë të familjes duke prekur vende, kohë e realitete të ndryshme. Në esencë, ajo nuk është thjesht spostimi i tyre në hapësirë dhe kohë, por është memoria e ngjizur e harmonisë familjare që i bashkon. E fiksuar dhe e riinterpretuar nga imazhi fotografik në vaj mbi kanavacë, ajo (memoria) është rimanipuluar estetikisht në një nivel të ri, si estetik, ashtu dhe konceptual.
Pjesa tjetër e udhëtimit i takon po atyre personazheve të “zakonshëm”, shtuar herë pas here me miq e shokë, në rrethinat e Tiranës, në shtëpinë mbi kodra. Aty në hijen e saj zhvillohet një “ngjarje” e ngjashme, por që duke pasur skenografi të njëjtë stimulojnë optikën e artistit në drejtime të reja, herë-herë krejt të papritura. Kështu, në qendër të kompozimit si “papritur” shfaqet një pikë uji që përmbys gjithçka, edhe njeriun, edhe linjën e horizontit, edhe dritën. Në të, dimensioni tokësor i deritanishëm kryepërmbyset, ashtu si dimensioni i kohës, apo dhe ai i hapësirës. E ashtu si tek ai, ashtu rastësisht, papritur shfaqen disa personazhe të një kohe tjetër, teksa dialogojnë, në distancë, enigmatikë. Shfaqen aty katundarë tipikë dhe një prift gri, një vajzë miturake dhe një qen endacak, apo syri i zmadhuar i një kali qeramike me vetë shtëpinë në sfond.
Të gjitha këto eksperimentime formale, në fakt do të marrin formë më të plotë, dhe më të papritur në ciklin e “nënës”. E projektuar herë në interier, e herë në eksterier ky cikël ka të njëjtin personazh kryesor, atë të nënës së moshuar, kredhur në vitet e veta, mes kujtimesh dhe personazhesh që e rrethojnë. Në versionin e parë, ajo është mes tyre në ambientin e shtëpisë. Me muret e trishta, në një atmosferë herë të rëndë e të heshtur e herë tjetër të hareshëm rreth tavolinës, ajo është aty mes tyre, si patriarkja e gjenezës, herë larg, mes kujtimesh e herë bashkë me ta, kuvenduese.
Në versionin tjetër, atë në eksterier, ajo projektohet monumentale dhe gjenezë e një realiteti tjetër. Në fakt e gjithë kjo pjesë e ciklit është një projektim formal i ndryshëm, në shumë aspekte i ngjashëm me realizmin magjik të letërsisë latino-amerikane, ku graviteti i qenieve tokësore, reale apo të mbinatyrshme i shpëton ligjeve të fizikës racionale. Është një realitet magjik, i projektuar nga kujtimet e saj dhe si i tillë, i ndryshëm edhe në peizazh, edhe në trajtimin figurativ. Si e tillë, “si me magji”, figura e saj zmadhohet. Vendoset mbi Durrësin e vjetër, vrojtuese e heshtur e memories së vet. Sheh aty sagomat e shtëpive të tregtarëve, makinat e para që përvidhen në rrugët e improvizuara, ushtarët e huaj, më shumë aventurierë se pushtues, si dhe vijën e bregdetit të fëmijërisë, fluide në freskinë e vet. Në versione të tjera shfaqet në minder, e mbështjellë mirë, me figurën e etërve në sfond, mbi kalë me takëmet karakteristike dhe vijën e dashur të malit të Dajtit. Imazhet që ajo krijon, janë imazhe të një realiteti dinamik, ku arsyeja dhe racionalja mbivendosen për t’i lënë vend natyrshëm një imazhi surreal, ndërtuar ashtu si kujtimet e saj, sa të rrëmujshme, aq dhe të praruara. Ajo është gjeneruesja e një memorie disleksike, që po kalon nga njëri brez në tjetrin, për t’u regjistruar këtë radhë jo më si imazh racional fotografik, por i projektuar në telajo... estetikisht melankolik dhe subjektivisht irracional.
Ky udhëtim magjik, mes ëndrrës dhe realitetit, pse jo mund të shënohet dhe nga imazhe të tjera, ku vajzat ndjehen në kopshtin e Edenit, pranë Pemës së Jetës, ndërsa më tej një udhëtar shëtit mbi biçikletë një engjëll.
Imazhet e Peqinit janë produkti i një udhëtimi atipik, sa personal e real, aq dhe fantastik e imagjinar. Nxitëse të një nostalgjie prekëse e të kujdesshme estetikisht ato projektojnë një imazh melankolik, me një dinamikë krejt personale dhe ekspresionizëm të kontrolluar, ndërsa gama kromatike duket se kondicionohet nga drita e fortë e diellit, aty në studion mes natyrës, ashtu si dhe e gjelbra dhe bluja dominuese dhe linja e horizontit që i shoqëron.
Përtej kësaj, ai projekton udhëtimin e tij. Një udhëtim personal që e fton shikuesin të aventurohet, herë në memorien e një personazhi e herë në momente të thjeshta familjare, pa trajtë e formë konkrete, kredhur në natyrë, në magjinë e të përditshmes.
Siç thotë shprehja: “Njerëzit dhe jo vendet, janë ata që krijojnë kujtime”. Kjo është e kuptueshme pasi jemi ne që udhëtojmë... disa prej nesh ndonjëherë, disa gjithmonë, për të kërkuar gjendje të tjera, jetë të tjera, shpirtra të tjerë. Peqini tregon udhëtimin e tij. Ai e bën këtë me një sinqeritet të brishtë, me ata që ishin dhe ata që janë, mes kujtesës së hershme dhe asaj të afërt, sepse krijimi artistik vlen dhe për këtë, ndërsa gjërat që bëjmë... shpresojmë të tejkalojnë vdekshmërinë tonë.