Sali Berisha

Kohë e re, zakon i vjetër

15 Shkurt 2022, 18:36| Përditesimi: 15 Shkurt 2022, 18:39

  • Share

Sali Berisha u rikthye në politikë. Ose më mirë të themi, ai kurrë nuk u largua prej andej. Politika është pasioni i tij, është “oazi” i tij, është skuta prej nga ujdis lidhjet e vjetra dhe të reja, shënjestron, mbështet dhe  lufton mikun dhe hasmin, dhe mban të paprekura interesat. Askush nuk i ka harruar fushatat e Sali Berishës, karvanët e makinave, flamujve, turmat e nxitura dhe stimuluara me thirrjet “Berisha-Berisha, vdekje komunizmit, liri-demokraci”.

Ato janë edhe sot në udhëtimet e tij në rrethe. Askush nuk i ka harruar, takimet elektorale të Sali Berishës, që nisnin nga Kukësi dhe mbaronin mbrëmjeve vonë në Vlorë e Sarandë, duke ngatërruar emrat e qyteteve. Rendiste Berisha “fitoret dhe arritjet”, shante, akuzonte dhe denonconte nga fushata  dhe takimet e “zjarrta” kundërshtarin politik, apo dhe të flakurit nga Partia Demokratike. Askënd nuk kursente. Askush nuk e ka harruar se si shahej me Tritan Shehun, Dash Shehun, Genc Pollon, Ferdinand Xhaferrin, Arben Imamin, etj, se si i akuzonte ata dhe etiketonte me lloj-lloj epitetesh.

Të gjithë mendonin se “i ka sikterrisur dhe nuk i qas më në PD dhe ata nuk ktheheshin”. Mënyra se si i bënte fushatat Sali Berisha habiste edhe të huajt. Një gazetar danez në 1996 më tha se “ky është sindikalist, nuk ka mundësi politikan”. Nuk e di pse e kishte atë mendim. Ndoshta nga mënyra vulgare se si akuzonte dhe shpikte  akuza ndaj emrave të përveçëm të kundërshtarit politik. Askush nuk i ka harruar, tubimet e dhunshme, askush nuk e ka harruar kryengritjen e armatosur në 13-14 Shtatorit 1998, kur turmat e stimuluara nga ai, me trupin e të ndjerit  Azem Hajdari, ju drejtuan Kryeministrisë, duke shënuar rastin e parë në Shqipëri, kur abuzohej me një ditë varrimi. Ishte ai “Heroi Demokracisë”, që Sali Berisha e përdori, e telendisi, e trajtoi siç ka dashur, e denigroi në “RD” dhe mediat e tij, duke e mbuluar me epitete dhe akuza banale.

Por si çudi, pas vrasjes e rehabilitoi, e shpalli “Hero të Lirisë”, dhe nuk e ndante nga fjalimet elektorale, kur e shihte se e kishte “pisk” me bazën e partisë. Në demokraci, transformimi  ideve, programeve  dhe platformave, ka një rëndësi të madhe për forcimin e themeleve të saj. Nuk mund të pretendosh të bësh fushatë elektorale sot, me mendësinë e 1992, 1996, 1997, 2001, apo dhe 2005, kur ke regjistruar në memorien e shqiptarëve dhe aq më shumë të demokratëve, aq shumë bëma, fatkeqësia, dhe skena tmerri, pasojë e shfrenimit të gjuhës së urrejtjes ndaj kujtdo, që e sheh si “armik dhe kundërshtar”.

Është viti 2022, është nisja e “ere” të re në marrëdhënien politikë-popull, dhe nuk mund të pranohet qasja e së shkuarës dhe prezantimi i saj si “risi, shpresë për ndryshim dhe fitore”. Koha që jetojmë, kërkon nga ne, përshtatjen ndaj një marrëdhënie paqësore, bashkëpunuese, dhe të moderuar mes politikës dhe popullit, mes partisë dhe anëtarësisë. Demokratët, kanë shansin të nisin një rrugëtim të ri , përmes të cilit do të përcaktojnë fatin e tyre politik, jo duke mbështetur stilin e vjetëruar të atyre që rikthehen apo nuk duan të largohen, por duke përkrahur idetë dhe programin e atyre që ringjallin  shpresën, besimin, dhe konfirmimin  e pakthyeshëm në  lirinë dhe demokracinë amerikane.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Gradishta: 15/02/2022 21:31

    Bishti i qenit,bisht qeni ngelet,bëji çfar të duash dhe mutin gatueje sa të duhesh,por hallvë nuk bëhet kurrë,prap mut ngelet.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?