Marco Pietracupa interpreton poetikisht një qytet në transformim si Tirana. Fotografitë e tij nuk janë dokumentime të thjeshta urbane, por interpretime të shtresuara, të ripunuara digjitalisht dhe të përgatitura manualisht. Fotografi italian përdor teknikat e kolazhit, në të cilat artisti ndërthur arkitekturën e periudhës “italiane”, ndërtesa tradicionale dhe ndërtime bashkëkohore ende në zhvillim.
Artisti prezantohet para publikut shqiptar me një ekspozitë, me qendër Tiranë, që shfaqet pothuajse metafizike, e bërë nga vija të pastra, zbrazëti të heshtura dhe dritare që hapen drejt realiteteve estetike alternative. Projekti është një nismë e Institutit Italian të Kulturës dhe drejtorit të tij, Alessandro Ruggera, që synon të lidhë arkitekturën italiane me arkitekturën e ardhshme të Tiranës.
“Ndërsa shihja qytetin mendova për teknikën, sepse për mua qyteti është tashmë një kolazh, si vizualisht ashtu edhe historikisht, kështu që mendova se ishte teknika më e mirë për ta bërë këtë projekt, dhe gjithashtu për ta bërë pak më abstrakt, sepse nuk doja të bëja një dokumentar, por doja të bëja një projekt abstrakt. Doja të përdorja abstraksionin për të qenë pak më ndërkombëtar.”, - thotë për "Report TV" artisti Pietracupa.
Stili i Pietracupa-s lëviz midis rigorozitetit kompozicional dhe lirisë shprehëse. Përvoja e tij në botën e modës reflektohet në një vëmendje të mprehtë ndaj formës dhe detajeve, megjithatë ajo është gjithmonë e shkrirë me një eksplorim vizual që favorizon kontrastin, disonancën dhe të papriturën.
“Tempo su tempo / Kohë Pas Kohe” është kapitulli i parë i një rrugëtimi që do të prezantojë fotografë të tjerë italianë, të cilët riinterpretojnë qytetin me sy të rinj. Përmes kësaj nisme, Instituti Italian i Kulturës, synon të forcojë dialogun kulturor midis Italisë dhe Shqipërisë, duke ofruar interpretime vizuale që jo vetëm rrëfejnë për Tiranën, por edhe e rikrijojnë, ngrenë pyetje dhe e kremtojnë atë.
“Shpresoj ta shijoni ekspozitën dhe që ajo t'ju tregojë diçka për qytetin tuaj, diçka që, si të thuash, nuk e kishit imagjinuar. Jam shumë i lumtur që jam me Marcon dhe njerëzit që e ndërtuan. Ai ka qenë në gjendje të interpretojë në një mënyrë krejtësisht personale dhe të papritur të gjithë transformimin, të gjithë trazirat që po kalon një qytet si Tirana sot, dhe ka qenë në gjendje të kapë edhe aspektet më të papërpunuara, por edhe më poetike të kësaj trashëgimie.”, - shprehet Alessandro Ruggera, drejtor i Institutit Italian të Kulturës.
Mungesa pothuajse totale e figurave njerëzore, përveç pranive të zbehta, të futura artificialisht, amplifikon ndjesinë e të qenurit pezull dhe distancës. Është e kundërta e përvojës së përditshme të një qyteti të gjallë dhe të mbushur me njerëz, dhe pikërisht për këtë arsye, ajo zbulon një cilësi abstrakte e të fshehur të kryeqytetit shqiptar.
Marco Pietracupa është një fotograf italian që punon midis Milanos, Parisit dhe Londrës. Me karrierë profesionale të zhvilluar në Milano në fillim të viteve ‘90, pas ndjekjes së studimeve pranë Institutit Italian të Fotografisë, ai filloi të punonte si fotograf mode për botimet kryesore të sektorit. Me kalimin e viteve, u përqendrua progresivisht në praktikën e tij artistike, e cila vijon të mbështetet tek fotografia, por duke eksploruar gjithashtu fusha të tjera të arteve pamore.
Veprat e tij janë prezantuar, ndër të tjera, në galeritë "Marsèlleria", "Vice Gallery", "Triennale", "La Dictateur" në Milano, "Bissiness Gallery" në Neë York, "Brownstone Foundation" në Paris, "Asni Gallery" në Addis Ababa, "Stadgalerie" në Bressanone, "Museo del Cassero" në Monte San Savino, "Festung Franzesfest" në Fortezza, "Prisma Gallery" në Bolzano dhe "DonneConceptGallery" në Porto Cervo.
Ekspozita e tij do të qëndrojë e hapur deri në 11 tetor.
Komente
