Efektivi i forcës elitë RENEA, Real Luli, pranoi para gjykatës se ishte i përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike, në seancën për caktimin e masës së sigurisë. Gjykata e Tiranës e ka lënë në burg deri në fund të hetimeve, atë dhe dy personat e tjerë të arrestuar. Luli, thanë burimet, ka pretenduar se dy personat e tjerë të arrestuar, Gevi Spahia e Jurgen Luli, nuk kanë asnjë lidhje me shpërndarjen e lëndëve narkotike. Efektivi i RENEA-s është ndjekur nga një efektiv i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, i cili është infiltruar dhe ka blerë madje edhe një sasi kokaine nga Luli, që pas testimit ka rezultuar e pastër në masën 80%.
Për llogari të hetimit, në dy raste tek efektivi është kryer blerje e simuluar e dozave të kokainës, të cilën ia ka shitur të infiltruarit të SHÇBA-së. Sipas Prokurorisë së Tiranës, Luli është mbajtur për disa muaj në vëzhgim ambiental dhe në përgjim telefonik, çfarë ka çuar në dokumentimin e plotë me prova të qarta përfshirjen e tij në shpërndarjen e drogës. Një burim i tha Report Tv se gjatë momenteve të ndërhyrjes së policisë, Jurgen Luli ka qenë në dush. Të dy jetonin së bashku në një banesë, por pavarësisht mbiemrit të njëjtë nuk kishin lidhje gjaku me njëri-tjetrin.
Real Luli, 27 vjeç, u arrestua në një operacion të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave dhe Prokurorisë së Tiranës, ndërsa akuzohet si koka e grupit të shpërndarjes së lëndëve narkotike, kokainë, kanabis, extasy e më gjerë. Nga kontrolli i realizuar në ambiente dhe banesat që dispononin të arrestuarit u gjetën dhe sekuestruan përveç këndëve narkotike, edhe 11,890 euro, 3 armë zjarri të llojit pistoletë të markave BRUNI e GLOCK, fishekë, 1 automjet tip Benz dhe 7 aparate celularë. Ky grup shpërndante lëndë narkotike në zonën e ish-Parkut të Autobusëve, “Misto Mame”, Kombinat, Yzberisht dhe “Qyteti i Nxënësve”.