DURRES - Gjykata e Durrësit ka lënë në 'arrest me burg' Mentor Çunin dhe Arjan Doçin të arrestuar pasi në furgonin e tyre u gjetën 7 pako kokainë, me peshë 7.3 kg, e destinuar për tu dërguar në Angli.
Pakot u gjetën të fshehura në një vend të fshehtë poshtë sediljes së shoferit gjatë kontrollit me skaner në portin e Durrësit mbrëmjen e 24 majit 2024.
Mësohet se porositësi Fatbardh Çuni pronari i linjës “Bledi Travel’ që merrej me transportin e mallrave të emigrantëve nga Shqipëria drejt Anglisë. Biznesi ishte regjistruar në Angli ku Fatbardhi jetonte prej 11 vitesh. Vëllanë e tij Mentori dhe djalin e tezes, Arjanin i kishte punësuar si shoferë të furgonit.
Sakaq hetimet bënë që të shpallet në kërkim dhe Fatbardh Çuni, pronari i agjencisë që kryente transport mallrash dhe produktesh të ndryshme si porosi emigrantësh në itenerarin Shqipëri-Itali-Angli dhe anasjelltas.
Nga dëshmia e Mentorit në gjykatë mësohet se I ka dhënë dikujt furgonin dhe e ka marrë mbrapsht pas dy ditëve. Gjatë kësaj kohe është futur dhe ngarkesa brenda.
“ E dija që do të bëhej dicka e pistë por nuk e dija saktësisht” ka thënë ai.
Të tre janë me origjinë nga Hasi ndërsa banojnë në Tiranë. Avokati i tyre ka kërkuar garanci pasurore ose arrest shtëpie për klientët e tij, por kërkesa nuk është marrë në konsideratë nga prokurori dhe gjykatëse Entela Shedula të cilët lanë në fuqi masën e arrestit me burg.