Kronikë

Kokaina nga Amerika Latine në Shqipëri në lëkurë gjedhësh, Apeli GJKKO burg 10 të arrestuarve! SPAK ndoqi në heshtje trafikun

28 Dhjetor, 13:23| Përditesimi: 28 Dhjetor, 16:26

  • Share

Apeli i GJKKO lë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për 10 anëtarët e grupit kriminal për trafikun e kokainë në lëkurën e kafshëve. Apeli nuk pranoi ankimin për një masë më të butë sigurie ndërsa mes të arrestuarve në operacionin e 15 nëntorit ishin dhe 3 të huaj, dy venezuelianë dhe një kolumbian që dyshohet se do të bënin ndarjen e kokainës nga lëkura e bagëtive.

Ndërkohë, kokaina e shkrirë në lëkurë gjedhi që u kap brenda laboratorit të sofistikuar të drogës në Qerekë të Fushë-Krujës i është nënshtruar analizave, që do të përcaktojnë saktësisht sesa kilogramë lëndë narkotike do të ekstraktoheshin nga ndarja e 48 tonëve lëkurë gjedhi.

Grupi i trafikut ndërkombëtar të drogës, i cili dispononte një laborator të përpunimit të kokainës në Qerekë të Krujës dhe 2 ambiente mbështetëse në Tiranë dhe Durrës u goditën nga SPAK 3 javë më parë. Nga hetimet rezulton se ata përdornin një biznes për të kamufluar trafikim, nëpërmjet kompanisë “Alb Lëkurë”, e regjistruar në 27 tetor 2020 në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Ky subjekt kreu një pagesë më 11 maj të këtij viti me vlerë 23 mijë dollarë tek një firmë me vendndodhje në Republikën Domenikane, periudhë që u porosit edhe një sasi prej 24 ton lëkurë gjedhesh (me kripë).

Ngarkesa e ndarë në 20 paleta u nis me destinacion Portin e Durrësit në datën 17 korrik 2024, një muaj më pas, Dogana e Tiranës kreu veprimet doganore dhe më pas ngarkesa u transportua drejt Mulletit, në një magazinë e përshtatur për ruajtjen e saj. Një muaj më pas, më 23 shtator, merren informacione për nisjen e një tjetër ngarkese prej 24 tonësh, që mbërriti në Portin e Durrësit më datë 8 nëntor për të cilën u paguan rreth 20 mijë dollarë të tjera.

Hetimi pati si indicie ndarjen e disa akteve nga hetimi i një tjetër çështjeje që mban datën 17 nëntor 2023 për një sasi lnde narkotike që u kap me pleh kimik në Frakull Fierit. SPAK ka dyshime që grupi kriminal mund të ketë nxjerrë drogë nga laboratori edhe për llogari të grupeve të tjera kriminale. Në vendimin Gjykatës për vlerësimin e masave të sigurisë, bie në sy se një nga shtetasit e huaj që ishte marrë nga grupi si ekspert të ndarjes së kokainës nga lëkura, kolumbiani Hiëelenn Ledezma Narvaez me pseudonimin “Gafas”, kërkohet në vendlindjen e tij si lider i një grupi kriminal të trafikut të kokainës.

Ai kishte një vit që ndodhej në Shqipëri. Emri i Narvaez rezulton në kërkim në kuadër të operacionit policor “Pacifico”, zhvilluar në nëntor të vitit 2023 ku në Kolumbi u arrestua edhe shtetasi shqiptar Klodian Zaimi, që rezulton se është djali i dajës së Artjon Çaushllarit, i arrestuar nga SPAK si një nga financuesit e trafikimit të lëndës narkotike. SPAK thotë se në maj të këtij viti kolumbiani ‘Gafas’ ka qëndruar për disa orë në një vilë në një fshat të Pogradecit i shoqëruar nga Artjon Çaushllari dhe Klajdi Birçe të dy të arrestuar, ku dyshohet se kanë nxjerrë një sasi kokaine. Në këtë rast agjentët nuk kanë ndërhyrë pasi operacioni mund të dekonspirohej.

Të arrestuarit 
Shtetas shqiptar:
1- Geis Fejsullai 42 vjeç, banues në Tiranë
2- Klajd Birçe 40 vjeç, banues në Tiranë
3- Aldi Zonja 37 vjeç, banues në Tiranë
4- Artion Çaushllari, 37 vjeç, banues në Tiranë
5- Endi Sejdini, 25 vjeç, banues në Krujë
6- Ismail Abdurrahmani, 51 vjeç, banues në Shkodër
7 – Baki Huqi, 57 vjeç, banues në Durrës
Shtetas të huaj:
8-Hiëlen Ledezma Narvaez, 41 vjeç, shtetas kolumbian
9-Joze Ramon Zacarias Vasquez, 35 vjeç, shtetas venezuelian
10-Samuel Alfonso Moreno Serrano, 42 vjeç, shtetas venezuelian

S.B/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?