Dy shqiptarë janë arrestuar në kuadër të një operacioni antidrogë nga autoritetet e Bolonjas në Itali, pasi u kapën me 500 kilogramë drogë, që përktheheshin në vlerën e 3 milion euro.
Mediat italiane bëjnë me dije se dy shqiptarët u arrestuan të martën, në kuadër të një hetimi nga policia për trafikimin e drogës në zonën e Bolonjas.
Skuadra antidrogë ka pikasur fillimisht 29-vjeçarin shqiptar, i cili ishte vëzhguar prej kohësh nga policia dhe teksa është takuar me bashkatdhetarin, kanë shkëmbyer një zarf në makinë.
Kjo ka ngritur dyshime për autoritetet, të cilat kanë ndërhyrë dhe kanë ndaluar dy shtetasit shqiptarë, ku më pas kanë kryer kontrolle fizike në banesën 28-vjeçarit, në të cilën janë gjetur rreth 5 kilogramë kokainë.
Më pas, karabinierët kryen një kontroll fizik në banesën e 29-vjeçarit, në të cilën janë gjetur rreth 24 kilogramë kokainë dhe rreth 439 kilogramësh hashash.
Vlera e llogaritur në treg e kësaj sasie droge nga autoritetet ishte rreth 3 milionë euro.
Në shtëpinë e tij, gjithashtu u gjetën edhe 11 mijë euro kesh, një armë zjarri pistoletë me municione, gjithashtu dhe një çelës apartamenti.
Në bazë të informacioneve të mëparshme nga policia, ata arritën të gjenin banesën përkatëse të çelësave të gjetur, ku në apartament të cilët ata ua kishin dhënë me qira disa shqiptarëve të tjerë, u gjetën dhe 50 mijë euro të tjera kesh.
Ata u arrestuan dhe u dërguan në burgun e Bolonjes.
Sipas medieve italiane, mbi dy shqiptarët rëndojnë akuzat e posedimit dhe trafikimin të drogës dhe armëve të zjarrit. Ata ndodhen në paraburgim ku do të presin dënimin nga gjykata.