TIRANË- Arbër Bardhi, 25 vjeç dhe Vilson Çepele 38-vjeç kanë rënë në pranga pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë shpërndarë doza të dograve të forta kryeqytet, kryesisht në lokalet e natës.
Në kërkim është shpallur dhe një 26-vjeçar me iniciale E. Ç., i cili rezulton të jetë gjithashtu i përfshirë në shitjen e kokainës me dy të rinjtë e tjerë. Atyre u është gjetur dhe u është sekuestruar një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë prej 400 gramësh, një shumë parash 76 800 lekë dhe 175 euro, të cilat janë përfituar nga aktiviteti kriminal.
3 të rinjve u janë sekuestruar po ashtu dhe 3 makina luksoze. Gjithashtu policia sekuestroi edhe një tabelë policie, 5 aparate celulare e peshore elektronike mjete të cilat i përdornin të rinjtë për të kryer shpërndarjen e kokainës në lokalet e natës në Tiranë.
Vijon puna për kapjen e 26-vjeçarit të shpallur në kërkim. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.