Festivali i Komedisë “Koko fest”, i mbajtur në Korçë për 8 netë radhazi, vlerësoi mbrëmjen e së shtunës më të mirët e 7 grupeve teatrore, nga mbarë trevat shqiptare. Në këtë edicion të nëntë, shfaqjet e dy drejtuesve, të Teatrit Kombëtar dhe atij “Eksperimental” u përzgjodhën mes fituesve. “Jashtë bie borë”, një shfaqje e vënë në skenë nga Çuli afro 15 vjet më parë, u prezantua këtë herë si produksion i ri i Teatrit Skampa. Në të dyja rolet, si regjisor e aktor protagonist i shfaqjes, Çuli arriti të vlerësohej me çmim të parë.
“Ishte më i rëndësishëm se sa vlerësimi si aktori më i mirë i Festivalit , pasi ishte një dedikim që unë do të doja ta bëja për Teatrin e Elbasanit, për Bashkinë e Elbasanit, sepse është një teatër që ka qenë nga më të mirët në Shqipëri dhe meriton të ringrihet”, thotë ndër të tjera regjisori Hervin Çuli, drejor i Teatrit Kombëtar.
Me dy çmime të para është vlerësuar edhe komedia e zezë “Gjaja” e Teatrit “Migjeni”, për regjinë e Altinë Bashës dhe për interpretimin e Krist Lleshit, si Aktorja më e mirë protagoniste.
“Është vërtetë kënaqësi të marrësh pjesë në “Koko fest”. Por, është fantastike kur merr çmime për regjinë më të mirë. Është hera e dytë që e marrë këtë çmim, të shton përgjegjësinë dhe mezi pres të rikthehem me një projekt të rëndësishëm në Korçë, dhe ta shpërblej këtë besim edhe të jurisë, sigurisht”, thotë regjisori Altin Basha, drejtor i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.
“Të gjitha shfaqjet në Koko Fest kanë qenë të bukura. Të gjitha teatrot na kanë nderuar dhe sigurisht që juria ka bërë vlerësimin e duhur”, thotë dr. e teatrit të Korçës dhe Festivalit, Zamira Kita.
Në të vetmen pjesë shqiptare “Pak pakt” (Teatri Eksperimental), Ermir Hoxhaj u vlerësua si aktori i ri më i mirë, ndërsa autorit Ledian Gjecit iu dha çmimi si “Artisti i ri më i mirë në dramaturgji e regji”. Po në këtë shfaqje Mehmet Xhelili u vlerësua si aktori më i mirë jo protagonist. Në shfaqjen e teatrit të Durrësit “Të prezantoj babain”, Suela Bako u përzgjodh si aktorja më e mirë jo protagoniste. Me çmim të karrierës, si personalitete që kanë dhënë kontribut në artin shqiptar u vlerësuan aktorët Rajmonda Bulku dhe Niko Kanxheri.