Teatri Durrësit çeli siparin e 8 mbrëmjeve teatrore me komedinë angleze të Alan Ayckbourn "Të prezantoj ‘Babain’" e përshtatur dhe vënë në skenë nga Adelina Muça. Një atmosferë intime krijuar në teatrin “Andon Zako Çajupi” nga aktorët Gentian Zenelaj, Suela Bako, Ervin Doko dhe Alessia Xhemalaj, ku vëmendja vihet tek raportet në çift.
“Shfaqja është e konceptuar përreth një tavoline, si simbolikë e vendit ku mblidhen familjarët, për të diskutuar gjërat më të rëndësishme, siç ndodh në shtëpitë e çdo shqiptari. Përsa i përket pjesës së tradhëtisë dhe tolerancës që ka brenda një familjeje, siç u pa, toleranca qëndron gjithmonë në një familje edhe në marrëdhëniet në çift, edhe tradhëtia. Edhe pse nuk do të duhej të ishte diçka e mirë në fakt, por këta janë njerëzit e ky është njerëzimi”, shprehet aktorja Adelina Mucca, regjisore e përkthyese e shfaqjes.
Shfaqjet e vëna në skenë nuk janë premiera të realizuara posaçërisht për Festivalin e Komedisë, e në të marrin pjesë regjisorë si Hervin Çuli, Ledian Gjeçi, Andeta Radi e të tjerë.
“Ky ‘Koko Fest”, është një festival komedie shqipfolës. Marrin pjesë të gjitha trupat e trevave shqipëfolëseshqiptare. Sigurisht ne kemi zgjedhur komeditë më të bukura që kanë qarkulluar përgjatë një viti”, shprehet Zamira Kita, drejtore e Festivalit dhe e teatrit “Andon Zako Çajupi”.
Aktori Ndriçim Xhepa, pjesë e jurisë së këtij festivali prej 8 vitesh, rrëfen psë është me rëndësi, që kjo iniciativë të çohet përpara.
“E konsideroj si pozitiv këtë Festival, për vlerat organizative në të cilat e drejton drejtorja e teatrit dhe e festivalit Zamira Kita. Një vlerë që ka vazhdimësinë. Vijnë prodhime si komedi, komedi e zezë, satirë që mbledhin vlerën komike të mbarë skenës shqiptare dhe krijohet një festë e këndshme e njerëzve të skenës”, shprehet aktori Ndriçim Xhepa.
Në 10 shtator, do të mbahet edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve për 7 grupet teatrore pjesëmarrëse.
“Njerëz ka filluar ‘KokoFest”, festivali më i mirë i skenës teatrore shqiptare. Dhe ku më mirë se në Korçë mund të vini të kaloni kohë të lumtura dhe të shikoni edhe shfaqje”, thotë aktori Gentian Zenelaj.