Edoardo Bove do të implantojë një defibrilator nënlëkuror në zemër, njësoj sikurse bëri danezi Christian Eriksen. Një pajisje jetike nënlëkurore do t’i vihet 22-vjeçarit këtë fundjavë ose me shumë mundësi ditën e hënë. Diçka e tillë vjen pasi futbollisti i Fiorentinës pësoi kolaps në fushë pas një 'arresti kardiak', në përballjen kundër Interit.
Këtë e raporton sot “Gazzetta dello Sport”, duke shtuar se Bove pritet të lirohet nga spitali deri në mes të javës së ardhshme. Më pas të vizitojë shokët e tij të skuadrës në “Viola Park”.
Për shkak të rregulloreve të Serie A, Bove nuk do të jetë në gjendje të luajë në ligën elitare italiane me një defibrilator në zemër, njëlloj si ajo që ndodhi me Christian Eriksen pasi pësoi një arrest kardiak me Danimarkën në Euro 2020, ndërsa ishte ende lojtar i Interit.
Bove ka kuptuar se do të mund të vazhdojë të luajë futboll, ndoshta ngadalë, në nivele të larta jashtë vendit, në një kampionat që nuk ka rregulla kaq të rrepta si Italia në lidhje me këtë çështje. Gjatë javëve të ardhshme ai do të diskutojë gjithashtu për një mundësi të zgjidhjes së kontratës me klubin, që i zotëron kartonin, Romën.
Por ka kohë, pasi pas operacionit do të nevojiten disa javë pushim dhe më pas një periudhë riatletizimi. Mund të imagjinohet një karrierë të re jashtë vendit, që mund të nisë në pjesën e dytë të sezonit aktual ose në verën e ardhshme.
Defibrilatori kardiak është një pajisje që mundëson monitorimin e variacioneve të mundshme të zemrës dhe përdorimi i tij është i parashikuar nga udhëzimet ndërkombëtare për personat që kanë pësuar një ndalim të zemrës për shkak të një aritmie që ka shkaktuar fibrilacion.