Astrit Zenelaj, me detyrë ish-inxhinier kolaudues në ARSH-në e Durrësit, është njëri nga dy personat që policia e Durrësit, i ka komunikuar urdhërin e arrestit, si person përgjegjës për lejimin e prishjes së rrugës dhe hapjen e një hyrje-dalje në segmentin rrugor Plepa-Mali i Robit.
Astrit Zenelaj është vëllai i Guxim Zenelaj, ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, që iku nga sistemi gjyqësor me dorëheqje. Ditën e djeshme (20 tetor) u arrestua Xhevat Vataksi, 62 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale "Dhënia ndihmë për ndërtim të paligjshëm" dhe Afërdita Basha, 48 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës".
Kurse sot janë vetëdorëzuar Rezart Arkaxhiu, ndërtues dhe Astrit Zenelaj, inxhinier në ARRSh, që është dhe vëllai i ish-gjyqtarit Guxim Zenelaj.Të proceduar për këtë çështje janë disa drejtorë dhe inxhinierë të lartë të Autoritetit Rrugor në Durrës dhe bëhet fjalë për një dëm financiar prej mbi 200 milion lekë të vjetra, që ka sjellë ngritjen e një çështje penale në policinë dhe prokurorinë e Durrësit.
Më herët policia ekzekutoi masat e sigurisë ndaj 3 personave dhe shpalli në kërkim 6 të tjerë. Masa më pas për 2 të arrestuarit ka ndryshuar, pasi Gjykata e Durrësit ka lënë të lirë dy nga zyrtarët e Autoritetit Rrugor Shqiptar, ndërsa nuk e ka ndryshuar masën e sigurisë ”arrest në shtëpi” për një të tretë.
Ndërkohë është shpallur në kërkim biznesmeni i karburanteve Mustafa Koka, i cili nuk është arritur të gendet nga policia. Mustafa Koka, sipas burimeve të policisë është ndërtuesi i një karburanti në rrugën kombëtare që lidh zonën e Plepave me Kavajë.