Kolea e Këlcyra zbulojnë tradhëtinë e disa anëtarëve të Delegacionit shqiptar në Konferencën e Parisit

16 Qershor 2019, 10:22| Përditesimi: 16 Qershor 2019, 10:25

  • Share

Të shitur, tradhëtarë dhe të pazot, politika shqiptare ka që prej një shekulli. Duket si një mallkim që historia përsëritet. Kjo letër, e datës 3 prill 1920 nisur nga Lozana drejt Parashqevi Qiriazit nga dy miqtë e saj Sotir Kolea dhe Hilmi Këlcyra, jep të dhëna interesante mbi aktivitetin tradhëtar të disa prej anëtarëve të Delegacionit shqiptar në Konferencën e Parisit dhe të qeverive shqiptare, ku spikasin veprimet e tyre jo atdhetare.  Jo pak interes kanë ata që merreshin me gazetari qaso kohe, ku jo pak u bënë shërbëtorë të kësaj lloj politike tradhetare , sikurse ndodhi me dy më të mëdhatë “Vatra” dhe “Dielli”, që botoheshin në Amerikë.  

“E nderuar Zonjë atdhetare,

Kujtuam për një grimë se puna do të këmbente fytyrë me të rrongomisurit të qeversë së ngrehur prej Italie ndë Durrës. Shpresa e jonë mbështetej mbi të ndërruarit e shumicës së zotërinjve, që ngjizi qeveria e re dhe sidomos, të shporrurit nga puna të asaj shumicës së vjetër, që vec dëmit dhe cenit, nuk i kanë bërë kombit dhe atdheut ndonjë të mirë. Për fat të prapë, shpresa nuk na dolli gjer më sot aq e plotë, sa kujtuam. S’do as thënë se ndë Shqipërijë ndryshimi është si nata me ditën. Fryma e gjindjes atje është rritur, ligësirat dhe gjymtijat e kohës së Myfitit dhe Fejziut ndë mos kanë gjetur krejet fund, janë mbetur tejet shumë. Sa për paudhësirat nga ana e qeveritarëve, këto u prenë si me thikë që kur u shporrën sogorija që na kishte ngulur Italia. Ekrem Libohovës iu dhanë duart dhe Delegata e Parisit u përtërit tuke shporrur ata që ishin bërë sheshit vegla të të huajve. Muneqipat (beledijet) të Shqipërisë lecitën ndë postë emërat e disa tradhëtarëve, të cilëve u gjendën prova të kthjellta të tradhëtisë. Kjo u bë shembull i mirë dhe një cap në rrugën e të mos fshehurit të ligësijave të njerit dhe tjetrit. Dhëntë fati e të mos mbetet gjer këtu një kësi farë pune e mbarë, ndofta dalin në shesh dhe ligësitë e të tjerëve, që t’i mësojë kombi dhe të shpëtojë syresh Shqipërija. 

Por me gjithë këto, nuk mund të themi se punët tona janë të lara me një lule, sidomos përsa i përket Parisit. Si më parë, edhe sot, të lidh dhe të zgjidh ndonjë i Delegatës, ka prapë kjo klika e vjetër që dini. Diligatët e qeverisë së re nuk guxojnë asnjë cap të hedhin jashtë urdhërit të klikës. Me fjalë të tjera, prapë Kastolldi dhe vegëlat e tij rregullojnë punën tonë. Tashti ndofta edhe më si puna e jonë, se pas ndonjë urdhëri të lartë, thotë mëndja dhe pa dashur hoqën dorë Z. Bumci dhe Turtulli nga Delegata. Kështu, puna e Qeverisë e rëndë vetvetiu, bëhet edhe më e rëndë nga pengesat, që i shpikin ata, që ngjan të ishin më të parët krahë ndihmës. E rrrethuar gjithëanësh prej  armiqsh të fortë, kujt më parë t’i bëjë hall qeveria e Akif Pashës?  Rrezikut të jashtëm, apo pocaqijës së brendshme? Për të jashtmit duhet fuqi grushti, që nuk e ke, për të shëruar plagët e brendshme, ka nevojë të fuqisë së kuletës, që dhe këtë nuk e ka. 

Italia e ka zënë për gryke me anën e censurës dhe me anën e projekteve të Vlorës dhe Durrësit. Qeverija e vjetër e Turhanit me shokët besnikë, gjithë sa të ardhura i ranë ndër duarë, i bëri rrush e kumbulla, me qind mijëra i vodhën frangat Myfit Libohova dhe vëllai i tij Ekremi, Fejzi Alizoti dhe M.Kruja me shokët e tyre. Për popullin e mjerë mbetën gërmadhat dhe hiri i fshatrave, që dogji lufta dhe që s’pushojnë së djeguri karabinierët e Italijësë.

Pa donare derë më derë dhe pa të ardhura, c’mund të bëjë Qeverija ndë një vend të shkretuarë dhe të zhveshurë me gjithsej? Domethënë si janë punët sot ndë Shqipërijën tonë, çdo intrigë e brendshme dhe e jashtme, edhe dheun pjellor ta gjejë, pemët e helmuara me kapicë do të japë.  Ndë është se dështon vepra, që me ndihmën e Italisë desh t’a ngrejë M.Kruja, s’është e thënë se medoemos nuk do ja dalin në të mbarë intrigat e tjera, që do të derdhin të tjerë zagarë me ndihmën e Greqisë, Sërbisë, Italisë.

|Nga sa nisën të thuren, deri tash dijmë vetëm sot për sot të orvaturit e Myfitit për të prurë mbret ndë Shqipërijë një bir të derës së Savojës. Nesër dalin të tjerë për ndonjë ungj a vëlla, a kushuri të mbret Pjetrit a Aleksandrit! Lum Shqipërija! Prapë dokonarët tanë do të munt të gjejnë punë si për tetë vjet më parë! Me gjithëse nuk jemi të një mëndje të hapen sot kaq  plagë të tjera, por prapë nuk duam të themi se të ardhurit si mbret të Aushtrias o të Abrucios do të qe për vendin tonë prapësijë dhe mënxyrë. Ndofta një e tillë punë do të bënte fatin e Shqipërijës t’ia mbajë rrugës nga e djathta. Po kush na  vërteton një gjë të tillë? Kush mund të na e sigurojë se është punë që bëhet, të paktën në është gjë, që e dëshiron me të vërtetë mik i zemrës së Myfitit? Provat për të kundërtën i kemi para syve, lërë mënjanë shkaqet që nuk i dime. Markez Anletone dhe Italia e Soninno –Titonajve dhe e Nittit po shtyn përpara Marqes Aurinetene nga dera e Karnajevëve. Kjo është më e afta për të treguar se ku rreh intriga e Myfitit  dhe ce pret sot stermikja e jonë, se mbi kurriz të Shqipërijësë po vështrojnë të mbarojnë punë tashti Jugo-sllavët. Agjentët e tyre po japin botës ndë Paris e tekdo ndodhen shqiptarët, për t’u mbushur mëndjen, se i vetmi miku ynë i vërtetë është sot për sot, Serbija.

Sa për Grekët, këta sa tunden e sa mundohen, se punën e tyre e kanë të siguruar që ndë kohë të Titonit. Pa dhe i kanë me vete gjithë të mëdhenjtë.   Franca, Inglitera dhe Italia mund t’u venë çfrat lakmisë së tyre nga ana e Stambollit dhe Anadollit. Sa për Shqipërijënë e Jugut, nuk ka kush t’i thotë  “poshtë duart”! Kur dhe Amerika vetë i paska bërë të falur!

Këtu erdhëm prapë tek na lëndon dhëmbi! Punën e Amerikës, se nuk bëri dot atë që ngjan të bënte, e kemi të vërtetë një plagë të gjallë në zemrën tonë. Të gjithë e dinim që në krye, se nuk mund të bëhesh gjë me këta të kësaj ane, se ishin të përbythur me armiqtë tanë dhe se lakmija ua kishte zënë sytë dhe nuk u kishte lënë as gjyq, as mend për të drejtën dhe të vërtetën. Po për Amerikën, që nuk e digjte ndonjë xegedhë lakmije? Për Amerikën, që as sy e as vesh i qenë zënë nga dëshirat? Për Amerikën ku rrojnë me mijëra shqiptarë dhe shqiptarë trima, që asnjëherë nuk i janë kursyer detyrës sado herë që e deshi puna?  Ctë themi? Mirë se u përpoqët ju me sa mundët dhe ca ju erdhi ndorësh. Po të tjerët c’bënë? Me duart plot vegjëlija që u bien thonjtë mbi punë derdhën frytin e djersës së tyre, po ç’ bëri Vatra? Ç’bëri Djelli?

Kryetarët e këtyre dy veglave që duhet të ishin krahët më të fortë dhe prijësit më të ndriturndë rrugën e të mbrojturit të Kombit dhe Atdheut, kujtuan se me të shkrojtur dhe të shpërkoqur pa mend dhe pa gjykim djersën e vegjëlisë, i dolën harresës dhe …..iu dhanë gjumit të kotësisë. Ndë mëndjen e tyre të ngushtë, nuk kishin vent për vepra të mëdha, për lëvizje që ngjan të kishin bërë emrin dhe punën e Shqipërijësë të njohur ndër shpirtin dhe tek  zemërmëdhnjtë e Amerikës. Mbyllur sytë përpara të bërave, harruar gjithë të shkuarën , mvarën tërë shpresat ndë veprën e Turhanit të ndershmë, të Myfit patriotit me fletë dhe të shokëve të tyre si njeri të pa blanë, si njeri të bardhë si bora. Ditë për ditë njëherësh mbeti Bahri Omari tuke kënduarë ndë shtyllat e e Djellit këngë të ra për lavdërimin e Turhano-Myfitëve dhe të italjanëve, që do të na shpëtojnë Shqipërijënë!

Edhe sot e kësaj ditë vrasim mëndjen , cdo gjë e kotë për të gjetur qysh u bë që ra kaq poshtë Djelli dhe Vatra? Qysh shqiptarët e atyshëm mbyllën synë dhe lanë ndër duar të çilimijve dy veprat më të forta, që ka Shqipërija për luftën e shenjtë? Patëm për një grimë një farë shprese se do të mirësohej puna me të ardhurit në krye të zotit Çekrezi. Por për fat të prapë, edhe këtej nuk doli për të qënë. Sa pa vënë dorë  ndër sytë e ndër magje, zoti Çekrezi, Djelli shkau prapë ndër duar të foshnjave. Përse vallë? Të jetë që shtrembërijat dhe gabimet janë bërë mbi kryet e Vatrës aq grumbull i madh , saqë të trembet sy dhe mëndje”. Apo është se ata që kanë interes që të mos i shohë drita veprat e tyre janë aq të fortë, sa munt të bëjnë ballë një burri si Çekrezi? Që asaj kohe, Djelli dhe Vatra nga balli, në llucë po bijen. Gjer ku dhe gjer kurrë do të vejë kjo punë kështu? Ç’duhet bërë, që shqiptarët e Amerikësqë të hapin sytë, të kërkojnë përgjigje për të shkuarat dhe të vënë një kontroll për punën e paskëtajme, që të mos vejë dëm djersa, mundimi, zelli që kanë për komb dhe Atdhe?

Në pyesni për Dr Adamidhin, por ç’tu themi për të? Nga punët që ka bërë dhe që bën, do të keni trajtuarë se nuk është për të sharrë se sa për të qërtuar , sepse as i zot i fajës, as zot i punës është, po sos është as i zoti i vetes? E njohim që afër njëzet vjet e të-hu, sa dhe ata që e kanë njohur që më parë, nuk na kanë thënë për të ndonjë fjalë të mbarë. Dele e perëndisë ndë të ritë e tij, u tuj tuj ca më shumë nga frikë e të shoqesë. Tashti po është bërë ca më zi se i ka hipur dhe pleqërija. Të bërat e tij ndë Misir janë një gaberaqe e gjatë shumë . Eshtë me afte t’u shënojmë se si për mos t’i prishur zemrën e vjehërit, burrë  atdhetar i mirë, u vu dhe Dr Adamidhi nga ndonjë herë ndë krye  të vendit. Por qe vetëm sa për sy, se të bërit e punësë e kishin ndër duar dhe e bënin të tjerë. Kjo është puna e djeshme, që e dinë gjithë bota. Edhe puna e Durrësit nga një ngatërresë martese për Kastoldinë u bë: si qe ndë Durrës dhe si e përdornin ministrat e tjerë, kjo është punë e djeshme dhe e di gjithë bota. Këtu në Zvicër e ka shkuar kohën duke bërë pallë me ment, tund dhe Adamidhi këmbët  për t’u gjetur si Kola ndë punë. Kur as Turhani me Ekeremin dhe me Syrjanë gënjeshtrësë nuk i dhanë asnjë rëndësi, u qe i mirë vetëm sa për të vënë nunxënë  për të shtuar një numër ndë shkresën e mbarë që i bënë njëherë moti Soninos nga Xhinerva.  I përlënë nga të gjithë, u shoqërua me Visk Dodanin, burrin trim, që hëngri paratë që la me dhjatë për Shqipërijënë Tërpoja si dhe me një pogradecar, që ka frytur nga Bukureshti për ca punëra të vetat.  Shtriturë barkazi lëpijti bashkë me Viskënë opingat e marshtarit  të spiunijësë së Italisë ndë këto vise. Dhanë e muarrën dhe me Gjikën e ndershme të Romës, po kurkush nuk ua vuri veshin. Pas ca kohe, një i huaj, i paskësh mbushur mëndjen , se nga Italia e sotme vec se vdekjes, tjetër gjë s’ka si del për Shqipërijë. Turr e vrap Adamidi e këtheu çorgën nga e mbara dhe hë- o burra të punojmë për Shqipërijënë. Thotë se ka një vandak të shkruara, bën dhe shenjën me dorë se sa i trashë dhe i madh është ky vandak, por asnjë të mbaruarë, asnjë të nisurë. Bëri sikur të na qasej, por kush e këllet ndë prag të derësë? Tashti, për sa na shkruani, u markërka me palët e larta të diplomacijësë: I qoftë puna e mbarë! Sa për frikë, nuk ja kemi, se nuk është i zoti të bëjë të mirë, o të ligë. Kushdo që i ka dëgjuar fjalën doktor mëndje-leckësë dhe që ka kënduar dy, o tre nga të shkruarat e tij, ka kuptuar se me kë ka të bëjë dhe ç’është të rëndët e tij.  Duke ju përshëndoshurë atdhetarije,

 (vula e Redaksisë së gazetës De L Albanie, Lausanne           

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?