Sali Berisha dhe Aleksandër Kovaçi

Kolegët pedagogë duhet t’i rrinë larg Berishës

21 Tetor 2022, 10:12| Përditesimi: 21 Tetor 2022, 10:17

  • Share

E gjej mjaft cinike deklaratën e kryeministrit Rama se pasuritë e pedagogëve të universiteteve tona publike do të kontrollohen. Ky reagim i tij nervoz ndaj protestës së pedagogëve që me të drejtë kërkojnë rritjen e pagave të tyre dëshmon edhe një herë mungesë prudence dhe arrogancë nga ana e kreut të qeverisë.

Jo vetëm pagat e arsimtarëve të të gjitha cikleve të shkollimit dhe ato të pedagogëve të universiteteve publike, por edhe pagat e të gjitha kategorive të punonjësve në sektorin publik te ne janë shumë të ulëta për të përballuar nevojat në rritje të qytetarëve dhe të familjeve shqiptare.

Sigurisht, çdo qeveri dhe çdo kryeministër provojnë dhimbje koke kur bëhet fjalë dhe protestohet për rritjen e pagave. Por qeveritë dhe ata që i drejtojnë ato për këtë janë votuar – që t’u dhembë koka dhe të vrasin mendjen se si t’ua plotësojnë nevojat dhe kërkesat e arsyeshme qytetarëve. Nëse u kërkon votat qytetarëve me premtime për përmirësimin e jetës së tyre, e vetmja mënyrë e moralshme për të qeverisur vendin është mbajtja e premtimeve dhe përmirësimi real i kushteve të jetesës së tyre.

Për masën dërrmuese të shqiptarëve i vetmi mjet jetese ështe paga ose pensioni i tyre. Dhe këto janë tej kufirit të një jetese njerëzore dinjitoze.

Paratë e buxhetit të shtetit, sigurisht, nuk priten me gërshërë. Ato s’mund të jenë pa fund dhe s’mund të plotësojnë çdo nevojë të vendit dhe të të gjitha kategorive të popullsisë së tij, por paratë e buxhetit të shtetit mund të administrohen më mirë dhe të rishpërndahen më mirë, që të mos kemi shqiptarë që vuajnë në kushte të një varfërie të thellë, që të mos kemi familje që nuk e shtyjnë dot muajin, që të mos kemi pensionistë që lëngojnë në varfëri dhe ndihen të fyer në dinjitetin e tyre njerëzor me pensionet qesharake që marrin për kontributet e tyre të disa dekadave punë që e kanë bërë Shqipërinë vendin që është sot.

Një pedagog i paguar krahasimisht mirë nuk do të kishte nevojë të bënte një punë të dytë. Të ardhurat nga aktivitete të dyta nuk i bëjnë ata të pasur, as u mundësojnë të jetojnë në vila luksoze apo të blejnë automjetet më të shtrenjtë; ato vetëm kompensojnë në një masë të vogël pagat e ulta që ata marrin.

Pyetja që do të duhej të merrte një përgjigje nga kryeministri i vendit, ndërsa ky me cinizëm reagon ndaj kërkesës së drejtë të pedagogëve, është e thjeshtë: pse në Kosovë, një vend me një GDP për frymë rreth 1,500 dollarë më të ulët se sa Shqipëria, pedagogët e universiteteve publike marrin një pagë shumë më të mirë sesa pedagogët tanë?! Mungesë vlerësimi nga ana e qeverisë për punën dhe misionin e tyre? Rishpërndarje jo e drejtë e produktit shoqëror? Mosnjohje e realiteteve?

Universitetet tona kanë shumë kusure dhe një pjesë e madhe e pedagogëve që japin mësim në to nuk do të duhej të ishin në ato pozicione pune që mbajnë, ashtu siç edhe nuk do të duhej të kishin ata tituj dhe grada që pa meritë i kanë marrë. Por kjo është një çeshtje më vete dhe meriton të trajtohet si e tillë me seriozitetin më të madh. Kjo çështje nuk ka të bëjë aspak me nivelin e ulët të pagave që pedagogët marrin. Ato janë vërtet shumë të ulëta dhe pohimi se pagat e pedagogëve do të kontrollohen, përveçse një kërcënim arrogant i kryeministrit ndaj pedagogëve në protestë, do të ishte edhe një përpjekje pa bereqet për të gjetur dhjamë te pleshtat.

Që kryeministri t’i kuptojë kërkesat e pedagogëve kërkohen dy gjëra: një, që ai ta njohë më mirë gjendjen financiare të armatës së madhe të pedagogëve dhe punonjësve të tjerë të arsimit në të gjitha ciklet e tij dhe, dy, që ai t’i çmojë më shumë shkencën dhe arsimin universitar.

Ka ardhur koha që një qeveri e këtij vendi të marrë një vendim solemn për të rritur pagën minimale jo më simbolikisht, por substancialisht dhe, bashkë me të, po në një masë substanciale dhe në një mënyrë racionale të rrisë pagat e të gjitha kategorive të punonjësve të këtij vendi. Unë nuk besoj se kjo është një detyrë e pamundur. E vështire po, por jo e pamundur.

Dhe cilësia e një qeverie vlerësohet nga mënyra se si ajo përballet me vështirësite dhe i tejkalon ato.

Por… një këshillë kam për kolegët e mi pedagogë. T’u qendrojnë larg Berishës dhe të ngjashmëve të tij. Ai dhe ata janë në një masë edhe më të madhe përgjegjës për gjendjen e arsimit të lartë në vendin tonë dhe për nivelet e ulëta të mirëqenies së këtij populli. Demagogjia e Berishës është e paskrupullt dhe ai do të bënte çdo gjë për ta rrëmbyer ose përdorur për interesat veta të pashpresa kauzën e drejtë për të cilën protestojnë pedagogët sot.

G.MO//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ja e verteta.: 21/10/2022 11:31

    Ky Kovaci, i biri po i Kovacit dhe pjese e rinise se fshatit, dukshem qenka i ngarkuar me detyre me te rendesishme. Po qenka dhe nga fisi i Bilbilajve nga goja more.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?