Pakkush e di se në lagjen “16 Prilli” të Fierit gjendet një muze krejt i veçantë me sende të vjetra, enë prej bakri dhe orendi shtëpiake që datojnë prej 1920-ës. Nostalgjikët në qytet dhe ndonjë turist i huaj janë të vetmit që shkelin në muzeun e koleksionistit fierak, fjalëpak por skrupuloz në punën e tij.
Dy gra vizitore: “Sa të bukura... këtë hekur e mbaj mend e kemi pasur në kohën e Enverit... Këto nuk shiten apo jo?
- Jo nuk shiten!
Është Ernest Gjonçe! Ruajtja e sendeve të vjetra, është pasioni i tij që në rini.
“Në rini kam pasur motor Java dhe grumbulloja gjëra antike”.
60-vjeçari ka punuar llamarinist deri para 5 vitesh kur kreu një ndërhyrje kirurgjikake dhe u detyrua ta linte punën e t’i përkushtohej tërësisht pasionit.
“Llamarinist jam marr tërë jetën me karambolet e makinave derisa bëra një ndërhyrje në zemër dhe që atëherë e lashë punën dhe jam kthyer pasionit merrem me grumbullimin e sendeve antike”.
Del me motor fshat më fshat dhe mbledh orendi që banorët i flakin pa të keq nga shtëpitë, por për të janë të shenjta.
“Shumicën i kam mbledh nëpër fshatra, disa të tjera mi kanë sjellë miqtë e mi këtu se i kanë pasur nëpër shtëpia”.
Koleksionisti fierak i pastron e smerilon e mandej i rreshton në muze, ku asnjëra prej tyre nuk shitet pavarësisht këmbënguljes së vizitorëve.
“Këto vijnë në gjendje të mjerueshme, i riparoj i pastroj dhe i nxjerr në vitrinë. Të huajt kërkojnë t’i blejnë por unë nuk i shes. Dje erdhën dy italianë që kërkuan një hekur të vjetër rrobash që punon me prush...”
Koleksionisti i aposionuar pas objekteve të vjetra ka për qëllim që këto vlera materiale e shpirtërore t’i përçojnë ndër breza.
“Nuk do resht së grumbulluari sa të jem gjallë. Këto janë të baballarëve tanë dhe dua tia t’ua tregoj brezave të ardhshëm që nuk dinë ku bëhet patatja jo më për sendet e vjetra”.
Në ofiçinën e punës, kthyer tashmë në muze, Ernest Gjonçe numëron mbi 250 objekte të vjetra.