Koleksionisti i njohur korçar Mirgen Shamlli ka çelur nje ekspozitë shumë të vecantë në kuadër të 110 vjetorit të krijimit te pullës së parë lokale në Korcë, e cila daton në 19 Mars 1914.
“Mund te them se është e veçantë se përkon me emetimin e pullës së parë në Korçë. Këtë ekspozitë e kam hapur për dy tematika. Ardhja e Princ Vidit në vitin 1914 dhe emetimi i pullës së parë lokale të Korçës. Janë disa zarfe që i shfaq për herë të parë”, tha Mirgen Shamlli.
Koleksionisti shpjegon se pjesë e ekspozitës janë 2 stenda me rreth 100 materiale ku përfshihen pullat, fotografitë dhe zarfet. Më e rëndësishmja dhe më e veçanta mbetet pulla ngjyre lejla e prodhuar 110 vite më parë.
“Janë 32 formate me 100 materiale origjinale që paraqesin historinë e vitit 1914”, u shpreh më tej Mirgen Shamlli koleksionist.
Duke qenë se ekspozita është vendosur në një nga zonat më të frekuentuara nga turistët, të shumtë kane qenë ata te cilët e kane parë nga afër ekspozitën dhe janë njohur me materialet autentike te ekspozuara për herë te parë. Ekspozita ka qëndruar e hapur në Pazarin karakteristik te Korçës për dy ditë.